E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta nis premtimet elektorale

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar dje në kryeqytet një takim me gjithë strukturat e saj në kuadër të përgatitjes së fushatës për zgjedhjet e 28 qershorit. Në fjalën e tij, kryetari i saj, Ilir Meta, deklaroi se Shqipëria ndodhet para sfidës së madhe për të garantuar një të ardhme me dinjitet për të gjithë. “Shqipëria do të ndryshojë, sepse më 28 qershor shqiptarët do të bëjnë zgjedhjen e duhur, për të zgjedhur partinë që mendon për mirëqenien e tyre”, - tha ai. Meta theksoi se LSi po punon për një program konkret antikrizë, që mposht varfërinë dhe zhvillon integrimin dhe sipërmarrjen. Sipas tij, shqiptarët po luftojnë çdo ditë me varfërinë, por së shpejti do të vijë progresi për të gjithë komunitetin. “Në program do të jetë një pikë e veçantë që do të mundësojë punësimin e shpejtë të atyre që luftojnë për të siguruar ushqimin e ditës”, - theksoi Meta. Sipas tij, shqiptarët luftojnë për jetë në spitale pa ilaçe, por programi i LSI-së parashikon spitale me kushte normale dhe dinjitoze, por dhe hapjen e tregut për investimet vendase dhe të huaja. Ndërsa kryetarja e grupit të këshilltarëve të LSI-së pranë Këshillit Bashkiak, Monika Kryemadhi, u shpreh se prej dy muajsh qytetarët janë të shqetësuar me të drejtë se ku po shkojnë paratë e tyre. Ajo renditi një sërë arsyesh se pse LSI-ja nuk votoi buxhetin e 2008-ës për Bashkinë e Tiranës. Kryemadhi theksoi se buxheti i Bashkisë nuk do të fshihet më, sepse LSI-ja do të bëjë të mundur që buxheti të bëhet transparent për të gjithë qytetarët e Tiranës.

Ky lajm është publikuar: 31/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›