E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqi i Koçi Xoxes dhe akuzat e rreme

 

Panajot Plaku

Ai ka qenë dëshmitar i atyre viteve, që sot kanë ngritur shumë pikëpyetje. Qysh në fillimet e lëvizjes komuniste, themelimi i partisë, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, konferenca, çlirimi, kongreset, prapaskenat, eliminimet. Shtëpia botuese “55” sapo ka hedhur në treg librin “Vite që rrëzohen – Dhuna ndaj revolucionit shqiptar”. Një libër që na sjell kujtimet e një prej personazheve më interesantë gjatë historisë së komunizmit në Shqipëri, Panajot Plakut. Ky libër kujtimesh, shkruar gjatë kohës që Plaku jetoi në Jugosllavi dhe botuar edhe në gjuhën serbo-kroate, paraprihet nga parathënia e gazetarit Velimir Popoviq. Këto kujtime janë të vetmet dëshmi që kanë mbetur nga jeta e një personazhi si Plaku, ku rrëfehet marrëdhënia e tij me Enver Hoxhën dhe sistemin totalitar. Si një vëzhgues i hollë, Plaku na sjell gjatë rrëfimeve të tij, ngjarje që aso kohe kanë bërë bujë e që sot kanë nisur të dalin në dritë, por edhe profile udhëheqësish. Një ndër ta është edhe Koçi Xoxe, miku i tij i fëmijërisë, të cilin pati fatin e keq ta shohë në procesin famëkeq, ku u dënua me vdekje. Po sjellim sot pikërisht këtë moment dhe prishjen e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, nën direktivat e Stalinit.
Ditët e tragjedisë së Shqipërisë
....Në mbarë vendin mbretëronte një pasiguri. Edhe në ajër ndihej se ishte duke u përgatitur diçka e madhe. Fill pas kësaj, në fillim të prillit, shkova në Moskë në Akademinë Ushtarake “Voroshillov”, por vazhdova edhe më tutje t’i përcjell në mënyrë intensive ngjarjet, që zhvilloheshin në Shqipëri. Pas një kohe shumë të shkurtër, në Moskë na e dhanë Rezolutën e Pleniumit IX dha në ftuan në një mbledhje, në ambasadë, ku na e  lexuan tekstin e saj. Kur ishim kah fundi i leximit, ambasadori i atëhershëm i Shqipërisë në BRSS, Mihal Prifti, mori nga Tirana një telegram, në të cilin iu kumtua se ajo rezolutë tërhiqet dhe se së shpejti do t’i arrijë tjetra. Në versionin e parë të rezolutës flitej me komplimente shumë të mëdha për marrëdhëniet me Jugosllavinë, si gjithmonë deri në atë kohë, kurse versioni i dytë dukej krejt ndryshe. Në të, jo vetëm që nuk thuhej asnjë fjalë për ndihmën që i kishte dhënë Jugosllavia Shqipërisë, por në një hapësirë mjaft të madhe flitet për konfliktet ndërmjet të dy palëve në aksionin e punës, i cili kishte për qëllim ndërtimin e hidrocentralit të Selitës (i cili furnizon Tiranën me rrymë dhe me ujë), e edhe për disa probleme të tjera të ngjashme. Përafërsisht në atë kohë fillon në Shqipëri ndjekja e ekspertëve dhe e specialistëve jugosllavë. Mirëpo, pikërisht në atë kohë, qeveria e Shqipërisë kërkoi nga Jugosllavia një sasi të konsiderueshme drithi dhe qeveria jugosllave e plotësoi shpejt dhe deri në fund këtë lutje të Shqipërisë dhe ishte aprovuar versioni i dytë i rezolutës së Plenumit IX.
