Dosjet, Berisha: Kushtetuesja ribëhet
ADI SHKEMBI
Gjykata Kushtetuese mund të ribëhet nëse provohet se anëtarë të saj preken nga ligji i sapomiratuar në Parlament për pastë-rtinë e figurës. Këtë e bëri të ditur dje Kryeministri Berisha gjatë një bisede me gazetarët në përfundim të konferencës për shtyp, lidhur me arritjet e vitit 2008. I pyetur nëse ky organ ka konflikt interesi kur të shqyrtojë ligjin e dosjeve, kreu i qeverisë tha se, "nëse Gjykata Kushtetuese do e kthejë ligjin, ne do të marrim parasysh vërejtjet dhe do e votojmë prapë. Por nëse ligji prek ndonjë anëtar të kësaj gjykate, atëherë ka konflikt interesi, gjykata do të ribëhet". Kjo deklaratë e kreut të qeverisë vjen pasi opozita nuk dha konsensusin në Kuvend për miratimin e ligjit të "Dosjeve". Madje, pakica është shprehur se do e çojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Ka qenë pikërisht kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, e cila ka bërë të ditur hapin e radhës së opozitës, pas miratimit të ligjit në Kuvend me votat e shumicës. "Jemi për hapjen e dosjeve, një ligj të mirë, jo për të mbrojtur korrupsionin. S'mund të bëhemi palë me një projekt të tillë, që cenon institucionet. Tërhiqni projektin e të konsultoheni me ndërkombëtarët. Nuk mund të bëhemi pjesë, por do ndjekim hapat kushtetuese, duke e ankimuar në Gjykatën Kushtetuese". Sipas Leskaj, mandatet kushtetuese të të zgjedhurve me nismën e qeverisë për hapjen e dosjeve, ndërpriten në kundërshtim me Kushtetutën dhe nuk u jepet e drejta e mbrojtjes për shfajësim. Deklarata e kreut të qeverisë duket se vjen në formën e paralajmërimit për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët kanë në dorë kthimin e ligjit në Kuvend, ose rrëzimin e kërkesës së opozitës, nëse ajo do t'i shkojë deri në fund qëndrimit të saj. Lidhur me ligjin e dosjeve, Kryeministri Berisha u shpreh se në sistemin e drejtësisë nuk është më shumë se 30-40 numri i zyrtarëve që do të duhet të lënë detyrën që kanë aktualisht. Megjithatë, sipas tij, ky numër është i papërfillshëm në krahasim me rreth 800 prokurorë e gjyqtarë që ka vendi. Gjatë bisedës me gazetarët, kreu i Ekzekutivit u ndal edhe te mënyra se si u iniciua ligji për hapjen e dosjeve. Berisha tha se, "ishte opozita ajo që akuzonte ministrat e mi, madje tha se nëse miratohet ligji i dosjeve, rrëzohet qeveria. Tani urdhëro le ta provojnë nëse ka ministra apo deputetë me dosje". Shumica parlamentare miratoi një javë më parë ligjin për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë, duke anashkaluar të gjitha vërejtjet të të gjithë faktorit ndërkombëtar brenda dhe jashtë vendit. Thuajse me të njëjtin qëndrim Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ODIHR kërkuan nga maxhoranca që të mos nxitohej me miratimin e ligjit të "Dosjeve", por të ishte më e matur dhe të hartonte një draft që do të zgjidhte në thelb problemin. Por pavarësisht kërkesave të ndërkombëtarëve, Kryeministri Berisha u shfaq i vendosur në miratimin e këtij ligji, duke e zyrtarizuar atë në Kuvend të hënën e kaluar.
Anëtarët
Vladimir Kristo
Gjergji Sauli
Fehmi Abdiu
Kujtim Puto
Petrit Plloçi
Xhezair Zaganjori
Vitore Tusha
Sokol Sadushi
Sokol Berberi