Dosjet, PD paralajmëron referendum
Pas rrëzimit të ligjit, selia blu sulmon Kushtetuesen: Janë të implikuar në krimet e komunizmit
Partia Demokratike e konsideroi dje një akt të rëndë në mbështetje të krimeve kundër komunizmit, vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të konsideruar si jo në përputhje me Kushtetutën ligjin e lustracionit. Ishte deputetja e PD-së, Mesila Doda, e cila bëri të ditur nëpërmjet një konference për shtyp, qëndrimin e grupit parlamentar të PD-së në lidhje me këtë çështje dhe theksoi rrugët që u mbeteshin demokratëve për të vënë në jetë edhe projektin e tyre për të dënuar krimet e komunizmit. Sipas Dodës, gjyqtarët e Kushtetueses kanë marrë një vendim të gabuar, falë presionit politik që është ushtuar ndaj tyre. “Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ligjin për pastërtinë e figurave të shtetit shqiptar, kjo edhe falë presionit politik të opozitës dhe personalisht të Edi Ramës ndaj kësaj trupe gjykuese”, theksoi deputetja e PD-së në emër të grupit parlamentar. Përveç faktit se ajo e konsideroi këtë vendimin si në kundërshtim me të drejtën, Doda akuzoi trupën gjyqësore të Kushtetueses si të implikuar drejtpërdrejt në krimet e komunizmit dhe për pasojë në konflikt interesi me ligjin të cilin e rrëzuan. “Gjykatësit që votuan për abrogimin e ligjit janë po ata që kanë marrë vendime për vrasje njerëzish të pafajshëm deri në vitin ‘89, janë po ata mbi të cilët rëndojnë krimet më të rënda kundër njerëzimit”, deklaroi Doda. Por sipas saj, mazhoranca nuk do të dorëzohet pas këtij vendimi dhe do të vendosë së shpejti për rrugën që do të ndjekë për sa i përket për të gjetur mundësinë për të zëvendësuar këtë ligj.
Sipas Dodës, një opsion është paraqitja e një ligji të ri në Parlament, për pastërtinë e figurave të shtetit shqiptar. Po kështu, ajo theksoi se një tjetër alternativë është dërgimi i këtij ligji në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Deputetja Doda mendon se mazhoranca do të shikojë edhe mundësinë e një referendumi për të pyetur vetë qytetarët shqiptarë nëse do të donin funksionimin e një ligji të tillë apo jo. “Ju bëj me dije gjithashtu se së bashku me kolegë të tjerë nuk do të ngurrojmë që të ndërmarrim nismën e një referendumi popullor për këtë çështje madhore, në mënyrë që xhelatët të mos qëndrojnë më në pushtet dhe që Shqipëria të ndahet njëherë e përgjithmonë nga e kaluara e saj komuniste”, deklaroi Doda në fjalën e saj.
Nuk dihet ende se cila do të jetë zgjedhja që do të vendosin demokratët për të vendosur në fuqi, ligjin për lustracionin, por referendumi për shkak të kostove dhe organizimit mund të jetë opsioni i fundit që do të zgjidhet nga ata. Gjykata Kushtetuese pranoi muaj më parë edhe kërkesën e opozitës për të gjykuar mbi kushtetutshmërinë e ligjit të dosjeve, duke qenë se sipas tyre, ai binte në kundërshtim me të drejtat dhe liritë e njeriut. Dy ditë më parë gjyqtarët e Kushtetueses morën vendimin për ta rrëzuar këtë ligj me një shumicë absolute votash.
#