Shiten trojet e ndërmarrjeve, paratë u jepen ish-pronarëve
BLEDAR HOTI
Tokat e dhëna në përdorim nga shteti, ose të dhëna me qira do të shiten duke mos ia kthyer pronarit legjitim të tokës. Qeveria ka marrë dje vendimin që “për tokat e dhëna në përdorim, me qira ose në ndonjë formë tjetër, shoqërive tregtare, ku shteti zotëron pjesë të kapitalit ose aksione, për zhvillimin e veprimtarisë së tyre, të nxirret në shitje nga shoqëritë që e disponojnë atë. Qeveria “Berisha”, për herë të dytë ka marrë vendimin për të ndryshuar ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”, duke realizuar shitjen e pronave, edhe pse në të gëzohet e drejta e pronësisë nga subjektet e shpronësuara. Vlera e fondit të shitur, sipas propozimit të qeverisë, do të përdoret për kompensimin financiar të ish-pronarëve. Qeveria propozon që në nenin 8, të shtohet një pikë 2 e veçantë. “Për tokat e dhëna në përdorim, me qira ose në ndonjë formë tjetër, shoqërive tregtare, ku shteti zotëron pjesë të kapitalit ose aksione, për zhvillimin e veprimtarisë së tyre, veprohet, si vijon: a) Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, nga sipërfaqja e tokës së dhënë ka të drejtë t’ia shesë shoqërisë, me çmim tregu, sipërfaqen e domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë, sipas kritereve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa sipërfaqja tjetër, nëse ka të tilla, i kthehet fizikisht subjektit të shpronësuar”, thuhet në amendimin e propozuar. Ndërsa më tej theksohet se “Kur toka e shitur i është njohur subjektit të shpronësuar, të ardhurat nga shitja i kalojnë atij. Kur toka ka qenë dhe është në pronësi të shtetit, të ardhurat nga shitja kalojnë në fondin e kompensimit”. “Nëse shoqëria refuzon blerjen e tokës, brenda afatit të përcaktuar nga DASHPP, toka i kthehet fizikisht pronarit të shpronësuar, kur ka të tillë, dhe marrëdhëniet ndërmjet shoqërisë dhe subjektit rregullohen sipas legjislacionit civil shqiptar”, thuhet në pikën b) të nenit të propozuar. Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave ka të drejtën t’ia shesë shoqërisë me truallin me çmimin e tregut. “Shtesa e propozuar ka për qëllim të kryejë privatizimin e objekteve shtetërore, për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga ana e KKKP-të të shiten me anë të procedurave të ankandit. Kjo gjë po bëhet për të ulur eficencën e këtyre pronave, të cilat nga viti në vit po shkojnë drejt degradimit”, thotë ministri Ruli në relacionin shpjegues. Sipas relacionit, të ardhurat do të sigurohen nga shitja e trojeve do të kalojnë në fondin e kompensimit financiar. Muaj më parë, qeveri mori një vendim të tillë, ndërsa dje këtë ndryshim e sanksionoi dhe në ligjin e “Kthimit dhe kompensimit të pronave”
Institucionet
“Neni 8/2
Për tokat e dhëna në përdorim, me qira ose në ndonjë formë tjetër, shoqërive tregtare, ku shteti zotëron pjesë të kapitalit ose aksione, për zhvillimin e veprimtarisë së tyre, veprohet, si vijon:
a) Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, nga sipërfaqja e tokës së dhënë ka të drejtë t’ia shesë shoqërisë, me çmim tregu, sipërfaqen e domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë, sipas kritereve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa sipërfaqja tjetër, nëse ka të tillë, i kthehet fizikisht subjektit të shpronësuar.
Kur toka e shitur i është njohur subjektit të shpronësuar, të ardhurat nga shitja i kalojnë atij. Kur toka ka qenë dhe është në pronësi të shtetit, të ardhurat nga shitja kalojnë në fondin e kompensimit.
b) Nëse shoqëria refuzon blerjen e tokës, brenda afatit të përcaktuar nga DASHPP, toka i kthehet fizikisht pronarit të shpronësuar, kur ka të tillë, dhe marrëdhëniet ndërmjet shoqërisë dhe subjektit rregullohen sipas legjislacionit civil shqiptar”.
Neni 2
Në fjalinë e dytë të pikës 1, të nenit 23, pas fjalëve “… nga të ardhurat e krijuara nga ky ligj…” shtohen edhe “…të ardhurat e realizuara nga shitja me ankand e pasurive shtetërore, për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga komisionet e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave…”.