E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, KE: Ligji duhet të ndryshojë

 

BLEDAR HOTI

Këshilli i Evropës do të dërgojë ligjin e Dosjeve në Komisionin e Venecias, përpara se të miratojë raportin përfundimtar mbi monitorimin e kryer në Shqipëri më 31 mars të këtij viti. Ligji i Lustracionit do të përfundojë në dyert e Komisionit të Venecias, i cili nuk mblidhet përpara muajit mars. Cikli i takimeve të dy raporterëve është mbyllur në zyrën e kreu të Shtetit, Bamir Topi. Pas përfundimit të takimeve tre ditore, dy raporterët e Këshillit të Evropës, David Wilshire dhe Jako Laakso kanë shprehur kritika të ashpra ndaj qeverisë në mënyrë e ndjekjes së procesit të hartimit dhe të miratimit të ligjit të Lustracionit. Ndërsa kanë qenë të prerë në qëndrimin e tyre që qeveria të rishikojë ligjin e Dosjeve.
Deklaratat
Kritika e parë e raporterëve ka qenë me mënyrën e përjashtimit të Këshillit të Evropës nga hartimi i këtij ligji, duke mos u konsultuar si herët e shkuara. “Kemi bashkëpunuar me Shqipërinë dhe në kohën më të vështira, por është shumë e habitshme që këtë radhë qeveria e Shqipërisë nuk ishte e gatshme për të bashkëpunuar me konsensus për të riparë Ligjin e Lustrimit me organizma ndërkombëtarë si Këshilli i Evropës. Ndaj mendojmë se nuk është me vend që Këshilli i Evropës të rishohë ligjin. Ne mendojmë t’i kërkojmë një opinion Komisionit të Venecias në lidhje me përmbajtjen e ligjit të Lustrimit”, deklaroi Laakso.
Ndërsa janë përqendruar te fakti se ligji aktual duhet të ndryshojë. “Përmbajtja e ligjit duhet të ndryshojë. Janë kaq shumë organizma ndërkombëtare, jo vetëm KE-ja që kanë qenë kritike me përmbajtjen dhe për fat të keq qeveria e Shqipërisë nuk ka qenë e gatshme për bashkëpunim me ne për ta riparë. Shpresojmë që qeveria të ndryshojë mendim në lidhje me bashkëpunimet e ardhshme me organizatën tonë”, deklaroi Laakso. Ndërsa Wilshire deklaroi se “ne nuk themi të mos ketë ligj, por opinioni ndërkombëtar është i shqetësuar për përmbajtjen e ligjit”. “Ne jemi këtu për të parë detajet e ligjit sa në përputhje janë me të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor. Ne jemi për të parë nëse mund të përmirësojmë diçka dhe në këtë frymë do të diskutojmë sërish”, deklaroi Wilshire. Raporteri nga Britania e Madhe theksoi gjithashtu se për çështjen Biberaj, “mendoj se në lidhje me këtë çështje kjo është prerogative e çdonjërit prej 45 vendeve anëtare e Këshillit të Evropës, me kusht respektimin e rregullave”. “Ndaj s’kam asnjë koment në lidhje me njerëzit që janë zgjedhur, kjo është një çështje që i takon tërësisht shqiptarëve se kë dërgojnë. Ne jemi të interesuar për procedurat dhe ne do të bëjmë një raport kur te kthehemi në Strasburg”, u shpreh Wilshire. Pas mbylljes së takimeve të dy raporterëve mësohet se në fund të marsit do të jetë gati raporti dhe besojmë se do të ketë në të dhe mendimin e Komisionit të Venecias. Ndërsa ende nuk dihet nëse dërgimi i ligjit në Komisioni e Venecias do të bllokojë punën e Gjykatës Kushtetuese, e cila po shqyrton ankimimin e PS-së ndaj këtij ligji.
Reagimi i socialistëve
Pas deklaratave publike të raporterëve të KE-së, Partia Socialiste ka kërkuar menjëherë pezullimin e zbatimit të ligjit “Të Lustracionit”. Deputeti i PS-së, Kastriot Islami, njëherësh edhe anëtar i delegacionit shqiptar të Asamblenë e KE-së, u shpreh se “PSSH kërkon që të pezullohet zbatimi i ligjit, të lihet e qetë që Gjykata Kushtetuese të marrë vendimin për pezullimin e zbatimit dhe më tej të ftohet Komisioni i Venecias për të gjykuar përmbajtjen dhe përputhshmërinë e tij me Kushtetutën e Shqipërisë dhe parimet e KE”. Për qëndrimin kritik të KE-së, Islami deklaroi se “Largohen të shqetësuar si asnjëherë tjetër bashkëraportuesit e KE. Arsyeja bazë është se qeveria Berisha, jo vetëm nuk ishte bashkëpunuese, por fatkeqësisht e vendosur për të vazhduar me kokëfortësi rrugën e saj”.