Sulmet kundër Jugosllavisë
Në Plenumin X të PK të Shqipërisë, që u mbajt pas shpalljes së rezolutës së Informbyrosë, Shqipëria e sulmoi në mënyrë të ashpër Jugosllavinë, duke ia ngarkuar fajin për mosrealizimin e programit të porosive të tjera. Në atë kohë u ndërprenë punimet në të gjitha objektet e mëdha, që ishin në ndërtim e sipër dhe u mor vendimi që të pakësohet racioni i bukës dhe i gjërave ushqimore të tjera, që i jepeshin popullit. Tregu filloi të zbrazet. Duke realizuar direktivat e Stalinit, qeveria e Shqipërisë përgatitej për ashpërsimin dhe për ndërprerjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë, kurse populli i Shqipërisë filloi t’i ndjejë mbi kurriz të vet pasojat e kursit të tillë të panatyrshëm dhe të dëmshëm të Enver Hoxhës. Në ato kushte u mbajt Plenumi XI i KQ të PK të Shqipërisë, në të cilin u sulmua Jugosllavia në mënyrë krejt të hapët. Në këtë plenum filloi edhe fushata kundër atyre anëtarëve të udhëheqjes, të cilët angazhoheshin për vazhdimin e marrëdhënieve të afërta me Jugosllavinë. U rehabilitua nako Spiru, Liri Belishova, Kiço Ngjela dhe Mehmet Shehu. Njëkohësisht u dënuan: Koçi Xoxe (i cili u shkarkua nga funksionet e sekretarit organizativ, por mbeti anëtar i Byrosë Politike), e pastaj Pandi Kristo dhe Kristo Themelko (të cilët u përjashtuan nga Byroja Politike, por mbetën anëtarë të Komitetit Qendror), kurse Gjorgji Blushi dhe Nesti Kerenxi (të dy kandidatë për anëtarë të Byrosë Politike) dhe Vasko Koleci, anëtar i KQ, u përjashtuan nga KQ i PK të Shqipërisë. Në këtë Plenum, që u mbajt prej 13 deri më 24 shtator 1948, u vendos që Kongresi i Parë i PK të Shqipërisë të mbahet gjatë nëntorit të atij viti. Pas Plenumit, pa kurrfarë pyetjesh e çfarëdo diskutimi të mëtejshëm, Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Kristo Themelko, Nesti Kerenxi e të tjerët, u shkarkuan prej të gjitha funksioneve partiake e shtetërore dhe u izoluan plotësisht prej punës politike dhe partiake. Masat, që ishin ndërmarrë në Plenumin XI, nuk i mjaftuan Stalinit, kështu që tash, këto masa ishin ndërmarrë në bazë të urdhrit të tij të drejtpërdrejtë se si duhet vepruar me këtë grup udhëheqësish të spikatur. Në tetor të vitit 1948, Ramazan Çitaku që ishte deri atëherë ambasador i RP të Shqipërisë në Jugosllavi, u ftua që të paraqesë para Byrosë Politike raport për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Gjatë bisedës që u zhvillua në Byronë Politike, Ramadan Çitaku foli për përshtypjet që kishte sjellë nga Jugosllavia, duke theksuar se, deri sa ka qenë në Jugosllavi, nuk kishte vërejtur kurrfarë ndryshimesh në anën e Jugosllavisë në pikëpamje të marrëdhënieve dhe të politikës ndaj Shqipërisë.  Mirëpo, Enver Hoxha, i cili kishte pritur që pas aq shumë sulmesh të aparatit propagandistik të Shqipërisë, të BRSS dhe të vendeve të tjera socialiste kundër Jugosllavisë, Ramazan Çitaku ta gërshetonte raportin e vet me “argumente” që t’i arsyetojë këto sulme. E ndërpreu referimin e tij duke i thënë, përveç të tjerash, se duhet ta ketë parasysh faktin se Tito është “tradhtar”. Përkundër këtij digresioni, Ramazan Çitaku vazhdoi të lexojë raportin e vet me mbresat nga Jugosllavia. Enver Hoxha, me ton brutal, e ndërpreu edhe njëherë: “Tito është tradhtar, e unë jam sekretar i partisë tënde”. Ramadan Çitaku (i cili deri në atë kohë ishte anëtar i Byrosë Politike), u përjashtua jo vetëm nga KQ dhe nga PK e Shqipërisë, por u shkarkua edhe prej të gjitha funksioneve shtetërore, gjë që më vonë u verifikua edhe formalisht në Kongresin e Parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë.
