E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS i jep votën PD-së për Prokurorinë, Blushi abstenon

 

BLEDAR HOTI

Me 116 vota pro, 3 kundër dhe një abstenim Parlamenti votoi dekretin e Presidentit për ligjin e ri zgjedhor. Po me kaq vota ka kaluar edhe ligji tjetër "Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë". Votat e njëjta kanë qenë edhe për kodet e tjera, si Procedurës Civile dhe Kodi i Punës. Socialistët dhe demokratët votuan në unison duke zbatuar me përpikëri paktin arritur mes tyre. Votimi i parë është realizuar për Kodin Zgjedhor, së bashku me dekretin e Presidentit Topi. LSI-ja vendosi që të mos marrë pjesë në këtë votim, ndërsa PDK-ja votoi kundër kësaj nismeje. Edhe kreu i PS '91, Petro Koçi, votoi kundër Kodit Zgjedhor. Ndërsa kreu i PDBNJ-së, Vangjel Dule, abstenoi me votën e tij. Frrok Gjini dhe Ndue Shpani janë dy deputetët demokristianë që votuan kundër Kodit Zgjedhor. Nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi në fjalën e tij përpara votimit të dekretit të Presidentit theksoi se LSI-ja nuk ka të bëjë aspak me këto dy ligje të miratuar. "Janë dy ligje pra, ligji për Prokurorinë dhe ligji për Kodin Zgjedhor, dy ligje që nuk kontribuojnë aspak për forcimin e institucioneve, për forcimin e shtetit, por bëjnë pikërisht të kundërtën dhe ajo që është vërtetë e trishtueshme është se, ndërsa jemi mësuar që ta shohim zotin Berisha dhe maxhorancën në rolin e varrmihësit të institucioneve dhe të antishtetit, risia e fundit dhe tepër trishtuese është që këtij roli po i bashkohet sot, por në fakt i është bashkuar që nga 21 prilli edhe opozita socialiste", deklaroi Xhufi. Për LSI-në, kjo është një fitore e re e Kryeministrit Berisha. "E them me dhimbje, e themi me trishtimin një gjë të tillë, është një fitore, jo vetëm në aspektin cilësor, por edhe sasior, sepse në qoftë se dikur një nga drejtuesit e reformave të krahut të opozitës socialiste u justifikua duke thënë që 'vërtet i dhamë zotit Berisha ndryshimet kushtetuese, por i morëm reformën zgjedhore'. Në fakt nuk i morën as reformën zgjedhore, nuk i morën as këtë kod që do të kalojë sot, sepse edhe ky kod ka vetëm një autorësi dhe ka vetëm një fitues, i cili është zoti Berisha", theksoi Xhufi. LSI-ja nuk mori pjesë në votimin e dy projektligjeve. Ndërsa demokristiani Gjini ka fajësuar PD-në për mosmarrjen në konsideratë të aleatëve të saj për çështjen e reformës zgjedhore.
Blushi abstenon te Prokuroria
Deputeti i PS-së, Ben Blushi ishte i vetmi nga socialistët që doli kundër rrymës konsensuale. Ai abstenoi gjatë votimit për projektligjin e Prokurorisë. Kundër këtij p/ligji votuan dy deputetët Petro Koçi dhe Gilman Bakalli. Pro këtij projektligji votuan 116 deputetë, 4 deputetë abstenuan dhe 2 votuan kundër. Përveç Blushit abstenuan deputetët Vangjel Dule i PBDNJ-së, Ndue Shpani dhe Frrok Gjini. Socialisti Blushi pas votimit nuk ka dhënë shpjegime në lidhje me qëndrimin asnjanës që mbajti gjatë votimit të projektligjit "Për organizmin dhe funksionimin e Prokurorisë". Ndërsa socialisti Erjon Braçe në diskutimin e tij dha shpjegime dhe arsyet që sipas tij kanë detyruar PS-në të bashkojë votat me demokratët për projektligjin e Prokurorisë. "Ligji sjell ndryshime të rëndësishme në ligjin bazë të prokurorisë. Ne i kemi diskutuar gjatë. Procesi për të ka filluar herët, ka filluar që në muajin mars dhe natyrisht i është nënshtruar një diskutimi shumë të gjerë ku janë përfshirë, jo vetëm partitë politike prezente në këtë parlament, që natyrisht kanë pasur interesa për të diskutuar ligjin me projektligjin në fjalë, por janë përfshirë dhe faktorë të interesit, por mbi të gjitha dhe institucione ndërkombëtare që asistojnë qeverinë në procesin ligjbërës", deklaroi Braçe.
Sulmet ndaj Presidentit
Ndërsa PD dhe PS nuk kanë ngurruar të vijojnë sulmet ndaj kreut të shtetit. Shigjetat kundër kreut të shtetit i ka hedhur republikani Arjan Madhi, i cili ka lexuar raportin e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore, të firmosur nga dy bashkëkryetarët Fatmir Xhafaj i PS-së dhe Ilir Rusmali i PD-së. "Në thelb nuk ka asnjë shkelje të afatit kushtetues për mbajtjen e zgjedhjeve sipas këtij Kodi. E gjejmë të pavend dhe të pabazuar si në aspektin kushtetues, edhe në atë ligjor, referencën që Presidenti bën në Kushtetutë në letrën e tij", deklaroi Madhi. Ai theksoi se, "komisioni i posaçëm ka dalë në konkluzionin se shkaku dhe arsyetimi ligjor i presidentit mendojmë se është i gabuar".

Votimi në seancë

• Dekreti i Presidentit dhe "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë"
Votuan pro 116 deputetë, kundër tre (Koçi i PS '91, Shpani dhe Gjini të PDK)
Abstenoi Dule i PBDNJ

• P/ligji "Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë"
Votuan pro 116 deputetë. Abstenuan katër deputetët Blushi i PS-së, Dule i PBDNJ-së, Gjini dhe Shpani i PDK-së.
Votuan kundër Petro Koçi dhe Gilman Bakalli

• "Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë".
U votua me 118 vota pro

• "Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë"
Votuan pro 118 deputetë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›