E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vijon shkelja e legjislacionit për pensionet”

13/12/2008  PS-ja akuza ndaj qeverisë

Partia Socialiste risolli sërish në vëmendje shkeljen e përsëritur që qeveria “Berisha” po i bën legjislacionit të pensioneve. Një qëndrim i tillë u bë dje publik nga nënsekretari për programin në PS Ilir Beqja. Sipas tij, është kjo qeveri që në mënyrë të përsëritur, nuk ka zbatuar afatet e indeksimit të pensioneve, që nuk u jep çfarë u takon ish-ushtarakëve dhe që po në mënyrë të përsëritur nuk indekson sa përcaktimet ligjore trajtimin e veçantë të ish-minatorëve. “Kanë kaluar 11 muaj të vitit 2008 dhe qeveria e Sali Berishës nuk zbaton detyrimet e përcaktuara në nenet 32 dhe 59 të ligjit nr. 7703 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë". Mosmiratimi i koeficienteve të indeksimit të bazës së vlerësimit vjetor, individual për llogaritjen fillestare të pensioneve cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë të gjithë mbi 6 mijë pensionistët e qytetit të dalë rishtas në pension prej 1 janar 2008”, - vlerësoi Beqja gjatë fjalës së tij. PS-ja, sipas tij, është e vendosur që në programin e saj të ri qeverisës, përveç propozimit të një reforme të re të pensioneve, të ofrojë zgjidhje edhe për të korrigjuar shkeljet e legjislacionit të pensioneve në dëm të pensionistëve aktualë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›