Likuidimi i bërthamës revolucionare partiake
Delegat në Kongresin e parë të PK të Shqipërisë u zgjodha në Bashkimin Sovjetik, ku isha në shkollim në Akademinë “Voroshillov”. Kur erdha në Tiranë, familja ime m’u ankua për gjendjen ekonomike tejet të vështirë në vend. Më thanë se kanë pasur mjaft të ardhura, e merrnin tërë rrogën time dhe jetonin bashkë me vëllain tim më të vogël, i cili ishte në atë kohë drejtor i pronave bujqësore shtetërore në Ministrinë e Bujqësisë (në vitin 1956 vëllain tim e helmuan me urdhër të Enver Hoxhës), por megjithëkëtë bënim një jetë të vështirë. Sepse, jo vetëm që çdo gjë ishte e shtrenjtë, por shpesh ishte e pamundshme të gjendeshin gjëra ushqimore më elementare. Më thanë se është thjeshtë e pakuptueshme se si mund të jetojë kështu populli. Ishin ndërprerë punimet jo vetëm në objektet më të mëdha, por edhe në të gjitha objektet e tjera. Përshtypjet e tyre ishin plotësisht të sakta. Në kushte të tilla u mbajt, prej 8 deri në 21 nëntor 1948, Kongresi i Parë i Partisë Komuniste të Shqipërisë. Kongresi u mbajt në sallën e Kuvendit (më vonë Opera e shtetit). Godina ishte dekoruar me flamuj të kuq dhe me portrete të Marksit, të Engelsit, të Leninit, të Stalinit dhe të Enver Hoxhës. Në kryesinë e punës së Kongresit ishte një numër i vogël anëtarësh të deriatëhershëm të Komitetit Qendror. Të gjithë të tjerët ishin pak të njohur ose krejt të panjohur në radhët e natyrave të partisë. Në kongres u dha edhe formalisht pëlqimi për likuidimin e bërthamës proletare të udhëheqjes së partisë. Edhe zyrtarisht u përjashtuan nga Partia: Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Ramazan Çitaku, Nesti Kerenxi, Gjergji Blushi, Vasko Koleci, Nexhmije Dume. U ndërmorën masa drastike ndaj Kristo Themelkos, Bajram Sinoimerit, Pëllumb Dishnicës, Petro Papit, Rahman Përlakut, Iljaz Rekës, Teki Kolanecit, Gjin Markut, Dali Ndreut, Koço Tifkos, Haxhi Kroit etj. Të gjithë këta, deri atëherë anëtarë ose kandidatë për anëtarë të KQ, jo vetëm që nuk u zgjodhën përsëri, por morën dënime partiake dhe u shkarkuan prej funksioneve. Me fjalë të tjera, prej 32 anëtarëve dhe kandidatëve të KQ të mëparshëm, i cili e kishte udhëhequr partinë dhe popullin shqiptar gjatë luftës nacionalçlirimtare dhe revolucionit popullor, si dhe ndërtimin e vendit në periudhën e pasluftës, u likuiduan. Ky likuidim në të vërtetë, ishte përgatitur një kohë shumë të gjatë më parë, pa kurrfarë konsultimi me anëtarët e partisë dhe me udhëheqjet e organizatave partiake. Kongresi i parë i PK të Shqipërisë vendosi të ndërrohet emri i Partisë. PKSH e ndërroi emrin dhe u bë Partia e Punës e Shqipërisë. Propozimin për këtë ndryshim e paraqiti Tuk Jakova, i cili prej Plenumit XI e kryente detyrën e sekretarit organizativ të KQ, në vend të