E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dosjet, Kushtetuesja ka konflikt interesi”

19/01/2009  Zëdhënësi i grupit të PD-së, Bumçi

Partia Demokratike përmes zëdhënësit të grupit parlamentar, Aldo Bumçi, ka kërkuar dje që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët preken nga ligji i Pastërtisë së Zyrtarëve, të mos marrin në gjykim këtë ligj, pasi kanë konflikt interesit. Zëri zyrtar i grupit kuvendor, përmes një konference për shtyp ka cituar vendimin e gjykatës së Strasburgut mbi etikën profesionale të gjyqtarëve të miratuar në qershor të 2008-s. “Gjykata e Evropiane e të Drejtave të Njeriut është një nga institucionet më rëndësishme të kontinentit evropian. Vendimet e tij kanë një autoritet mbikombëtar, mbi sistemin gjyqësor. Vendimet e tij janë të detyrueshme për t’u zbatuar dhe vendet anëtare raportojnë rregullisht në Këshillin e Evropës për zbatimin e tyre. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka miratuar 10 parime bazë mbi të cilin duhet të bazohet sjellja e gjyqtarit, si dhe gjyqtarit për gjykatën e Strasburgut. Këto parime janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga sistemet gjyqësore të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës”, nisi shpjegimin e tij Bumçi. Duke përmendur parimet mbi të cilat duhet të gjykojnë dhe marrin vendimet gjyqtarët tanë, ai përmendi parimin e paanshmërisë së gjyqtarëve dhe atë të integritetit moral. “Gjyqtarët do të ushtrojnë funksionet e tyre me paanshmëri dhe të garantojnë aparencën e paanshmërisë. Pra, jo vetëm të sillen dhe të japin drejtësi, por edhe aparenca dhe dukja e sjelljes së tyre duhet të jetë e tillë. Ata duhet të kujdesen për të evituar konfliktin e interesit, si dhe situata që në mënyrë të arsyeshme mund të shikohen sikur japin shkak për konflikt interesi. Lidhur me integritetin, sjellja e gjyqtarëve duhet të jetë konsistente në përputhje me karakterin me moral të lartë që është një kriter për detyrën e gjyqësorit. Ata duhet të jenë të ndërgjegjshëm në çdo kohë për detyrën e tyre për të mbajtur lart reputacionin e gjykatës”, përfundoi Bumçi. Menjëherë me hyrjen në fuqi të ligji “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve dhe të zgjedhurve”, Partia Socialiste deklaroi se do ta ankimonte ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Anëtarët e Kushtetueses janë subjekte që ligji i përfshin në kategoritë e personave që duhet t’u verifikohet pastërtia morale e figurës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›