Topi viziton ish të përndjekurin

Në përfundim të takimit me dy raportertët e Këshillit të Evropës, Presidenti Topi ka vizituar piktorin Mersin Vlashi, ish-i burgosur politik, i cili po kurohet nga mjekët specialistë në Spitalin e Senatoriumit të Tiranës. Vlashi gjatë revoltës së Spaçit më 21 maj 1973, pikturoi flamurin pa yll dhe për këtë u dënua dhe me 25 vite të tjera burgim, mbi ato vite që ishte gjykuar që në moshën 18-vjeçare, me akuzën për agjitacion-propagandë, duke bërë gjithsej 33 vite burg. Duke folur për gazetarët, kreu i shtetit tha se “Ishte një vizitë njerëzore te një njeri i vuajtur, z. Vlashi i cili ka një histori shumë të dhimbshme por do të thosha shumë krenare, një njeri që brenda mureve të burgut, në revoltën e Spaçit ka mbajtur një qëndrim shumë dinjitoz, çka do të thotë që ai e bëri atë burg, e përballoi atë vuajtje për idealet e veta të vërteta, që nuk ishin thjesht individuale, por të shtresës që ai përfaqësonte. Sigurisht që e konsideroj thjesht si një vizitë normale njerëzore”. Ndërkohë ai ka refuzuar të flasë për ligjin e dosjeve, duke konfirmuar heshtjen si në mosfirmosjen e ligjit.

Berisha: Gati të bashkëpunojë me KE dhe Venecian për ‘Dosjet’

Qeveria nuk tërhiqet nga zbatimi i ligjit të Dosjeve, por shprehet e gatshme të bashkëpunojë me Këshillin e Evropës dhe Komisionin e Venecias për zbatimin e tij. Në ditën e fundit të vizitës në Tiranë, dy raporterët e KE-së, Jako Laks dhe Dejvid Uilshajër janë takuar me kryeministrin Berisha, ku në qendër të bisedimeve ka qenë pikërisht ligji i Lustracionit. Sipas njoftimit të zyrës së Këshillit të Ministrave “kryeministri Berisha u shpreh se kishte kërkuar ndihmën e ekspertëve çekë për zbatimin e këtij ligji, për shkak se ligji aktual është bazuar në modelin e ligjit çek për Lustracionin, si dhe shprehu vullnetin e tij për të bashkëpunuar me çdo institucion ndërkombëtar për zbatimin e këtij ligji, duke përfshirë këtu edhe Këshillin e Evropës dhe Komisionin e Venecias”. Gjithashtu bisedave mes raportuesve dhe Kryeministrit Berisha u fokusua edhe te shqyrtimi i këtij ligji nga Gjykata Kushtetuese. Por edhe në këtë rast kreu i qeverisë nuk ka ndryshuar asnjë presje nga qëndrimi i tij i mëparshëm, teksa është shprehur se respekton shtetin ligjor dhe vendimet e institucioneve shtetërore. Por në të njëjtën kohë ai ka vënë theksin tek nevoja e integritetit të zyrtarëve, duke nënvizuar se konflikti i interesit vjen në kundërshtim me standardet etike të integritetit të zyrtarëve të lartë. “Kryeministri kujtoi se gjatë regjimit të kaluar, në Shqipëri janë kryer krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, dhe megjithatë synimi i këtij ligji nuk është ndëshkimi penal i atyre që kanë kryer këto krime, por pastrimi i Administratës Publike nga elementë që për shkak të së shkuarës së tyre kanë mungesë kredibiliteti në ushtrimin e funksioneve të larta zyrtare, si dhe mund të jenë pre’ e shantazheve të ndryshme”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›