E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dosjet”, 28 nenet ku shkelet Kushtetuta

Autori i Lajmit: Suela Topi
Partia Socialiste dorëzon në Gjykatën Kushtetuese ankimimin për ligjin e dosjeve. Në një dokument të shoqëruar me 36 firma, socialistët argumentojnë 28 nenet e shkelura të Kushtetutës. Në listën e gjatë të firmave të vendosura nga deputetët rezultojnë jo vetëm deputetët e PS-së dhe aleatët e tyre opozitarë, por dhe deputetët e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Spiro Peçi dhe Leonard Solis, të cilët në këtë mënyrë kanë konfirmuar kundërshtimet ndaj ligjit të dosjeve. Sekretari për Çështjet Ligjore, njëkohësisht deputet i PS-së, Fatmir Xhafaj, pohoi dje pas dorëzimit të ankimimit se do të presin vendimin e Gjykatës. Ai ka kundërshtuar dhe deklarimet e bëra një ditë më parë nga deputeti Astrit Patozi, i cili pohoi se nuk do të njohin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shkak të konfliktit të interesit që ajo ka me ligjin në fjalë. Xhafaj theksoi se nuk ka asnjë konflikt interesi në këtë rast, ndërsa shtoi se mazhoranca duhet të heshtë dhe të mos ngrejë asnjë komision hetimor, derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese.
Ankimimi
“Dorëzuam sot në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën ankimore lidhur me antikushtetutshmërinë e ligjit për “Pastërtinë e figurave”. Shpresojmë që gjykata ta marrë shumë shpejt në shqyrtim, së pari, të vendosë pezullimin e këtij ligji me pasoja të mëdha ligjore, politike, sociale dhe, njëkohësisht, të vendosë për shqyrtimin në themel, ku mbetet në vendimmarrjen e gjykatës, shqyrtimi dhe vendimmarrja e saj”, - tha dje Xhafaj. Duke dhënë më tej shpjegime për ligjin, ai pohoi se janë shkelur të paktën 28 nene të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Sipas deputetit socialist, është shkelja më flagrante që mund të ketë ndodhur ndonjëherë në historinë tonë 18-vjeçare. Ankimi i socialistëve përveç argumenteve të zgjedhura për shkeljet kushtetuese përmban dhe një sërë shpjegimesh se përse Gjykata Kushtetuese ka të drejtë të shqyrtojë ligjin pavarësisht komentetve të PD-së për konflikt interesi. “Ne kemi parashtruar në kërkesë shkaqet që argumentojnë plotësisht që nuk jemi përpara një konflikti ndërmjet detyrimit që i jep Kushtetuta Gjykatës Kushtetuese për ta shqyrtuar dhe për të marrë vendim lidhur me këtë kërkesë dhe ligjit në fjalë. Përveç kësaj, kemi argumentuar në kërkesë se është në detyrimin kushtetues të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të marrin pjesë në gjykimin e kësaj çështjeje. Çdo largim nga gjykimi i kësaj çështjeje, është me pasoja për gjyqtarin kushtetues”, - tha Xhafaj. Sipas tij, detyrimi i Gjykatës për ta shqyrtuar këtë ligj buron nga vetë Kushtetuta, nga vetë ligji organik i Gjykatës Kushtetuese, por është edhe në precedentët e Gjykatës Kushtetuese. Ka të paktën 2 raste, kujtoi ai, kur Gjykata Kushtetuese para vitit 1997, ka shqyrtuar pikërisht ligje të kësaj natyre. “Ka dy praktika, të cilat ne i kemi cituar konkretisht edhe në ankimin që kemi bërë. Gjithashtu, ne kemi kërkuar që të thirren si subjekte të interesuara, krahas qeverisë që është iniciatorja, Kuvendi që e ka nxjerrë ligjin, Presidenti i Republikës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme, Avokati i Popullit dhe subjektet që preken nga ky ligj”, - tha ai. Deputeti socialist shtoi se dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese dhe shqyrtimi i saj duhet të shërbejë si moment reflektimi për mazhorancën dhe veçanërisht për lidershipin politik të Partisë Demokratike dhe personalisht për Kryeministrin e vendit, të cilët duhet të heqin dorë nga ushtrimi i dhunës publike ndaj institucioneve të gjyqësorit dhe në mënyrë të veçantë, në rastin konkret, ndaj Gjykatës Kushtetuese. Madje, Xhafaj tha se kjo është një tjetër mundësi që i ofrohet përsëri mazhorancës për të reflektuar për këtë proces. “Reflektimi më i mirë i saj, është që ajo duhet të heshtë dhe të presë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Kështu funksionon një shtet normal demokratik dhe ligjor. Duhet të heshtë edhe për një arsye tjetër, sepse kjo nuk është thjesht një kërkesë e opozitës, por është një kërkesë e Kushtetutës, është kërkesë e ligjit dhe kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë”, - tha ai. Xhafaj shtoi se kjo lloj arrogance e mazhorancës me Kushtetutën e këtij vendi, me institucionet, me partnerët ndërkombëtarë është e patolerueshme dhe e pafalshme, sepse nuk është një arrogancë me pasoja individuale, por mbi të gjitha është një arrogancë që sjell pasoja për fatet e integrimit të vendit, për fatet e integrimit të shqiptarëve dhe për vetë proceset e zhvillimit demokratik të vendit. Socialistët kundërshtojnë ato pika ku flitet për ndërprerje të mandatit të zyrtarëve të lartë, që nga Presidenti i Republikës, deputetët, gjyqtarët e prokurorët, kur verifikohet se ata kanë qenë ish-bashkëpunëtorë të regjimit të kaluar.

Ky lajm është publikuar: 31/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›