E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosjet, Bumçi: Të tërhiqen ata që kanë konflikt interesi



Demokratët i referohen një rasti të Gjykatës së Apelit në SHBA për të treguar se Gjykata Kushtetuese nuk mund të shqyrtojë ligjin e ri të hapjes së dosjeve. Madje, duke iu referuar rastit amerikan, anëtarët që kanë konflikt interesi duhet të tërhiqen nga institucioni ku bëjnë pjesë. Aldo Bumçi, deputet dhe zëdhënës i grupit parlamentar të PD-së, përmendi para mediave rastin e Gjykatës së Apelit në SHBA, ku për shkak të konfliktit të interesit të gjyqtarëve, u bllokua shqyrtimi i një çështjeje kundër aparteidit. Kjo, për të ilustruar më së miri përmes shembullit amerikan përse Gjykata Kushtetuese nuk duhet të shqyrtojë ligjin e hapjes së dosjeve. Në këtë mënyrë, pas rezolutës së Gjykatës së Strasburgut, Partia Demokratike këtë herë nëpërmjet një shembulli amerikan, publikon një tjetër argument bindës se kushtetuesja shqiptare nuk do të mund të marrë në shqyrtim ligjin e dosjeve. Bumçi pohoi: "Konfliktet e interesit, financiare dhe personale të 4 gjyqtarëve të Gjykatës Supreme e lanë gjykatën pa kuorum dhe të paaftë për të vendosur nëse do të merrnin në shqyrtim një ankesë të depozituar kundër më shumë se 50 kompanive të cilat kane bërë biznes në Afrikën e Jugut në kohën e aparteidit”. “Çfarë thotë ligji për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë? Neni 72, pika 2 e ligjit thotë: Vendimet merren me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve. Kjo është që të respektosh shtetin ligjor brenda kornizave të ligjit", - deklaroi z. Aldo Bumci. Para pak ditësh, PD-ja publikoi faktin se Këshilli i Evropës, ku Shqipëria është anëtare me të drejta të plota, ka miratuar një rezolutë ku detyron zgjidhjen e situatave të tilla. 10 parimet e saj për Shqipërinë janë detyruese. Sipas Bumçit, kjo rezolutë që duhet të zbatojë Shqipëria, parashikon se të gjithë njerëzit e drejtësisë “duhet të jenë figura me integritet dhe të paanshëm, bazuar kjo dhe në rezolutën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës” dhe sipas tij, “gjyqtarët duhet të jenë të paanshëm dhe me integritet edhe në perceptimin publik”. “Sjellja e tyre duhet të jetë konsistente, në përputhje me karakterin moral të lartë që është një kriter për detyrën e gjyqësorit. Gjyqtarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm në çdo kohë për detyrën e tyre, për të mbajtur lart qëndrimin dhe reputacionin e gjykatës. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka miratuar 10 parime bazë mbi të cilat duhet të bazohet sjellja e gjyqtarit, ndër të cilat veçoi parimin e paanshmërisë të gjyqtarëve dhe të integritetit të tyre moral. Pra, jo vetëm të sillen dhe të japin drejtësi, por edhe dukja e sjelljes së tyre duhet të jetë e tillë”. Deputeti i PD-së vuri në dukje se kjo rezolutë vendos theksin në këto ky pika, pra paanshmëria si dhe integriteti i njerëzve të drejtësisë. Sipas Aldo Bumçit, pa këto dy parime dhe elemente, nuk mund të flitet për një drejtësi të pavarur. Ai shtoi se konflikti i interesit mund të ndalet vetëm në rast se kjo rezolutë merret parasysh. Ajo shmang konfliktet e interesit, një tjetër pikë që Bumçi mori parasysh në detyrimin e kësaj rezolute të KE-së për Shqipërinë. Ai tha se si vend anëtar i këtij këshilli, zbatimi i rezolutave të tij, është një detyrim. “Vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë të detyrueshme për t'u zbatuar dhe shtetet anëtare raportojnë rregullisht në KE për zbatimin e tyre”, - shtoi Bumçi. Sipas tij, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut është një nga institucionet më të rëndësishme të kontinentit evropian. Vendimet e saj kanë autoritet mbikombëtar mbi sistemin gjyqësor të vendeve anëtare, për të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›