E Diel, 1 Nëntor 2026

PS nuk tërhiqet: “Monitorimin e zgjedhjeve ta drejtojmë ne”

Autori i Lajmit: red.
Socialistët nuk tërhiqen nga qëndrimi i tyre për të monitoruar procesin zgjedhor. Edhe pse Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në mbledhjen e fundit të kryetarëve shtyu këtë çështje në pritje të një konsensusi, duket se palët u qëndrojnë argumenteve të tyre. Socialistët mendojnë se duhet të jenë ata në krye të komisionit “ad hoc” për monitorimin e zgjedhjeve në një kohë që demokratët kërkojnë bashkëkryetarë. “Ne kemi kërkuar që këtë komision ta drejtojë opozita, pikërisht Partia Socialiste, pasi është mazhoranca ajo që do të merret me zbatimin e këtij procesi, sepse ajo nuk mund të kontrollojë vetveten. Pa dyshim që ky akses i duhet dhënë opozitës, në funksion edhe të asaj transparence, që pretendohet për këtë proces”, - tha dje sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj. Ai shtoi se mazhoranca mund ta drejtojë vetë komisionin, nëse nuk pranon vendimin e socialistëve. Xhafaj tha se problemet lidhur me procesin zgjedhor dhe në mënyrë të veçantë me disa elemente të rëndësishme të infrastrukturës zgjedhore, për të cilat ka ngritur hije dyshimi, janë një shkak më shumë për të qenë akoma më shumë të shqetësuar.
Ky lajm është publikuar: 31/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›