Dosja për 21 janarin në Gjykatë, Rama: Ja akuzat për 4 të pandehurit

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka dorëzuar pranë Gjykatës së rrethit Tiranë dosjen në ngarkim të katër të pandehurve për ngjarjet e 21 janarit. Të pandehurit janë Agim Llupo, Armando Kasaj, Margarit Kume, Ndrea Prendi, ndërsa akuzat e ngritura ndaj tyre vijiojnë si më poshtë:
Ndaj shtetasit Ndrea Prendi, me detyrë komandant i Gardës së Republikës, u ngrit akuza për veprën penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese", parashikuar nga neni 79, gërma "ë" i Kodit Penal dhe në datën 20.04.2012, çështja në ngarkim tij u dërgua në Gjykatë.
Ndaj shtetasit Agim Llupo, me detyrë shef i shtabit të Njësisë Speciale në Gardën e Republikës, u ngrit akuza për veprën penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese", parashikuar nga neni 79, gërma "dh" i Kodit Penal dhe në datën 20.04.2012, çështja në ngarkim tij u dërgua në Gjykatë.
Ndaj shtetasit Margarit Kume, me detyrë shofer i komandantit të Gardës së Republikës, u ngrit akuza për veprën penale "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës", parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal dhe në datën 20.04.2012, çështja në ngarkim tij u dërgua në Gjykatë.
Ndaj shtetasit Armando Kasaj, me detyrë specialist i "IT" në Këshillin e Ministrave", u ngrit akuza për veprën penale "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës", parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal dhe në datën 19.04.2012, çështja në ngarkim tij u dërgua në Gjykatë.
Ndërkaq hetimet në ngarkim të efektivave të Gardës së Republikës, shtetasve Dashamir Shehi, Alfred Ahmetcenaj, Altin Kollçinaku, Fatos Bushati, Aleksandër Deda, Agrom Malaj, Gazmen Ahmetaj, Sadik Çela dhe Mark Nikolli, u pushuan në datën 20.04.2012.
Ndërkohë vazhdojnë hetimet në lidhje me përcaktimin e autorësisë për vrasjen e shtetasit Aleks Nika dhe plagosjen e tre demonstruesve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.