E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, Berisha takon raportuesit e KE-së



Qeveria do të bashkëpunojë me çdo institucion ndërkombëtar për zbatimin e ligjit të lustracionit, përfshi këtu Këshillin e Evropës dhe Komisionin e Venecias. Këtë qëndrim u shprehu dje Kryeministri i vendit, Sali Berisha, dy raportuesve të Asamblesë Parlamentare të KE-së, z. Jako Laks dhe z. Dejvid Uilshajër gjatë takimit që zhvilloi dje në selinë e qeverisë. Në takim u diskutua për ligjin e lustracionit, ku Kryeministri Berisha u shpreh se në Shqipëri ekziston një konsensus i përgjithshëm për miratimin e një ligji të tillë, shembulli i të cilit është edhe paraqitja e tri drafteve të ndryshme në Kuvend, nga tri forcat e ndryshme politike. Gjatë takimit, Kryeministri kujtoi se gjatë regjimit të kaluar në Shqipëri janë kryer krime kundër njerëzimit dhe gjenocid e megjithatë, synimi i këtij ligji nuk është ndëshkimi penal i atyre që kanë kryer këto krime, por pastrimi i administratës publike nga elementë që për shkak të së shkuarës së tyre kanë mungesë kredibiliteti në ushtrimin e funksioneve të larta zyrtare, si dhe mund të jenë pre e shantazheve të ndryshme. Më tej, Kryeministri Berisha informoi raportuesit e Këshillit të Evropës se në vitin 1995 Shqipëria miratoi një ligj të tillë, i cili ishte një kopje e ligjit çek dhe u quajt kushtetues nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese në vitin 1996. “Ndërsa ligji aktual, - u shpreh Kryeministri Berisha, - është një version më i zbutur në krahasim me ligjin e 1995-s dhe synon kufizimin e përkohshëm të ushtrimit të funksioneve publike, si dhe është në frymë të plotë me të gjitha vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat të Njeriut në lidhje me çështjet e lustracionit”. Berisha i njohu ata me faktin se ligji u miratua në këtë periudhë, sepse për dy vjet me radhë është negociuar me partitë e tjera politike dhe në korrik 2008, kur mazhoranca pranoi amendamentet e paraqitura nga opozita, por që për arsye që nuk kanë të bëjnë me qeverinë, por me kryetarin e opozitës, kjo e fundit refuzoi konsensusin final. Në interesimin e bashkëbiseduesve, Kryeministri Berisha garantoi se respekton shtetin ligjor dhe vendimet e institucioneve shtetërore, duke përfshirë dhe Gjykatën e Lartë. Por Berisha vuri theksin tek nevoja e integriteti të zyrtarëve, duke nënvizuar se konflikti i interesit vjen në kundërshtim me standardet etike të integritetit të zyrtarëve të lartë. Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se kishte kërkuar ndihmën e ekspertëve çekë për zbatimin e këtij ligji, për shkak se ligji aktual është bazuar në modelin e ligjit çek për lustracionin, si dhe shprehu vullnetin e tij për të bashkëpunuar me çdo institucion ndërkombëtar për zbatimin e këtij ligji, duke përfshirë këtu edhe Këshillin e Evropës dhe Komisionin e Venecias.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›