E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thikë në bark shoferit për parakalimin

Policia arreston autorin e dyshuar të krimit i cili u largua nga vendi i ngjarjes me automjetin e tij

TIRANË- Një sherr për parakalimin e automjet ka përfunduar në plagosjen me thikë të një personi, dje gjatë orëve të mëngjesit në kryeqytet, ndërkohë që autori i dyshuar i ngjarjes arrestohet nga policia.


Bëhet fjalë për një sherr që ka lindur mes tre personave, të cilët ishin në makina të ndryshme, por që janë konfliktuar për parakalimin e autoveturave. Nga konflikti mbeti i plagosur një person që nga policia u identifikua me emrin Kujtim Luku, 50 vjeç me banim në Durrës. Ndërkohë, si autor i dyshuar i plagosjes së Lukut është arrestuar Arjan Cicollari, 40 vjeç.


Ky i fundit menjehërë, pas sherrit me të plagosurin Luku, u largua nga vendi i ngjarjes për t'iu shmangur arrestimit të bluve të komisariatit nr.3. Sipas burimeve të policisë, ngjarja ndodhi dje rreth orës 08.30 të mëngjesit, pranë godinës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore në rrugën e Durrësit, në kryeqytet.


I plagosuri ka qenë duke udhëtuar i shoqëruar nga një shok i tij, ndërkohë që mjeti i tij është ndalur ka nisur një debat me një person tjetër për parakalimin e automjetit, që sipas hetuesve është edhe autori i dyshuar të ngjarjes dhe makinës ku ndodhej i dëmtuari. Pas sherrit me fjalë që ka zgjatur vetëm disa sekonda, i arrestuari ka qëlluar me thikë Lukun, duke e plagosur rëndë në bark.


Autori i plagosjes është larguar nga vendi i ngjarjes me veturën e tij të markës "Volksëagen Golf", për t'i shpëtuar arrestimit të tij nga efektivët e policisië. Në mesditë, ai u ndalua nga efektivët e komisariatit të policisë nr.3, i akuzuar për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë me pasojë plagosjen e rëndë, si dhe akuzën e mbajtjes pa leje të armëve të ftohta.


Ndërkohë i dëmtuari është dërguar nga shoku i tij në Spitalin Ushtarak dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendin ku ndodhi plagosja mbërriti policia për të nisur hetimet për motivet e sherrit që përfundoi me një të plagosur. Pas ndalimit, policia ka marrë dëshminë e të arrestuarit, 40- vjeçarit, Arjan Cicollari, i cili është pyetur për rrethanat e sherrit të ndodhur dje gjatë orëve të mëngjesit.


Lidhur me këtë ngjarje, ka dëshmuar edhe i dëmtuari, Kujtim Luku, i cili pas plagosjes është dërguar në Spitalin Ushtarak dhe bëhet e dituar se e ka kaluar rrezikun për jetën. Për ngjarjen hetimet do të vazhdojnë edhe nga Prokuroria e Tiranës, për veprën penale të plagosjes dhe mbajtjes pa leje të armëve të ftohta.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›