Hetimi, Rama refuzon Kuvendin
BLEDAR HOTI
Kryetari i Bashkisë, Edi Rama refuzon të paraqesë dokumente dhe të bashkëpunojë me komisionin e posaçëm hetimor me argumentimin se ai bie në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë. Kryetari i komisionit hetimor parlamentar, demokrati Ferdinand Xhaferri ka bërë të ditur refuzimin e Bashkisë për të paraqitur dokumente dhe për t’u paraqitur. “Në adresë të kryetarit të Bashkisë, Edi Rama kemi nisur kërkesën që brenda datës 30 prill 2009 ky institucion të depozitojë pranë Kuvendit praktikat e plota të lejeve të ndërtimit të dhëna nga KRT-ja, në periudhën 1 janar 2007 e në vazhdim. Por, nga ana e Bashkisë sot kemi marrë një përgjigje, të firmosur nga kryebashkiaku Rama, ku thuhet se “Bashkia nuk kthen përgjigje, sepse i është drejtuar tashmë Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar antikushtetutshmërinë e këtij komisioni dhe shfuqizuar vendimin e Kuvendit”, tha Xhaferri. Demokrati e cilësoi si jo të drejtë një qëndrim të tillë nga ana e bashkisë, pasi e drejta e thirrjes në mbledhje është diçka kushtetuese.
“Kjo është një marrëzi ligjore, pasi një individ nuk mund të pengojë vendimin e sovranit. Kjo shpreh panikun, frikën dhe skandalin e kryetarit bashkisë Edi Rama me lejet e ndërtimit. Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të pezullojë veprimtarinë e komisionit hetimor. Neni 23 i Kushtetutës thotë se ‘e drejta e informimit është e garantuar dhe kushdo ka të drejtë të marrë informacion mbi veprimtarinë e organeve shtetërore dhe personave që i drejtojnë ato”, tha Xhaferri. Më pas komisioni ka nisur punën me seancat dëgjimore të drejtoreshës e Agjencisë së Prokurimeve Publike, Klodiana Cankaj dhe anëtarit të KRT-së së Tiranës, Marin Biçokut. Sipas drejtoreshës së Agjencisë, Cankaj, ligji është shkelur në të gjitha lejet e dhëna nga bashkia që prej 2007. “Në dokumente nuk gjejmë sa kopshte, sa çerdhe sa shkolla do të ndërtohen. Ku janë këto? Cilat janë kriteret specifike për çdonjërën prej tyre? Duke mos ditur ku ndodhet objekti nuk mund të përgatitet një projekt. Në këtë rast nuk jemi hasur me një gjë të tillë; do të thotë që firma pjesëmarrëse e ka pasur këtë informacion pavarësisht se nuk është dhënë në dokumentet standarde”, shprehet Cankaj. Ndërsa Marin Biçoku ka deklaruar se “KRT i janë vënë përpara të shqyrtojë dosje pa ligje, pra pa ligjet vendore dhe kjo sigurisht vështirëson punën. KRT nuk i kishte rregullat e lojës sepse bashkia asnjëherë nuk ka dashur t’i hartojë këto rregulla të lojës”. Për sa i takon planit të ndërtimit, Biçoku u shpreh se “nuk ekziston një gjë e tillë, janë vetëm disa harta sa për të hedhur hi syve, sikur ekziston një gjë e tillë”. “Afatet janë shkelur nga Bashkia, na u premtua më pas se nuk u realizua po u shkelën sërish. Bashkia ka mbledhur 10 milionë usd nga taksat e pallateve të reja, nuk dihen se ku kanë shkuar këto lekë, pasi për planin rregullues ka dhënë fonde edhe vetë qeveria shqiptare”, theksoi Biçoku.
Dy letrat ndaj Bashkisë
Komisioni hetimor parlamentar ka dërguar dy letra për të paraqitur drejtorët e bashkisë në seanca dëgjimore. Letra e fundit është paraqitur më 06.05.2009 nga Komisioni Hetimor, për paraqitje në seancë dëgjimore të Drejtorisë së Përgjithshme të Kontrollit të Zhvillimit Urbanistik dhe Territorit, lidhur me praktikat dhe procedurat e lejeve të ndërtimit, të dhëna nga KRRT e Bashkisë së Tiranës.