Dosjet, Topi: Më lini në heshtjen time
Në njoftimin zyrtar për takimin me dy raportuesit e KE-së, Presidenti Topi nuk përmendi diskutimin për dosjet. Por menjëherë pas këtij takimi në Pallatin e Brigadave, z. Topi vizitoi në spital ish-të burgosurin politik, Mersin Vlashi. I pyetur nga gazetarët për ligjin e dosjeve, kreu i shtetit kërkoi të lihet i qetë në heshtjen e tij. Të njëjtën gjë bëri edhe në rastin e hyrjes në fuqi të ligjit aq shumë të debatuar. Por kreu i shtetit la qartë të kuptohet se pavarësisht kësaj, klasa politike shqiptare ka nevojë të shërohet, duke u shprehur optimist se ajo është duke shkuar drejt standardeve të kërkuara. Ai siguroi dy raportuesit e Këshillit të Evropës se do të bëjë çdo përpjekje që si garant i Kushtetutës, të vërë ekuilibrat politikë në vend.