E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kufizimi i imunitetit, shpëtojnë deputetët e këtij sesioni

Autori i Lajmit: Suela Topi
Kufizimi i imunitetit të deputetëve nuk ka gjasa të marrë zgjidhje brenda kësaj legjislature. Grupi bipartizan i punës, që do të shqyrtonte mundësitë juridike për ndryshimin e Kushtetutës, ka ngrirë prej disa javësh bashkëpunimin, duke ia lënë vendin heshtjes. Përfaqësuesi i socialistëve në këtë çështje, nënkryetari i Kuvendit, Ylli Bufi, nuk di të japë një përgjigje konkrete. I pyetur nga gazeta, ai pohon se gjithçka është ngrirë dhe nuk dihet nëse kjo çështje do të marrë zgjidhje apo jo në këtë sesion parlamentar. Por ai saktëson ndërkohë se prej kohësh janë ndërprerë negociatat mes tij dhe Ilir Rusmajlit, si përfaqësues i mazhorancës, për këtë çështje. Por ndërkohë që PS ka mbetur pa përgjigje, demokratët duket se janë më të vendosur për ta kaluar atë brenda këtij sesioni parlamentar. Vetëm pak ditë më parë, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, pohoi se, ndonëse është sesioni i fundit parlamentar, ishte e rëndësishme për Parlamentin, që ta kalonte këtë nismë. Sipas tij, ishte e nevojshme që Parlamenti aktual t i lërë një trashëgimi të mirë Parlamentit të ardhshëm. “Ky ligj është peng i këtij Parlamenti, që nuk ka pse mbartet në parlamentin e ardhshëm. Sepse këta kritikë që thonë se s na takon që të vendosim për pasardhësit, duhet të kenë parasysh një gjë, ky është një argument që nuk qëndron. Nuk ka sesi një deputet apo pak deputetë, të cilët kanë dyshime për karrierën e tyre, të kenë kompleksin se nuk do të vendosin për pasardhësit”, - ka deklaruar drejtuesi i Grupit Parlamentar të PD-së. Por sipas Astrit Patozit, është e rëndësishme që në këtë nismë të bashkohet edhe opozita, sepse ky është një obligim i rëndësishëm për të gjitha palët dhe jo vetëm për Partinë Demokratike. Nga ana tjetër, Komisioni i Venecias ka gjykuar se kjo çështje kërkon konsensus të gjerë dhe nuk mund të miratohet vetëm nga një forcë politike. Pavarësisht se opozita është shprehur pro, modalitetet kanë penguar miratimin.
Drafti
Pikat kryesore të draftit të iniciuar kohë më parë nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike i japin të drejtën Prokurorisë të nisë procedim penal ndaj deputetit pa marrë autorizimin e Kuvendit. Megjithatë, aty theksohet gjithashtu se kufizimi i imunitetit do të krijojë lehtësi për procedim penal nga ana e prokurorisë, por gjithashtu do të mbrojë liritë personale të deputetit deri në momentin që nuk ka një vendim përfundimtar të gjykatës. Ylli Bufi ka sqaruar se nuk është thjesht ideja për të mbajtur apo për të hequr imunitetin, por për të gjetur një të mesme duke vendosur në këtë mënyrë një standard të ri. Ky standard, sipas deputetit socialist, është që të ruhet imuniteti personal i deputetit, por ndërkohë që t i jepet e drejta prokurorisë të hetojë pa pritur një autorizim paraprak nga Kuvendi. Pra ligjvënësit do të vazhdojnë të kenë imunitet për atë që quhet liria personale e të zgjedhurit, ose ajo që ka të bëjë me kryerjen e funksionit të deputetit. Kjo është ajo pjesë e imunitetit parlamentar që mbetet dhe nuk ndyshon, sepse lihet në ushtrimin e funksionit të deputetit apo të një përfaqësuesi tjetër të sistemit gjyqësor. Ndërkohë që pritet të ndryshojë dhënia e autorizimeve nga Kuvendi për procedimin penal. Ky ndryshim bën të mundur që deputeti, si gjithë të tjerët, mund të hetohet, mund të bëhet procedim ndaj tij, por nuk mund të cenohet ajo që quhet liria personale, pra nuk mund të arrestohet, të kontrollohet apo përgjohet pa autorizimin e Kuvendit. Hartimi i një ligji për çështjen e imunitetit do të sjellë dhe ndryshime të Kushtetutës dhe si pasojë do të ketë dhe riformulim në ligjin për statusin e deputetit, por dhe në rregulloren e Kuvendit për të përcaktuar procedurat se si bëhet dhënia e autorizimit në rastet kur kemi një vendimi përfundimtar të gjykatës, i cili e shpall deputetin fajtor. Por pavarësisht këtyre pikave të para të hedhura në letër, grupi i punës zhvilloi vetëm një takim dhe më pas një seancë dëgjimore me grupet e interesit dhe asgjë më tepër.

Ky lajm është publikuar: 31/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›