E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Bashkimi, jo pazar i kryetarëve

Berati ka qenë ndalesa e radhës e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në kuadër të turit të tij të takimeve me vullnetarët e ndryshimit. Duke bashkëbiseduar me të rinjtë e rrjetit të vullnetarëve, kreu i selisë rozë ka ftuar ata që të bëhen promotorë të atij ndryshimi të madh që, sipas Ramës, do t'i hapë rrugë ëndrrës europiane të marrë peng nga politika e vjetër.


Rama ka bërë të ditur se, vetëm duke larguar politikën e vjetër dhe duke i dhënë jetë politikës së re që përfaqëson PS-ja, do të bëhet e mundur që t'u jepet zgjidhje të gjitha atyre problemeve që kanë shqetësuar shqiptarët gjatë gjithë këtyre viteve. "Problemet e njerëzve qëndrojnë të pazgjidhura, përtej dasive partiake që politika e vjetër i ushqen prej 18 vjetësh, deri në fshatin më të humbur të Shqipërisë, u ka futur grindjet dhe tifozllëkun e verbër partiak, pikërisht sepse është e paaftë t'i zgjidhë problemet, duke i kthyer njerëzit në tifozë, duke i verbuar me dufin e urrejtjes dhe me yshtjen e mllefit, që politika e vjetër ka arritur të realizojë 18 vjet me radhë, devizën "përçaj dhe sundo", - u shpreh Rama në fjalën e vet.

Sipas Ramës, qytetarët e këtij vendi nuk kanë më nevojë për një politikë që t'ju japë arsye për t'u ndarë, por kanë nevojë për një politikë që t'ju japë arsyen për t'u bashkuar dhe për të kthyer faqen e dasisë 18-vjeçare. Dhe për të realizuar këtë, Rama ka bërë të qartë se politika e re është fundi i urrejtjes dhe cinizmit, është rënia e barrikadës së interesave personale, klienteliste, nepotike, partiake, që politikanët kanë ngritur. "Kjo fushatë është mundësia për t'i dhënë jetë politikës së qytetarëve, ky rrjet vullnetarësh është mjeti për të mos e humbur këtë mundësi historike. Unë jam në dispozicionin tuaj dhe të të gjithë atyre që duan një bashkim të ri qytetarësh dhe jo një pazar të vjetër kryetarësh. Unë nuk jam këtu për t'u ngjitur me çdo kusht në qeveri me disa të tjerë dhe për të vazhduar të njëjtin avaz të 18 vjetëve keqqeverisje, për shkak të rregullave të vjetra të lojës, po për t'i ndryshuar bashkë me ju këto rregulla dhe vetë politikën", - u shpreh Rama.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›