KE-ja: Dosjet do t’ia dërgojmë Komisionit të Venecias
Nuk do të jetë Këshilli i Evropës, por Komisioni i Venecias ai që do të vendosë nëse ligji shqiptar i dosjeve është brenda ose jo standardeve evropiane. Këtë konfirmuan dje dy raportuesit e Këshillit të Evropës të ardhur në Tiranë prej dy ditësh dhe ndërmorën takime me përfaqësuesit e shtetit dhe politikës në vend. Raortuesit bënë të ditur se do të përgatitin një raport në lidhje me këtë çështje, por ata do t’i drejtohen Këshillit të Venecias për të dhënë gjykimin e ligjit shqiptar të lustracionit. “Ne kemi idenë t’i drejtohemi Komisionit të Venecias për t’u shprehur për përmbajtjen e ligjit. Duket se duhet riparë ky ligj, pasi është kritikuar jo vetëm nga KE-ja, por dhe nga organizata të tjera ndërkombëtare. Fatkeqësisht, qeveria shqiptare nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojë për rishikimin e tij, por shpresojmë që ajo të ndryshojë mendim. Në fund të marsit do të jetë gati raporti dhe besojmë se do të ketë në të dhe mendimin e Komisionit të Venecias”, - tha reporteri Dejvid Uilshajër. Të dy reporterët përfunduan dje vizitën e tyre në Shqipëri. Ata theksuan se KE-ja nuk është kundër ligjit të dosjeve, por përmbajtja e tij duhet parë me kujdes. “Askush nuk ka sugjeruar që Shqipëria të mos ketë një ligj lustracioni. Kjo u takon shqiptarëve ta përcaktojnë. Ne erdhëm këtu të shohim detajet e ligjit dhe përputhshmërinë e tij me të drejtat e njeriut dhe të vlerësojmë nëse mund të ndryshojmë ndonjë gjë. Kam përshtypjen se ka vend për diskutim”, - tha reporteri tjetër Laks. Ata premtuan se në fund të muajit mars do të publikojnë një raport mbi zhvillimet në Shqipëri që nga ligji i lustracionit e deri tek përgatitja e zgjedhjeve të reja, reformat si dhe situata politike në vend. Këshilli i Evropës nuk do të japë një konkluzion për ligjin e dosjeve, por një gjë të tillë do ta bëjë Komisioni i Venecias i cili shqyrton çështjet ligjore ndërkombëtare. Komisioni i Venecias është një organ këshillues ndërkombëtar për çështjet ligjore dhe konstitucionaliste, i cili do të vlerësojë edhe kushtetutshmërinë e ligjit shqiptar të lustracionit.
Islami: Dosjet, të pazbatueshme
Sipas PS-së, raporti që do të paraqitet nga raportuesit e Këshillit të Evropës, do të jetë shuplaka e radhës ndaj qeverisë. Deputeti socialist, Kastriot Islami,
shprehu dje qëndrimin e partisë së tij në lidhje me ligjin për hapjen e dosjeve, duke e konsideruar një ligj të miratuar vetëm nga mazhoranca, me synimin kryesor paralizimin e sistemit të drejtësisë. “Dihet tanimë qëndrimi i PS-së: Ky ligj është miratuar në mënyrë të njëanshme vetëm nga mazhoranca, shkel Kushtetutën në më shumë se 28 raste, është i pazbatueshëm. Ky ligj ka për synim të dëmtojë apo të paralizojë Gjykatën Kushtetuese dhe sistemin e drejtësisë”, - tha z. Islami. PS-ja ka theksuar se raportuesit e KE-së janë larguar të shqetësuar për ligjin e lustracionit për disa arsye, që kanë të bëjnë me mosmarrjen e një opinioni nga Komisioni i Venecias dhe presionin ndaj Gjykatës Kushtetuese.