E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Shitja e Albtelekom, 10% për kompensim

 

Nga privatizimet e objekteve shtetërore 10 për qind e vlerës do të kalojë si fond për kompensimin e pronarëve dhe dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë. Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë tha se “10 për qind e vlerës së privatizimeve do të përdoren si fond shtesë për kompensimin e pronarëve dhe dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë. “Në të gjitha ndërmarrjet, ku qeveria është pronare, aksionet do të shiten dhe siç është përcaktuar në ligjin e miratuar nga parlamenti, 10 për qind e vlerës nga të gjitha këto privatizime do të kalojë për kompensim të pronarëve dhe dëmshpërblim të të përndjekurve politikë. Kështu që, fondi si i dëmshpërblimit, ashtu edhe i kompensimit, do të kenë rritje të ndjeshme progresive, përveç rritjes direkt edhe nga burime të tjera. Fondet e privatizimit janë fonde shtesë për këtë qëllim”, u shpreh Kryeministri. Ndërsa është bërë e ditur se Kompania Cosmote Mobile Telecommunications SA ka blerë për 48.2 milionë euro 12.6 % të aksioneve që shteti shqiptar ka në kompaninë e telefonisë celulare AMC. Nga ky fond pritet që sipas deklaratës së kryeministrit, 10 për qind e fondit të përdoret për kompensim dhe dëmshpërblimin e ish-pronarëve. Pra 4.8 milionë euro do të shtohen më shumë për ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit. Ndërsa qeveria miratoi dje edhe mënyrën e shitjes së aksioneve të qeverisë që disponon në Albtelekom. Në këtë institucion, qeveria zotëron një paketë aksionesh në masën 16.7683661 për qindësh. Transferimi sipas vendimit të qeverisë do të realizohet mbi bazën e një shoqërie këshilluese ndërkombëtare. “Shpenzimet, në vlerën 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekë, për zhvillimin e  procedurave të përzgjedhjes së konsulentit, për shërbimet, që do të kryejë konsulenti, si dhe për shpenzime të tjera, të nevojshme për realizimin e transferimit të paketës, të mbulohen nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, deri në përfundim të procesit të shitjes”, thuhet në pikën 3 të vendimit. Ndërsa theksohet se shuma e hedhur do t’i rimbursohet Ministrisë së Ekonomisë, pas shitjes së aksioneve që shteti ka në Albtelekom. Ndërsa në relacionin e qeverisë cilësohet si e domosdoshme caktimi i një konsulenti ndërkombëtar, çka do të ndikonte në rritjen e vlerës së aksioneve të shtetit që ka në Albtelekom. Kryeministri e cilësoi të drejtë vendimin për kalimin e aksioneve drejt privatit. “Praktika tregon se është një mendësi tejet e tejkaluar aksionerizmi i qeverisë. Ndaj pas një procesi shumë të suksesshëm me AMC-në, duhet të presim një proces tjetër të suksesshëm me shitjen e aksioneve të qeverisë në Telekom. Privatizimi përbën një nga premtimet madhore të kësaj qeverie, si dhe mbajtja e tij të plotë. Faktikisht, u realizua me sukses privatizimi i Albtelekom, ARMO-s, OSSH-së, është në negocim kontrata për INSIG-un, u shitën aksionet e qeverisë në AMC, do të shiten dhe aksionet e qeverisë në Telekom”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›