Vasili: PD-PS, pazar në kurriz të pavarësisë së Prokurorisë
LSI e cilësoi pazar politik mes PS-së e PD-së votimin e djeshëm në Kuvend të Kodit Zgjedhor dhe ligjit për Prokurorinë. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, denoncoi paktin e radhës mes dy partive kryesore dhe pse kreu socialist ishte shprehur se nuk do jepte konsensus për reformën në drejtësi me maxhorancën aktuale. "Pazari ka funksionuar kaq mirë këtë radhë sa që edhe votat për të dy ligjet ishin edhe matematikisht të barabarta, 116, si në asnjë rast tjetër, pra kontrata e pazarit ishte shkëmbim kokë për kokë pa asnjë hezitim", tha Vasili. Sipas tij, LSI denoncon publikisht këtë konsensus të turpshëm të aleancës së qartë PD-PS konsensus, i cili do të ndëshkohet rreptë me votë në qershorin e 2009. "Gjithçka e konsumuar sot në sallën e Parlamentit shton dhe shumëfishon energjitë e LSI-së dhe të të gjithë atyre që e duan realisht vendin për të përmbushur në qershor të 2009 misionin tonë për çlirimin e Shqipërisë nga kjo kastë pazarxhinjsh blu dhe rozë", tha Vasili. Gjatë një konference për shtyp në Selinë e LSI, Sekretari i Përgjithshëm i saj, Petrit Vasili, tha se, "sot u miratua një Kod Zgjedhor kundër standardeve demokratike, pasi të dy partitë e mëdha i tremb keqas vota e lirë". Duke u ndalur te Ligji i Prokurorisë, Vasili shtoi se "ky ligj që u miratua sot, cenon rëndë pavarësinë e sistemit të drejtësisë, synon vënien nën kontroll me qëllimin e vetëm të mos zbardhen aferat korruptive dhe që fajtorët mos të përballen me drejtësinë dhe për këtë ligj, Rama tha se nuk do ta votonte kurrë dhe se do të bëhej vetëm kur të vinte opozita në pushtet". Sipas LSI-së, miratimi i Kodit Zgjedhor pa amendimet e nevojshme do dëmtojë rëndë standardet e zgjedhjeve të ardhshme. "Sot matrapazët e njohur Berisha e Rama bënë shkëmbimin e turpshëm, duke shkëmbyer Kodin Zgjedhor me ligjin për Prokurorinë duke shënuar një tjetër moment të shëmtuar në historinë thellësisht të kompromentuar të këtij Parlamenti. Sot këta pazarxhinj të pacipë miratuan një Kod Zgjedhor kundër standardeve demokratike, sepse i tremb keqas vota e lirë, sepse ajo tregon qartë forcën politike të çdo partie si dhe vlerësimin real që zgjedhësit kanë për ta. Shqiptarët mbajnë mend se Berisha deklaroi se amendimet e LSI për kodin ishin të drejta dhe respekton realitetet politike në vend", tha Vasili.