E Diel, 1 Nëntor 2026

Hungaria: Shqipëria, hapa seriozë për afrimin në BE



Hungaria përkrah liberalizimin e vizave në hapësirën Shengen, anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe është e gatshme të japë asistencën e saj pas anëtarësimit në NATO. Kjo është mbështetja që Hungaria i dha kryediplomatit tonë, Lulzim Basha, gjatë vizitës që zhvilloi atje me ftesë të ministres së Punëve të Jashtme të Republikës së Hungarisë, znj. Kinga Goncz. Në qendër të takimit ishin çështjet e bashkëpunimit dypalësh, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, aplikimi për statusin e vendit kandidat në BE, liberalizimi i vizave për shtetasit shqiptarë në hapësirën Shengen dhe zhvillimet në rajonin tonë. Ministri Basha vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike që ekzistojnë midis dy vendeve tona, mbështetjen tepër të çmuar që Hungaria i ka dhënë procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, si vendi i parë që e ratifikoi Protokollin e Anëtarësimit, si dhe procesit të afrimit të mëtejshëm të Shqipërisë në BE. Gjithashtu, ministri Basha, pasi falënderoi palën hungareze për ratifikimin e MSA-së, nënvizoi rëndësinë që merr ndihma dhe përvoja e Hungarisë në drejtim të përparimit të mëtejshëm të Shqipërisë në procesin e integrimit të plotë në BE. Ministrja Goncz, nga ana e saj, evidentoi se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe afrimi i mëtejshëm në BE ka pasur një mbështetje të gjerë nga Hungaria. Ajo shprehu gatishmërinë e vendit të saj për të asistuar Shqipërinë në fazën e pas-anëtarësimit në NATO dhe për hapat e mëtejshëm drejt BE-së. Gjatë takimit ministri Basha bëri një ekspoze të reformave që ka ndërmarrë Shqipëria, duke u ndalur në veçanti tek reforma ekonomike, reforma elektorale dhe ajo e sistemit të drejtësisë. Dy ministrat shprehën vullnetin e qeverive, shqiptare dhe hungareze, për të thelluar dhe më tej bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve. Ministrja Goncz pohoi se me gjithë krizën aktuale ekonomike, ekzistojnë mundësitë që biznesi hungarez të jetë më aktiv në gjetjen e tregjeve të reja, ku Shqipëria, pa dyshim që ofron mundësi të shumta. Ministri Basha e siguroi homologen e tij mbi angazhimin e palës shqiptare për të mbështetur fuqimisht projektet e biznesit hungarez në Shqipëri. Për sa u përket zhvillimeve në rajonin tonë, ministri Basha, pasi falënderoi Hungarinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e vuri theksin tek rëndësia që merr forcimi i perspektivës evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ministrja Goncz rikonfirmoi angazhimin e vendit të saj për integrimin e plotë të rajonit në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

Në përfundim të takimit midis dy ministrave të jashtëm, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës dhe Agjencia Hungareze për Mbrojtjen dhe Nxitjen e Investimeve nënshkruan një memorandum bashkëpunimi, i cili do t’i japë një nxitje të mëtejshme bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve. Gjithashtu, ministri Basha dhe ministrja Goncz dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp. Ministrja Goncz, duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve tona, shprehu bindjen për ecjen më tej të këtyre marrëdhënieve. Ajo tha: “Ne vlerësojmë shumë rolin e Shqipërisë në proceset e stabilizuese në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke qenë njëkohësisht të bindur që ky është një pozicion shumë delikat. Janë bërë hapa shumë seriozë të Shqipërisë për afrimin e saj me Bashkimin Evropian dhe Hungaria mbështet plotësisht Shqipërinë në aplikimin e saj për statusin e vendit kandidat në BE. Theksoj edhe një herë mbështetjen e Hungarisë për Shqipërinë në çuarjen përpara të këtyre proceseve. Gjatë qëndrimit të tij në Budapest, ministri Basha pati një takim edhe me kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, znj. Katalin Szili në qendër të të cilit ishin bashkëpunimi i shkëlqyer politik dhe ekonomik midis dy vendeve.

Shqipëria në NATO, miratohet paketa e aderimit

Pjesa më e madhe e vendeve anëtare të NATO-s kanë ratifikuar protokollin me Shqipërinë dhe pritet që deri në prill, ky proces të plotësohet tërësisht. Ndaj, Këshilli i Ministrave miratoi dje “Paketën për Aderimin e Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut”, që përbën bazën ligjore dhe nënligjore për ta bërë Shqipërinë një vend të përshtatshëm anëtar të NATO-s. Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, Kryeministri Sali Berisha vlerësoi ecurinë e ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga 21 vende anëtare të kësaj aleance. Kreu i qeverisë vuri në dukje se "miratimi i këtij protokolli në një kohë rekord dhe kompletimi në një afat optimal i këtij procesi, do të përcaktojë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO". Duke evidentuar faktin se procesi i ratifikimit nga vendet anëtare të NATO-s të Protokollit të Anëtarësimit për Shqipërinë, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për këto vende dhe shprehu bindjen se procesi i ratifikimit do të përfundojë së shpejti. “Procesi i ratifikimit të protokollit po ecën me shpejtësinë më të madhe të mundshme dhe dua të shpreh një mirënjohje të thellë ndaj të gjitha vendeve anëtare që përparësuan ratifikimin e protokollit në një kohë rekord. Ky proces do të kompletohet në afatin më optimal që do të përcaktojë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”, - u shpreh Kryeministri Berisha.

