Kryeministri Berisha, letër urimi për Presidentin e SHBA-së
Kreu i qeverisë shqiptare ka nisur dje një letër në adresën e Shtëpisë së Bardhë për presidentin e sapozgjedhur Barak Obama, duke e uruar për detyrën dhe duke i premtuar miqësi të mëtejshme të popullit shqiptar. Në letrën e tij Berisha shkruan “I nderuar z. President Obama! Është nder dhe kënaqësi e veçantë për mua, që, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, t’ju dërgoj përshëndetjet më miqësore dhe urimet më të përzemërta, me rastin e marrjes, nga ana juaj, të detyrës më të lartë të planetit, atë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vendit të madh të lirisë. Inaugurimi juaj si Presidenti i 44-t i SHBA-së është një ngjarje vërtet epike për kombin dhe vendin tuaj të madh”. Më tej, ai komenton këtë ngjarje duke u shprehur se “Më 20 janar, së bashku me ju, u inaugurua, si Presidenti i SHBA-së, ëndrra amerikane, ndryshimi i madh i vendit tuaj dhe mbarë botës. Prandaj, dhe me këtë rast, në emër të qeverisë shqiptare, ju uroj sukses të plotë në misionin tuaj të madh e historik”. Duke i bërë një rezyme të marrëdhënieve mes dy vendeve, Berisha i flet Obamës për Shqipërinë e shqiptarët dhe lidhjet historike me SHBA-në. “Ne shqiptarët jemi një komb, që në historinë tonë tejet të gjatë të mbijetesës së vështirë, kemi përjetuar vuajtje, copëtime, pushtime, diktatura të egra, që kanë kërcënuar identitetin dhe ekzistencën tonë. Por, sërish ne kemi qenë me fat, se, në çastet më kritike, kemi pasur mbështetjen e vendit dhe kombit tuaj të madh, e cila ka qenë përcaktuese për fatet tona, ndaj për këtë, te ne shqiptarët ekziston një vetëdije e thellë dhe mirënjohje e pakufishme për vendin tuaj. SHBA-ja i ka dhënë Shqipërisë një ndihmë të paçmuar për ndërtimin e demokracisë, bazuar në tregun e lirë, ndërtimin e shtetit ligjor dhe integrimin euroatlantik të saj. Për mua dhe qeverinë time, marrëdhëniet me SHBA-në përbëjnë një përparësi madhore”. Në fund të letrës, kreu i qeverisë i premton mbështetje dhe vazhdim të bashkëpunimit. “Qeveria shqiptare dhe unë personalisht jemi tërësisht të vendosur e të angazhuar dhe presim, me padurim, të bashkëpunojmë ngushtësisht me ju, zoti President, dhe me administratën tuaj, për të forcuar edhe më tej, në të gjitha fushat, marrëdhëniet e shkëlqyera, miqësore e luajale, që lidhin dy vendet tona dhe popujt tanë miq, si në kuadrin dypalësh, edhe në kuadrin shumëpalësh, në veçanti, në kuadër të Aleancës së Traktatit të Atlantikut të Veriut. Shqipëria është dhe mbetet e vendosur të mbështesë SHBA-në, aleatin më të madh e strategjik të kombit shqiptar dhe NATO-n, në të gjitha përpjekjet për paqe e siguri, në rajon e më gjerë”, - përfundon letra e Berishës.