Prokurorët: Ndryshimi në ligj, garanci për pavarësi në ushtrimin e detyrës
TIRANE - Shoqata Kombëtare e Prokurorëve të Shqipërisë reagoi dje menjëherë pas votimit të ligjit në Parlament, duke pohuar se aprovimi i ndryshimeve në nenin 34 të ligjit aktual, përbën një garanci për pavarësinë e organit të akuzës. Shoqata Kombëtare e Prokurorëve gjen rastin të falënderojë Kuvendin lidhur me miratimin, në seancë plenare, të një prej kërkesave tona që kishte të bënte me riformulimin e nenit 34 të ligjit aktual: "Për organizimin dhe funksionim e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë". Me këtë ndryshim të miratuar tashmë, prokurorit i garantohet me ligj kthimi në detyrë, në rastet kur Gjykata çmon se largimi nga detyra ka qenë i pabazuar në ligj", theksoi Shoqata e prokurorëve. Sipas saj, "ky ndryshim ligjor përbën arritjen e një standardi me të lartë në drejtim të qëndrueshmërisë në detyrë të prokurorëve dhe për pasojë në respektimin më të mirë të parimit të pavarësisë së Prokurorisë". "Shoqata gjen rastin gjithashtu të falënderojë gjithë trupën e prokurorëve për kontributin e dhënë në arritjen e këtij standardi. Ajo edhe në të ardhmen do të vazhdojë përpjekjet e saj për të siguruar arritjen edhe të standardeve të tjera, me qëllim që prokurorët të ushtrojnë funksionin e tyre në zbatim vetëm të ligjit dhe pa u ndikuar nga interferenca të çdo lloji dhe natyre qofshin", përfundon deklarata e Shoqatës Kombëtare të prokurorëve. Ky organizëm reagoi ashpër ndaj kalimit të draftit në Komisionin Parlamentar pa ndryshime, pasi deputetët nuk morën në konsideratë kërkesat e Kryeprokurores Ina Rama. Shoqata kërkoi mes të tjerave, që pavarësisht heqjes së imunitetit dhe zgjerimit të mundësive të kontrollit nga Ministri i Drejtësisë, të paktën prokurorëve t'u garantohej kthimi në punën që kanë pasur në rast shkarkimi të padrejtë. tr.so