Kapllani: Vetëm sedra më mban te Karlsruhe
Jetmir Halilaj
Ky është një nga momentet më të çuditshme që po kalon. Nëse më parë arrinte të shënonte në çdo pozicion, tani dërgimi i topit në rrjetë duket një mision shumë i vështirë. E megjithatë Edmond Kapllani nuk dorëzohet. Bundesliga 1 është një bast që nuk dëshiron ta humbasë dhe shpreson se në fazën e dytë situata do të përmbyset. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare pohon se shumë vetë i kanë sugjeruar të ndërrojë skuadër, pasi te Karlsruhe gjërat nuk po i shkojnë mirë, por lojtari dëshiron të qëndrojë, për të treguar se shkëlqimin në Bundesligën 2 mund ta përsërisë edhe në elitën e futbollit gjerman. Në një intervistë të dhënë për “Panorama”, bomberi kuqezi pohon se mund të largohet nga Karlsruhe vetëm për ndonjë ekip të Serisë A.
Kapllani e mbyll pjesën e parë të sezonit pa asnjë gol. Çfarë po ndodh me ju?
As vetë nuk mund t’i jap një shpjegim logjik. Fillimisht nuk kam luajtur rregullisht, por në javët e fundit jam aktivizuar si titullar. Kam bërë paraqitje të mira, të pakën kështu mendoj unë, por është e vërtetë, më ka munguar shumë goli dhe padyshim që ky është një problem për një sulmues. Por mendoj se nuk kam pasur edhe fat.
Është vetëm çështje fati, sipas jush?
Duke marrë parasysh situatat që janë krijuar, unë mendoj se është vetëm çështje fati. Kur shënova 17 gola në Bundesligë, shpeshherë realizoja edhe gola që mua më dukeshin shumë të lehtë, kjo sepse kisha edhe fat. Tani më ka munguar shansi. Ju jap një shembull: para disa javësh kundër Hanoverit topi ishte në vijë fatale, por një nga mbrojtësi bëri një roveshatë të pabesueshme dhe e largoi topin. Nuk u besova syve kur e pashë. Dua të them se ky lloj ngërçi është edhe punë fati. Megjithatë, unë jam në një formë të mirë dhe kjo më ngushëllon. Kam besim se në fazën e dytë do të arrij të zhbllokohem dhe të shënoj. Kështu mund të ndihmoj Karlsruhen në objektivat e saj dhe të jem në formë për ndeshjen me Kombëtaren kundër Maltës.
Nëse ju do të vazhdoni të jeni te Karlsruhe, sepse kjo nuk është shumë e sigurt apo jo?
Shikoni, unë e di që tani është kohë merkatoje dhe hidhen shumë hipoteza, por unë dua të qëndroj në këtë skuadër e të tregoj se jam i aftë të përballoj edhe një kampionat të vështirë si Bundesliga 1. Gjithsesi nuk i dihet.
Thuhet që ju kërkon Nurenbergu dhe disa skuadra jashtë Gjermanisë. A keni pasur oferta konkrete?
Është folur shumë, por nuk kam pasur asnjë ofertë konkrete. Këtë punën e Nurenbergut e kam dëgjuar edhe unë, por deri tani nuk ka pasur asnjë bisedim konkret. Pas disa ditësh do të takohem me trajnerin dhe drejtuesit e klubit dhe do të vendosim. Nëse ata më thonë se kanë besim te unë, atëherë do të qëndroj. Pastaj Nurenbergu është një ekip i Bundesligës 2 dhe unë nuk kam dëshirë të kthehem në këtë kampionat, pasi dua ta tregoj veten këtu, në Bundesligën 1. Që të jem i sinqertë, disa vetë më kanë sugjeruar të ndryshoj ekip, e ndoshta do të ishte më mirë kështu, por unë kam sedër dhe nuk dua të largohem që këtu pa treguar se sa vlej vërtetë.
Nëse do t’ju kërkojë një ekip i Serisë A, do ta merrni në konsideratë ofertën?
Sigurisht që po. Të gjithë kanë dëshirë të luajnë në Serinë A. Megjithatë, varet se çfarë kushtesh do të më ofrojnë dhe se sa garanci do të kem për të luajtur rregullisht.