E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbyset autoboti me 24 ton gaz, rrezikon shpërthimin

VLORË - Një mjet autobot i mbushur me gaz ka përfunduar i përmbysur jashtë rruge, ndërkohë që alarmi i rrezikut të gazit ka vënë në lëvizje shumë mjete të tjera në ndihmë të parandalimit të ndonjë situate të rëndë.


Ngjarja ndodhi në orët e pasdites së të hënës pranë aksit Pusi i Mezinit- Nartë. Mjeti ishte ngarkuar me gaz, duke transportuar këtë të fundit drejt disa depove të magazinuara që ndodhen në këtë zonë.


Gjatë lëvizjes në këtë segment, për shkak të një devijimi të gabuar, autoboti ka përfunduar i përmbysur në kanal, përbri rrugës. Menjëherë në ndihmë të tij kanë ardhur mjete të tjera, si dhe mjetet zjarrfikëse, ndërkohë që është tentuar njëkohësisht edhe heqja më parë e gazit, për të evituar ndonjë shpërthim të padëshiruar. Një gjë e tillë rrezikonte të ndodhte pasi gjatë rënies, ka dëmtuar shtyllat elektrike, duke shkaktuar edhe një hark elektrik.


Autoboti ka pasur rreth 24 t lëndë të gaztë. Fillimisht është bërë e mundur nxjerrja e kabinës së mjetit dhe më tepër kohë është dashur për heqjen tërësore të tij. Aksidentet nga mjete të tilla paraqesin gjithmonë rrezikshmëri, për shkak të lëndeve që ato transportojnë, shpërthimi nga të cilat mund të ketë pasoja të pariparueshme. A.Peçi

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›