E Diel, 1 Nëntor 2026

Si bëhet regjistrimi i fëmijës që lind në shtet të huaj

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Lindja e fëmijës në Itali duhet regjistruar në Zyrën e Gjendjes Civile të komunës ose në Drejtorinë Shëndetësore të Spitalit ku lind fëmija. Ky denoncim mund të bëhet nga njëri ose nga të dy prindërit, nga mjeku, nga obstretja ose nga persona që kanë qenë të pranishëm gjatë lindjes, brenda 10 ditëve nga dita e lindjes, pranë Zyrës së Gjendjes Civile të komunës së lindjes ose brenda 3 ditëve pranë Drejtorisë Shëndetësore të Spitalit. Për të bërë regjistrimin mjafton të kesh një dokument identiteti të vlefshëm dhe certifikatën e lindjes, lëshuar nga spitali. Për denoncimin nuk kërkohet pasja e lejes së qëndrimit. Më pas procedura e futjes së fëmijës në lejeqëndrimin e prindërve bëhet duke e regjistruar më parë fëmijën në Gjendjen Civile Shqiptare dhe duke e regjistruar te pasaporta e prindit ose edhe duke e pajisur me një dokument shqiptar të vlefshëm si Certifikatë Nacionaliteti- Dëshmi Nacionaliteti, lëshuar nga Përfaqësia Diplomatike Shqiptare në Itali ose edhe me pasaportë shqiptare personale. Ambasada ose Konsullata Shqiptare përpara se të lëshojë një Dëshmi Nacionaliteti me foto për fëmijën (vlen 6 muaj nga data e lëshimit), përkthen dhe legalizon më parë certifikatën italiane të lindjes së fëmijës duke mundësuar kështu regjistrimin e tij në Zyrat e Gjendjes Civile në Shqipëri. Pas regjistrimit në zyrat e gjendjes civile, prindi duhet të legalizojë certifikatën e regjistrimit të fëmijës aty dhe më pas ta legalizojë në Prefekturën e Qarkut në Shqipëri. Me këtë dokument të legalizuar nga Prefektura e Qarkut mund të riparaqitet përsëri në Itali pranë Përfaqësisë Diplomatike Shqiptare dhe të kërkojë Dëshminë e Nacionalitetit. Hapi i fundit është ai i paraqitjes së procedurës për ndryshim të dhënash pranë Zyrave Postale ku fëmija do të futet në të njëjtin lejeqëndrim me prindin deri në moshën 14 vjeç. Për provincën e Torinos: Në këtë periudhë prindërit që kanë futur dokumentin nëpërmjet Postës për të vendosur fëmijën e lindur në Itali, dhe kanë nevojë të lëvizin së bashku me fëmijën e sapolindur mund të drejtohen në sportelet e kuesturës në Torino në C.so, Verona 4 për të kërkuar një lejeqëndrim provizor që i lejon të lëvizë së bashku me fëmijën. Prindi, pasi pajiset me biletë të kuqe, prezanton në këtë sportel: 4 foto të vetat dhe të fëmijës së posalindur- pasaportë personale dhe dokument identifikimi të fëmijës lëshuar nga konsullata shqiptare - certifikatë lindje me atësi dhe mëmësi të fëmijës - origjinalin plus fotokopjen e ricevutës postale të soggiornos- permeson e tij në origjinal dhe në fotokopje. Adresa është: Anagrafe Centrale di Torino, Servizio di Stato Civile, Via della Consolata 23, tel. 011/4425015, orari; nga e hëna në të premte 8.15-13.00.
Ky lajm është publikuar: 10/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›