Prifti: Mashtrimet e Qeverisë, Berisha të japë dorëheqjen
Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, kërkoi dje dorëheqjen e Kryeministrit Sali Berisha, për shkak të mos realizimit të premtimeve të mbajtura. “LSI është e shqetësuar për mënyrën se si është përdorur buxheti 2007. Mosrealizime dhe korrupsion është kryefjala e këtij buxheti. Ne jemi të shqetësuar se në këtë mënyrë po punohet dhe në 2008, dhe kështu do veprohet në 2009 kur jemi në një vit zgjedhor. Qeveria është totalisht e paaftë dhe e pafuqishme të përballojë sfidat që ka Shqipëria për integrimin në BE. Qeveria nuk po merr masa për të evituar efektet negative të kësaj krize mbi shqiptarët dhe për pasojë ne mendojmë se kësaj qeverie i ka ikur koha, i ka dalë boja nga premtimet e pambajtura e mashtrimet, dhe duhet të dorëhiqet”, deklaroi Prifti. Sipas tij, “varfëria ekstreme që ka pllakosur shqiptarët i bëjnë ata që të largohen në mënyrë klandestine nga Shqipëria për të fituar bukën e gojës për vete dhe për fëmijët e tyre”.