Qeveria, shtesa për pasaportat diplomatike

Qeveria bëri dje disa shtesa në vendimin për lëshimin e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit. Me propozim të ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave vendosi për pajisjen me pasaportë për jashtë që të shtohet emërtimi: “Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ndihmësinspektor i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive; drejtori i përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse, në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive; drejtor i Marrëdhënieve me Autoritetet Përgjegjëse, me Publikun dhe Administrimin e Deklaratave, në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive; këshilltar për marrëdhëniet me jashtë, në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive; kryetari i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare; kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet”.

Luksemburgu ratifikon Shqipërinë në NATO

Luksemburgu pranon Shqipërinë në NATO. Ashtu siç u deklarua edhe nga zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Luksemburgut, z. Jean Asselborn, gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë, Luksemburgu ratifikoi Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë përshëndet dhe e vlerëson këtë vendim si shprehje e mbështetjes së vazhdueshme të Luksemburgut për proceset e integrimit euroatlantik të Shqipërisë dhe e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreh bindjen dhe ka marrë siguri të plotë se edhe 4 vendet e tjera anëtare të Aleancës që ende nuk e kanë ratifikuar Protokollin e Anëtarësimit, shumë shpejt, në ditët dhe javët e ardhshme, do të përmbyllin të gjitha procedurat e nevojshme, duke i hapur rrugë anëtarësimit të plotë të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, gjatë samitit të fillim-prillit në Strasburg-Kiehl.

Berisha e Basha takojnë ambasadorin e Suedisë

Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Jashtëm, z. Lulzim Basha, pritën dje në

takime të veçanta kortezie ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë z. Anders Bjurner. Ata e njohën ambasadorin Bjurner me hapat që ka ndërmarrë Shqipëria në drejtim të plotësimit të standardeve për procesin e liberalizimit të vizave me BE-në. Berisha dhe Basha informuan ambasadorin mbi ecurinë e procesit të pajisjes së shtetasve shqiptarë me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike si kusht themelor për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në hapësirën Shengen. Situata në Kosovë, si dhe zhvillimet më të fundit në rajon ishin disa nga çështjet që u diskutuan gjatë takimit.

Basha takon ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë

Ministri i Punëve të Jashtme, z.Lulzim Basha, priti dje në një takim kortezie ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë z. Anders Bjurner.

Basha e njohu ambasadorin Bjurner me hapat që ka ndërmarrë Shqipëria në drejtim të plotësimit të standardeve për procesin e liberalizimit të vizave me BE-në. Në këtë kuadër, z. Basha informoi ambasadorin mbi ecurinë e procesit të pajisjes së shtetasve shqiptarë me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike si kusht themelor për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në hapësirën Shengen. Situata ne Kosovë, si dhe zhvillimet më të fundit në rajon ishin disa nga çështjet që u diskutuan gjatë takimit.

NATO, Topalli merr siguri nga Islanda

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mori dje një letër nga Parlamenti i Islandës, lidhur me procesin e ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ku informohet se ky protokoll ka nisur të shqyrtohet. Në këtë letër, Parlamenti i Islandës njofton se rezoluta e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka kaluar në datën 10 shkurt 2009, në leximin e parë në Parlament dhe i është kaluar Komisionit të Jashtëm, përpara së të bëhet leximi i dytë dhe ratifikimi. Pavarësisht zgjedhjeve të reja të prillit në Islandë, në këtë letër theksohet se Parlamenti i Islandës do ta votojë këtë protokoll së shpejti, në mënyrë që ratifikimi të bëhet përpara samitit të përvjetorit të NATO-s në prill. Kjo letër erdhi në vijim të lobimit dhe komunikimit të Kuvendit të Shqipërisë me parlamentet e vendeve anëtare të NATO-s.

Berisha takon fotografin hebre, z. Gershman

Në ekspozitën që ka hapur në Tiranë është përpjekur të dokumentojë shumë familje shqiptare që kanë mbështetur dhe mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar se përmes saj, falënderon të gjithë shqiptarët për këtë ndihmë të çmuar. Kryeministri Berisha priti dje pasdite fotografin e njohur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me origjinë hebre, z. Norman Gershman, i cili ka çelur në Shqipëri ekspozitën e titulluar “Besa, shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, organizuar me mbështetjen e ambasadës amerikane në Tiranë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Kryeministri Berisha i shprehu atij mirënjohjen për këtë nismë shumë të rëndësishme dhe projekt madhor që ndihmon dhe forcon imazhin e Shqipërisë në botë, duke dokumentuar të vërtetën historike të ndihmës së shqiptarëve për hebrenjtë e strehuar në Shqipëri. Kryeministri tha se krahas institucionit të besës, një nga virtytet e mëdha të kombit shqiptar, ka qenë dhe mbetet harmonia ndërfetare dhe ndëretnike që shqiptarët kanë treguar gjithmonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›