Të përndjekurit, përfitojnë dëmshpërblim edhe nipërit
Jo vetëm vëllezërit, por edhe nipërit do të jenë përfitues të dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë. Në këtë mënyrë mazhoranca qeverisëse ka zgjeruar rrezen e përfituesve të dëmshpërblimit financiar. PD-ja ka vendosur të ndryshojë disa pika të ligjit aktual. Sipas ndryshimit ligjor, është zgjeruar rrethi i të afërmve që përfitojnë dëmshpërblim. Me ligjin e mëparshëm, të drejtën e përfitimit të dëmshpërblimit e kishin vetëm pasardhësit e drejtpërdrejtë si dhe bashkëshortja. Ndryshimi i ri ligjor përcakton se dëmshpërblimin e një ish-të përndjekuri mund ta përfitojnë edhe nipërit, si dhe vëllezërit apo motrat. Pra, në rast se një i përndjekur ka humbur jetën dhe nuk ka lënë fëmijë, dëmshpërblimin e tij do ta përfitojnë vëllezërit ose nipërit në rast se ka të tillë. Ky ndryshim në Kuvend ka ardhur nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Në relacionin e ligjit argumentohet se rrezja e përfituesve është rritur për shkak se shumë persona kanë humbur jetën ose nga persekutimi i egër nuk kanë lënë pasardhës, por djersën e tij mund ta përfitojnë edhe nipërit dhe vëllezërit. Me këtë ndryshim ligjor, mazhoranca duket se ka kënaqur kërkesën kryesore të ish-të përndjekurve politikë, të cilët i janë drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese të kthejë ligjin. Ish-të përndjekurit kanë kërkuar që të rritet rrezja e përfituesve. “Në kuptim të këtij ligji, me familjarët nënkuptohet, pavarësisht nga rregullime të tjera ligjore, paraardhësit, bashkëshortja, pasardhësit. Në kuptim të këtij neni për persona që kanë familje sipas përcaktimeve të pikës së parë të këtij neni, familjarë do të konsiderohen edhe vëllezërit e motrat e tyre, si dhe fëmijët e këtyre vëllezërve e motrave. Familjarët në shkallën më të parë, sipas Kodit Civil, përjashtojnë familjarët e tjerë”, - thuhet në nismën ligjore të PD-së. Një ndryshim tjetër në këtë nismë ligjore ka të bëjë edhe me dokumentacionin. Me shtimin e përfitimit të trashëgimtarëve, duhet të ribëhen dokumentacionet. Nisma ligjore e PD-së parashikon të zgjatet afati i dorëzimit të dokumenteve, i cili do të jetë data 1 korrik 2009. Pra, deri në datën 1 korrik të këtij viti do të kenë afat të gjithë ish-të përndjekurit të dorëzojnë dokumentet në Ministrinë e Drejtësisë. “Brenda datës 01.07.2009, ish-të dënuarit politikë, drejtpërdrejt apo nëpërmjet kujdestarit ligjor, si dhe familjarët e viktimave të ekzekutuara, që plotësojnë kriteret e neneve 4 e 5 të këtij ligji, paraqesin në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën me shkrim për përfitimin e dëmshpërblimit financiar, për dënimin penal të padrejtë, sipas formularit të paraqitur në aneksin ‘A’, që i bashkëlidhet këtij ligji”, - thuhet në nismën ligjore. Më tej parashikohet që mosparaqitja e kërkesës brenda afatit, pra deri më 1 korrik 2009, sjell humbjen e të drejtës së dëmshpërblimit për ish-të dënuarin politik apo familjarin e viktimës me dënim kapital. Sipas këtij ligji, ish-i dënuari politik i regjimit komunist, kujdestari i tij ligjor apo familjari i viktimës së pushkatuar, nuk mund të rivendosen në afat për paraqitjen e kërkesës, kur ka kaluar mbi 1 vit nga hyrja në fuqi e këtij ligji.