E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koçi: Pakti PS-PD i çon në bashkëqeverisje në 2009

 

Aristir Lumezi

Kreu i PS '91, Petro Koçi analizon efektet e grevës së urisë për administrimin e votës së lirë dhe shprehet, se ajo sensibilizoi dhe mblodhi rreth saj intelektualë të shquar. Koçi shprehet se bashkëpunimi i sotëm Rama-Berisha çon shumë lehtë në bashkëqeverisje pas zgjedhjeve të vitit 2009.
Zoti Koçi, disa javë pas grevës tuaj të urisë në seancën e Kuvendit të Shqipërisë, si i shikoni efektet e saj tek politika, por më shumë tek mbështetësit tuaj. Ia vlejti greva dhe çfarë arriti ajo?
Unë mendoj se aksioni politik për votën e lirë, pjesë e së cilës ishte dhe greva e urisë pati rezultate pozitive. E para, sepse konsolidoi dhe zgjeroi terrenin politik të së majtës ndryshe nga Rama dhe e dyta, arriti të thithte në vendimmarrjen politike interesin e qytetarëve dhe sidomos të elitës intelektuale. Unë besoj se këto janë dy arritjet, të cilat duhen administruar tashmë, jo për interesat e ngushta partiake, por në interes të zgjerimit dhe garantimit të demokracisë. Sigurisht që aprovimi i ndryshimeve kushtetuese dhe i Kodit nga Rama dhe grupi i tij, e ka goditur shumë të majtën socialiste, i ka vënë shkelmin shansit për bashkimin e të majtës para zgjedhjeve, por unë besoj se vullneti qytetar në zgjedhjet e ardhshme do t'i japë një leksion teknologjisë Berisha si tek e djathta, ashtu dhe tek e "majta" e Ramës. Partia ish-socialiste e Ramës konfirmoi edhe një herë se interesat afatshkurtra dhe interesat e ngushta personale apo klanore u vunë mbi interesat e gjera të publikut dhe të demokracisë.
Gjatë ditëve të grevës ju keni marrë mesazhe mbështetjeje edhe nga deputetë socialistë, të cilët më pas kanë votuar Kodin e ri Zgjedhor. Si e gjykoni ju këtë qëndrim?
Fatkeqësisht grupi parlamentar i Ramës është kthyer në një grup njerëzish të nënshtruar. Ata, mandatin e dhënë nga populli dhe socialistët në 2005, e vunë në përdorim të interesit personal të Ramës dhe të Berishës, duke shkelur hapur një kontratë, e cila nuk është vetëm vullnet elektoral i 2005, por ka lidhje edhe me kontratën e anëtarit të PS-së në përfaqësim, me programin dhe filozofinë e socialistëve. Duket se interesi për të garantuar një vend të sigurt në listën e ardhshme ka dominuar moralin e votimit në rastin e Kushtetutës dhe Kodit elektoral. Pra, deputetët kanë dëshmuar se interesi i tyre personal është më i rëndësishëm se interesi i zgjedhësve, sesa interesi i demokracisë.
Pak ditë më parë, në një shkrim për gazetën "Panorama" ish-presidenti Rexhep Meidani është shprehur se nëse kërkohet fitorja e të majtës në 2009 është i pashmangshëm bashkëpunimi PS-LSI, në të kundërt mund të shkojmë në një bashkëqeverisje PS-PD. Si e vlerësoni një opsion të tillë?
Bashkëqeverisja e shesheve të ndërtimit, e ndryshimeve kushtetuese, bashkëqeverisja në mënyrën e transformimit antidemokratik të shtetit, sigurisht le të nënkuptosh, që ekziston një platformë e bashkëqeverisjes në koalicion PS-PD. Sigurisht që kjo do të ishte një tradhti ndaj interesave të socialistëve, por unë mendoj se nuk do të ishte dhe aq e papritur për opinionin publik. Përderisa, përsa i përket konceptimit të shtetit Rama dhe Berisha kanë të njëjtën platformë dhe përderisa Rama në takimet, që zhvillon fton në bashkëpunim socialistët dhe demokratët, ky përbën një terren shumë të justifikueshëm për bashkëqeverisjen zyrtare dhe të hapur nesër. Natyrisht, që vendimet do të jenë pjesë e strukturave përgjegjëse, por ne si koalicion ndryshe do të luftojmë, që e majta të marrë shumicën absolute të Parlamentit të ardhshëm, edhe sepse sistemi që aprovoi Rama i jep avantazhe Berishës dhe besoj se pas zgjedhjeve janë të gjitha mundësitë për të bashkëqeverisur mes koalicionit të Ramës dhe koalicionit tonë.
Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare, Maqo Lakrori ka hedhur propozimin e organizimit të një kongresi, që do të bashkojë të gjithë socialistët. Si e prisni një ftesë të tillë dhe sa mund të realizohet ky propozim?    
Nuk mendoj se para zgjedhjeve të 2009 të ketë ndonjë shans real, që demokracia brenda PS-së të Ramës të rivendoset. Mendoj se këto janë iluzione ose taktika të sponsorizuara. Ftesën për një kongres për të ndryshuar rregullat e lojës ne e bëmë në fund të 2007, jo në emër të një egoizmi politik, por në emër të rishikimit të sistemit statusor, rishikim që do të sillte vendosjen e një demokracie gjithëpërfshirëse kundrejt "demokracisë" përjashtuese të Ramës. Bashkimin nuk e garanton thirrja dhe lideri, por e garanton sistemi. Përderisa vullneti i Ramës është brenda një sistemi brendapartiak përjashtues dhe pastaj të një sistemi politik kushtetues përjashtues, atëherë gjithmonë do të jemi si e majtë nën rrezikun e përçarjes. E majta nuk vuan nga ndarja organizative politike, por vuan nga përçarja e mbjellë nga Rama për arsye parimore, siç janë Kushtetuta dhe rregullat e lojës politike të Kodit elektoral.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›