E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregull i ri, pullë akcize edhe për birrën

Importi i maltos do të bëhet me licencë të posaçme për të shmangur evazionin te birra

Importi i maltos që shërben për prodhimin e birrës do të kryhet tani e tutje vetëm nga persona të licencuar për këtë qëllim nga tatimet, ndërsa birra do t’u shtohet mallrave që shiten të shoqëruara me faturë fiskale. Ky është plani i qeverisë për të luftuar evazionin fiskal te birra, një nga produktet që besohet se shitet në masë të konsiderueshme pa paguar taksat. “Subjektet e birrës dhe produkteve të cigareve, duhet të aplikojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për të siguruar autorizimin e importit të maltos dhe letrës së cigares në formë tubi, sipas disa kritereve të përcaktuara, thuhet në programin ekonomik të qeverisë të miratuar javën e kaluar. “Ky amendim është bërë në përgjigje të disa problemeve që janë identifikuar përgjatë zbatimit në praktikë”, thuhet më tej me këtë program.
Nga llogaritjet e ekspertëve, gjatë viteve të shkuara ka rezultuar se importi i maltos së elbit, që shërben si lëndë e parë për birrën, është disa herë më i lartë se sa sasia e birrës së shitur sipas deklarimeve fiskale. Qeveria është vënë në vështirësi financiare gjatë vitit të fundit dhe për këtë qëllim ka vendosur të krijojë një sistem licencash për importuesit e maltos, në mënyrë që të krijojë një rrjet të mbyllur për prodhuesit e birrës në vend. Parlamenti miratoi vitin e kaluar rritje me 50 për qind të akcizës së birrës. Për kompanitë që prodhojnë apo importojnë më pak se 20 mijë hektolitra në vit, akciza u rrit nga 1.14 euro për litër në 1.67 euro për litër. Për kompanitë e mëdha akciza u rrit nga 1.53 në 2.3 euro për litër.
Plani i qeverisë është që të shtojë gjithashtu një pullë fiskale me elemente sigurie për çdo shishe birrë që shitet në treg, por kjo pullë do të vendoset vetëm pasi të zbatohet sistemi i ri koncesionar i akcizës. Tenderi për këtë çështje pritet të zhvillohet sot.
“Sistemi do të sigurojë të dhëna të sakta mbi rregullsinë e pullave fiskale apo shënjuesve fiskalë, vendin dhe origjinën e produktit, si edhe kompaninë prodhuese. Sistemi do të aplikohet edhe për produktin birrë (vendas dhe të importit)”, thuhet në dokumentin e miratuar nga qeveria.Qeveria pranon gjithashtu se sistemi i ri do të ketë kosto shtesë administrative, por thotë se nuk i ka bërë ende llogaritë se sa do të kushtojë.
“Efekti i administrimit do të jetë më i madh për tre vitet në vijim, nisur nga vendimi i qeverisë për të krijuar, përmes koncesionit, një platformë të re sigurie për pullat fiskale, që përfshin prodhimin, importimin dhe kontrollin e mallrave të akcizës që pajisen me pullë fiskale. Për momentin ky efekt nuk është shprehur në terma sasiorë për parashikimin e të ardhurave për 2010-2012”, thuhet në programin ekonomik.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›