E Diel, 1 Nëntor 2026

Virozat e stinës, ja si mund ta mbrosh fëmijën

 

AIDA MALAJ

Ditët e ftohta, shtojnë rastet me virozët e stinës. Janë me qindra viruse që qarkullojnë në ajër, të cilat në kushte të përshtatshme, shumohen dhe bëhen patogjenë për organizmin. Në një intervistë për "Panorama", mjeku pediatër, Arben Kavaja, shpjegon se cilët janë virozët, që "kërcënojnë" më tepër fëmijët gjatë kësaj periudhe dhe si mund të parandalohen dhe trajtohen ato:
Doktor, cilat janë virozat që qarkullojnë në këtë periudhë të vitit?
Virozat që qarkullojnë në ambient janë të shumta. Ndryshimet e kushteve atmosferike krijojnë terren të përshtatshëm, të aktivizohen, të shumohen dhe të bëhen patogjenë për organizimin e njeriut. Fakti që fëmijët kanë sistemit imunitar të dobët i bën të jenë të predispozuar të shfaqin probleme. Por virozat që qarkullojnë më tepër në këtë periudhë të vitit janë virozat e Gripit (Influenza, Flu) e shkaktuar nga virusi i influencës dhe Cold (e shkaktuar nga Rhinoviruset).
Çfarë karakteristike ka virusi i influenzës?
Influenca është një sëmundje që shkaktohet nga viruset, që prekin sistemin e frymëmarrjes (traktin respirator) dhe karakterizohet nga temperatura e lartë, dhimbje koke dhe inflamacione të membranave të mukozës së rrugëve respiratore. Virusi i influencës në krahasim me atë të "Common Cold", është më tepër agresiv si në shfaqjen e shenjave të sëmundjes ashtu dhe në vdekshmëri. Virusi i influencës është izoluar në vitin 1933 dhe para këtij viti ka pasur epidemi të rënda vdekjeprurëse. Njëkohësisht, njihet dhe pandemia nga ky lloj virusi. Virusi i influencës ndahet në tre tipa A, B dhe C. Tipi A dhe B janë pak a shumë të njëjta në veprimet e tyre si shkaktarë të epidemive dhe vdekshmërisë, ndërsa tipi C nuk ka agresivitetin e tipit A dhe B dhe shkakton vetëm endemi sporadike.
Si mund të njihet ky lloj virusi, cilat janë shenjat me të cilat mund të shfaqet?
Shenjat e gripit janë: temperatura e lartë dhe e menjëhershme 39 deri në 40 gradë, të shoqëruar me ethe, dhimbje koke që përhapen në shpinë dhe gjymtyrë, kollë e thatë, që më vonë mund të bëhet me sekrecione. I sëmuri ankon për dhimbje dhe djegie të fytit e gjoksit, por nuk mungojnë as të vjellat dhe diarreja sidomos te fëmijët. Në sëmundjen e gripit fillimisht dhimbja e kokës është dominante dhe shpesh shoqërohet me fotofobi (nuk durojnë dot ndriçimin). Lëkura e fytyrës mund të jetë e nxehtë dhe e skuqur, po kështu fyti është i skuqur dhe konjunktiva e syve mund të jetë e inflamuar (skuqur). Zakonisht këto shenja akute përfundojnë brenda 2-3 ditëve, ndërsa temperatura mund të vazhdojë deri dhe në 5-6 ditë, por jo shumë e lartë. Në shumë raste shenjat mund të zhduken pas 1 javë apo dhe pas 2 javëve, nëse nuk ka komplikacione, ka shfaqje të dobësisë, djersitje, lodhjes së shpejtë. 
Çfarë ndërlikimesh mund të shfaqen dhe si trajtohet ky lloj virusi?
Komplikacioni më i rëndë është pneumonia. Mjekimi i gripit është thjesht për të lehtësuar shenjat e saj, dhe konsiston në uljen e temperaturës duke përdorë paracetamol dhe lëngje. Në mënyrë kategorik ndalohet përdorimi i aspirinës te fëmijët dhe adoleshentët. Dieta duhet të jetë e lehtë e lëngshme dhe e ngrohtë. Ditët që i sëmuri ka temperaturë të lartë, duhet të bëjë pushim shtrati, ndërsa kur temperatura ulet mund të bëjë aktivitete të lehta fizike brenda shtëpisë. Rekomandohet që  aktiviteti i zakonshëm të rifillojë 24 orë pasi është normalizuar temperatura.
