E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dosjet”, PS: “Gjykata do të rrëzojë ligjin”

Autori i Lajmit: Red.
Shumica në pushtet po shkon drejt një situate absurdi me këmbënguljen e saj në ligjin për lustracionin, ndërkohë që faktori ndërkombëtar këmbëngul për problemet që bart ky projekt, sipas Partisë Socialiste. Anëtari i komisionit të ligjeve, Besnik Dervishi, thotë se Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë ligjin. “Është kontestuar në mënyrë të vazhdueshme dhe jo vetëm një herë, por gjatë një periudhe të gjatë kohe dhe nga gati të gjithë faktorët ndërkombëtarë. Ajo që mungon është logjika politike e mazhorancës që, me sa duket, nuk arsyeton për këtë problem, por shkon përpara. Nuk do të uroja që ky të ishte një mllef ose më keq akoma për efekte elektorale”, - tha Dervishi. Anëtari i komisionit të ligjeve Besnik Dervishi thotë se Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë ligjin. “Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese unë kam bindjen që ligji nuk do të ketë asnjë vlerë”,- tha Dervishi. Kur Parlamenti ka në kalendarin e tij ngritjen e Autoritetit të Verifikimit të Figurave me deputetë të djathtë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, Dervishi u bën thirrje këtyre të fundit të tregojnë se janë me të vërtetë produkt i shoqërisë. “Shoqëria civile duhet të tregojë identitetin e saj, jo varësinë e saj nga politika, nga cilado forcë qoftë ajo”, - tha Dervishi. Në datën 16 shkurt Parlamenti parashikon të votojë 5 anëtarët e Autoritetit që do të verifikojë pastërtinë e zyrtarëve të sotëm. Meqenëse të majtët nuk do të marrin pjesë në këtë institucion, 2 prej anëtarëve do të zgjidhen nga shoqëria civile.
Ky lajm është publikuar: 11/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›