Koçi Xoxes. Kur Tuk Jakova e paraqiti këtë propozim, në sallë u bënë protesta masive. Delegati Ramazan Xhangolli u ngrit dhe u deklarua kundër këtij propozimi. Ai tha se ky emër i ri ia përkujton organizatën “Punë”, e cila si pjellë e Grupit Komunist të Korçës, kishte karakter të organizatës masive të punëtorëve. “Vallë partia jonë komuniste, theksoi Xhangolli, e cila i priu popullit të Shqipërisë në betejat më të rënda dhe realizoi revolucionin popullor, duke hapur rrugë të reja në drejtim të socializmit, a duhet të heqë dorë tash prej emrit të vet të vjetër tradicional, të lavdishëm”. Këto fjalë u përshëndetën me duartrokitje frenetike. Pastaj foli edhe dy herë Tuk Jakova, duke tentuar ta bindte auditorin për nevojën e ndërrimit të emrit të partisë. Kur këto intervenime të tij nuk sollën rezultat, ai tha më në fund: në lidhje me ndërrimin e emrit e Partisë ne kemi diskutuar shumë në Byronë Politike. Mirëpo nuk kemi mundur të marrim kurrfarë vendimi. Kur isha në Moskë, e pyeta shokun Stalin për mendimin e tij në lidhje me këtë problem. Ai jo vetëm që u pajtua me këtë ndërrim, por menjëherë edhe ma uroi emrin e ri të partisë tonë.  Pas këtyre fjalëve të Tuk Jakovës, në sallë mbretëroi qetësia. Kështu lindi emri i ri: Partia e Punës e Shqipërisë.  Gjatë kongresit, në disa raste, Gjin Marku, i cili ishte në atë kohë kryeshef i Drejtorisë Politike të Armatës dhe për të cilin të gjithë ishin të bindur se do të hyjë jo vetëm në Komitetin Qendror të ri, por edhe në Byronë Politike, m’u lut që të diskutoj në Kongres. Unë refuzova kategorikisht. Isha i bindur që kjo ishte iniciativë jo vetëm e tij, por edhe e Byrosë Politike. E dija se qëllimi i tyre ishte që edhe unë të deklarohem kundër Koçi Xoxes, kështu që të zgjidhesha në KQ. Por, nuk pranova ta bëj këtë me motivacion se nuk kam ç’të them. Vetë Gjin Marku, i cili më kishte këshilluar kështu, në diskutimin e vet të mëvonshëm e sulmoi jo vetëm Koçi Xoxen, por edhe udhëheqësit e tjerë, të cilët ishin angazhuar më parë për marrëdhënie të mira me Jugosllavinë. Meqenëse Enver Hoxha dhe të tjerët e vlerësuan këtë si sulm edhe kundër tyre, Gjin Marku u kritikua ashpër dhe jo vetëm që nuk u zgjodh në KQ, por menjëherë u shkarkua nga pozita e vet dhe faktikisht u likuidua politikisht. Kongresi i parë i POEC të Shqipërisë e likuidoi përfundimisht bërthamën revolucionare të udhëheqjes së partisë, e ndërpreu vazhdimësinë e revolucionit popullor në Shqipëri, ia hapi gjerësisht dyert Stalinit për të komanduar Partinë e Punës së Shqipërisë dhe e legalizoi stalinizmin si të vetmen metodë të udhëheqjes së partisë dhe të popullit shqiptar. Si duket aplikimi i metodave staliniste në kushtet e Shqipërisë, tregojnë ngjarjet që u zhvilluan pas Kongresit të parë të PK të Shqipërisë.