Mund të përdoren antibiotikë për trajtimin e këtyre problemeve?
Përdorimi i antibiotikëve në rastet me grip, nuk asnjë lloj efekti. Përdorimi i tyre bëhet vetëm i rekomanduar nga mjeku, kur ai gjykon se kemi shenjat e komplikimit bakterial si: tonsiliti purulente, otite, pneumoni.
Çfarë virusi qarkullon shpesh në këtë periudhë veç influencës?
Një sëmundje tjetër virale që prek sistemin e frymëmarrjes dhe karakterizohet është ai që njihet si "common cold". Kjo shfaqet me kollë në formë të teshtimash apo e thatë, djegie fyti, djegie dhe kruarje të syve si dhe lotim të tyre, rrjedhje të hundëve me sekrecione të ujshme që më vonë trashen, kjo sëmundje shpesh shoqërohet pa temperaturë ose me temperaturë subfebrile deri në 37-37.3ºC.
Si trajtohet kjo sëmundje?
Trajtimi është simptomatik (lehtësimin e shenjave) pra nuk ka një mjekim specifik dhe rekomandohet dhënia e lëngjeve, avuj etj. Nuk është mirë që te fëmijët e vegjël të përdoren medikamente që përmbajnë antihistamikë, pseudoephedrine, etj., që përdoren për ndalimin e sekrecioneve nga hundët. Nëse do përdoren duhet që të përdoren për një kohë mjaft të shkurtër dhe me këshillën dhe kontrollin e mjekut. Po kështu, këto medikamente nuk duhet të përdoren tek të sëmurët me tension të lartë, me sëmundje depresive. Pra, duhet thënë që medikamentet që mund të përdoren për lehtësimin e shenjave të "common cold" duhet të këshillohen vetëm nga mjeku i familjes. Edhe "common cold" mund të japë komplikacione bakteriale, të cilat trajtohen me antibiotike.
Si mund të parandalohen?
Në rastin e gripit, kemi të bëjmë me një sëmundje infektive, që përhapet nga një i sëmurë te tjetri, nëpërmjet spërklave që dalin nga kollitja dhe që merret nga i shëndoshi nëpërmjet ajrit të infektuar. Por tashmë dihet dhe përhapja e sëmundjes nga prekja e sendeve që më parë janë infektuar nga i sëmuri si: dhënia e dorës, prekja e objekteve të ndryshme etj.
Një masë e rëndësishme për t'u mbrojtur nga i sëmuri është dhe higjiena personale dhe sidomos larja e duarve në mënyrë të shpeshtë. I sëmuri në familje është mirë të qëndrojë në një ambient të veçuar pak a shumë dhe është mirë që të përdorë kart-peceta njëpërdorimshme. Enët që ai përdor duhet të lahen dhe të dezinfektohen. Pra, duhet të merren masa të tilla ku gjithmonë të kihet parasysh, që sëmundja e gripit mund të përhapet dhe nga ajri, por dhe nëpërmjet kontaktit me këtë virus.
Në rastet kur nëna që ka fëmijë në gji është e sëmurë me grip, duhet të mbaj një higjienë shumë strikte personale, sidomos në larjen e duarve dhe përdorimin e maskave prej garze në fytyrë(gojë e hundë), sidomos kur i jep gji fëmijës së saj.
Po ashtu një regjim ushqimor i pasur me elemente si kripërat minerale, vitaminat që bëjnë të mundur forcimin e sistemit imunitar.

Këshilla

Fëmijët e sëmurë me grip duhet të bëjnë një kontroll të vazhdueshëm tek mjeku i familjes. Rekomandohet që fëmija të kontrollohet të paktën çdo dy ditë, në mënyrë që mjeku të vlerësojë nëse fëmija ka ose jo ndonjë komplikacion bakterial. Në këto raste, mjeku duhet të vlerësojë nëse duhet përdorimi i antibiotikëve apo jo. Një këshillë tjetër e vlefshme është që gjatë kontrolleve mjekësore të fëmijës me grip, është mirë të mos ndërrohet mjeku. Pra, mjeku që e ka vizituar ditën e parë duhet ta ndjekë deri në shërimin e plotë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›