"Dosjet", PS: Berisha dhe Topalli po sillen si enveristë
PS-ja, apel mazhorancës të mos e miratojë ngritjen e autoritetit. Socialistët, gati të ofrojnë një draft tjetër
Dy ditë para mbajtjes së seancës plenare, ku dhe është programuar ngritja e Autoritetit të Verifikimit të Figurave, Partia Socialiste i ka bërë dhe një apel të fundit mazhorancës, që të heqë dorë nga zbatimi i ligjit të "dosjeve" dhe t'i rikthehet dialogut për ta përshtatur atë sipas standardeve të kërkuara nga ndërkombëtarët. Në një dalje të posaçme për mediat, Kryetarja e grupit parlamentar e Partisë Socialiste, ka evidentuar rrezikun që i kanoset të ardhmes europiane të vendit tonë, nga kokëfortësia që po tregojnë liderët e së djathtës me ligjin e pastërtisë së figurave. Duke iu referuar pikërisht shqetësimeve që kanë ngritur gjithnjë e më shumë partnerët e rëndësishëm ndërkombëtarë, siç ishte edhe deklarata fundit e Bashkimit Evropian, Leskaj i ka bërë thirrje dyshes Berisha-Topalli, që të mos abuzojnë më me krimet e komunizmit, por t'i kthehen dialogut, qoftë me partnerët e huaj, ashtu edhe me faktorin politik vendas. "Dua t'i bëj edhe njëherë thirrje dyshes Berisha - Topalli, të cilët me ligjin për lustrimin, po e futin vendin në një rrugë pa krye, që të dëgjojnë kritikat dhe kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë, se Shqipëria nuk mund të hyjë në familjen Euroatlantike me mendësitë enveriste të dyshes Berisha - Topalli", - u shpreh Leskaj në deklaratën e vet. Gjithashtu, selia rozë, duke marrë shkas nga letra që Kryeparlamentarja Jozefina Topalli u nisi dy ditë më parë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, nuk ka vonuar që ta cilësojë atë si një presion të hapur kundrejt një institucioni kushtetues, i cili duhet të japë vlerësimin e vet mbi kushtetueshmërinë e ligjit "Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve në administratë". "Berisha - Topalli të respektojë Gjykatën Kushtetuese me atributet që i jep ligji, sepse nuk hyjmë dot në familjen Euroatlantike, duke u sjellë me të si në republikat e bananeve", - tha më tej Leskaj. Në këto kushte, selia rozë e konsideron se qeveria po tenton të shfrytëzojë krimet e komunizmit për mbulimin e skandaleve të qeverisjes së sotme. "PD-ja po abuzon me krimet e së kaluarës komuniste, me qëllimin e vetëm për të mbuluar mëkatet e sotme, çka ka vënë në rrezik serioz hapat integrues të Shqipërisë në strukturat Euroatlantike. Partia Socialiste e konsideron detyrë historike dhe mision kushtetues e kombëtar, të kërkojë ndalimin e metodave dhe mentaliteteve komuniste, që rrezikojnë të ardhmen europiane të Shqipërisë", - tha Leskaj. Në kuadër të këtij angazhimi, PS-ja shprehet e gatshme që t'i paraqesë mazhorancës një variant të ligjit kushtetues dhe që do të ishte i pranueshëm nga të gjitha palët. Megjithatë, lufta e opozitës për këtë çështje nuk mbetet vetëm me kaq, pasi siç bëri të ditur edhe Leskaj, deputetët socialistë do të jenë në sallën e Kuvendit ditën e hënë, për të mos lejuar mazhorancën që të ngrejë autoritetin që do të merret me verifikimin e figurave të zyrtarëve që janë objekt i ligjit.
Gjashtë anëtarët e larguar, kanë akuzuar Cekën se u bashkua me Berishën për interesa personale
Afrimi me PD-në, largohen 6 anëtarët e Asamblesë së PAD-së
Megjithëse nuk ka ende një vendim përfundimtar nga strukturat drejtuese, afrimi i kryealeancistit Neritan Ceka me PD-në dhe deklarimi i tij publik për t'u bërë pjesë e koalicionit të djathtë në zgjedhjet e ardhshme, ka lënë të pakënaqur një pjesë të mirë të drejtuesve të kësaj force. Pakënaqësia ka arritur deri aty, sa gjashtë anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PAD-së, kanë deklaruar dje divorcin përfundimtar me këtë forcë. Bëhet fjalë për Xhevahir Ahmetliun, Zydi Kroin, Aziz Babacin, Xhemal Dautin, Zoi Koten dhe Lulzim Lumin, të cilët që dje kanë zyrtarizuar largimin nga PAD-ja dhe për t'iu bashkangjitur më pas ndonjë force tjetër të spektrit të majtë. Duke deklaruar vendimin e tyre, ata kanë akuzuar kreun e aleancistëve, Neritan Cekën, se u bashkua me Berishën pa marrë më parë mendimin e strukturave drejtuese të partisë. "Dënojnë veprimet e Cekës për vendimin që mori, duke u rreshtuar në koalicion me PD-në, pa marrë mendimin e organeve drejtuese të partisë", - u shpreh ish-anëtari i Asamblesë Kombëtare të PAD-së dhe njëkohësisht ish-drejtuesi degës së kësaj force për njësinë nëntë në Tiranë, Xhevahir Ahmetliu. Madje, në deklaratën e tyre, gjashtë të larguarit kanë akuzuar Cekën edhe se e ka përdorur partinë për interesat e veta. Sipas tyre, edhe hapi më i fundit i Cekës për t'u rreshtuar krah Berishës në zgjedhjet e ardhshme, është fund e krye një vendim për interesa të tij të ngushta për pushtet. "Minimalisht, përpara preferencave vetjake duhet të merren mendimet e organeve drejtuese të partisë. Mesa dimë ne, një vendim i tillë nuk është marrë, janë anashkaluar strukturat partisë. Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, ka parë interesat vetjake dhe jo të partisë që drejton", - u shprehën midis të tjerave gjashtë anëtarët e larguar të PAD-së. Ky përbën një nga eksodet më të mëdha të kësaj force, pasi vetëm pak muaj më parë, prej saj u largua edhe deputeti Piro Lutaj, i cili nuk u pajtua me vendimin e Cekës për të mbështetur interesat e mazhorancës qeverisëse.