Gjykimi i montuar kundër Koçi Xoxes
Për nga natyra e qenies së vet, stalinizmi veproi menjëherë në mënyrë drastike deri në maksimum. U inskenua një nga proceset më monstruoze gjyqësore në historinë e popullit shqiptar: procesi kundër Koçi Xoxes, Pandi Kristos, Nesti Kerenxit, Vasko Kolecit dhe Nuri Hutës. Gjykimi përfundoi me shqiptimin e këtyre dënimeve: Koçi Xoxe u dënua me vdekje-pushkatim, Pandi Kristo, Vasko Koleci dhe Nuri Huta me burg shumëvjeçarë. Nesti Kerenxi u lirua, por u shkarkua prej të gjitha funksioneve shtetërore dhe u përjashtua nga Partia. Me rastin e procesit kundër “grupit të Koçi Xoxes” u përjashtua nga KQ dhe nga partia, ministri i jurisprudencës Manol Konomi dhe Teodor Heba. Të dy i likuiduan politikisht për shkak se nuk pranuan të dënojnë Koçi Xoxen. Anëtari i Byrosë Politike, Bedri Spahiu, i cili ishte emëruar prokuror, pësoi kritikë të ashpër në Byronë Politike për shkak se ishte deklaruar kundër dënimit me vdekje të Koçi Xoxes. Ky proces ishte publik vetëm një ditë. Megjithëkëtë, edhe pas tij shtypi shkroi për të. Mirëpo, këto ishin vetëm informata oficiele. Ç’kishte ndodhur në të vërtetë në sallën e gjykimit, opinioni nuk është informuar. Procesi gjyqësor u përgatit me kujdes disa muaj me radhë. U aplikuan metoda të presionit më brutal, të torturave dhe të mundimeve, me qëllim që të demoralizohen Koçi Xoxe e të tjerët dhe t’i pranojnë akuzat e trilluara. Mirëpo, qysh në ditën e parë të procesit gjyqësor u bë e qartë se Koçi Xoxe dhe të tjerët nuk do ta ulnin kokën. Pikërisht për këtë arsye, salla e gjykimit u mbyll jo vetëm për opinionin publik, por edhe për publikun e seleksionuar. “E ka fjalën Koçi Xoxe”, shpalli me anë të mikrofonit kryesuesi i mbledhjes në Kongresin e Parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Atë paradite të dhimbshme e dramatike diskutuan disa vetë rreth referatit të Enver Hoxhës. Ato ishin diskutime tmerrësisht të mërzitshme: të njëjtat formulime, të njëjtat sulme e sharje. Kur u përmend emri i Koçi Xoxes, në sallë mbretëroi qetësi e madhe. Atë paradite isha i ulur afër tribunës së kryesisë dhe shikoja: i veshur me rrobe të përhimta i afrohet faltores njeriu, të cilin e njoh që nga fëmijëria. Kur e ktheu fytyrën kah auditori, u habita sa shumë ishte dobësuar. Rrobat i rrinin si të ishin të huaja. Nuk e kisha parë prej asaj dite të prillit 1948, kur u ndava prej tij pas drekës në shtëpinë e tij. Vetëm sytë nuk i ishin ndryshuar. Ishin plot shkëlqim, bujari dhe jetë. Filloi kështu:
“Shokë të dashur, po, kam gabuar. Po ç’është tjetër jeta ime, veçse një pjesë e vogël e këtij revolucioni tonë...” Ende nuk kishte përfunduar fjalinë, kur dikush, sipër kokës së tij, filloi t’i bjerë dyshemesë me këmbë. Fill pas kësaj, në disa vende në sallë, u dëgjua e njëjta zhurmë, kurse disa sekonda më vonë, masa e mashtruar e delegatëve krijoi një zhurmë të tmerrshme. Me fishkëllima dhe britma e sulmonte njeriun, i cili e kishte ngërthyer tërë jetën e vet me revolucionin e Shqipërisë. Koçi u përpoq disa herë të flasë me zë më të lartë se sa ishte zhurma në sallë. I afrohej mikrofonit, e ngrinte zërin, por ishte i lodhur. Edhe fjala e tij dikur e fortë si shkëmbi, këtë herë nuk mundi t’i mbizotërojë protestat e inskenuara. Disa delegatë kërkuan që t’i jepet mundësia të flasë. Por, kjo jo vetëm që nuk bëri efekt, por edhe e shtoi më shumë zhurmën e tmerrshme. Rastësisht e pashë Enver Hoxhën si shikonte i vrenjtur, duke i përcjellë fjalët e para të Koçi Xoxes. Pashë se si qeshte me cinizëm kur filloi zhurma në sallë. Në atë çast m’u imponua kujtimi për një përshtypje ende të freskët, për eksplodimin e gëzimit të mijëra të rinjve, ndërtues të hekurudhës së parë në Shqipëri dhe të tërë popullsisë së Durrësit dhe të rrethinës kur Koçi fliste: Shokë, a do të më lejoni t’ju them disa fjalë, apo të zbres edhe unë poshtë, e pastaj të këndojmë bashkë deri në mëngjes. Në përsiatjen intime më habiti pa masë ky kontrast në një distancë të kohës prej vetëm një viti.
vijon nesër...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›