E Diel, 1 Nëntor 2026

“Sos, një buzëqeshje”, promovohet në "Një kafe me Zija Çelën"

Autori i Lajmit: red.
Një gjë është e sigurt në ditët tona, që njerëzit buzëqeshin më pak...! - thotë shkrimtari Zija Çela, i cili dje prezantoi për mediat romanin e tij më të fundit, "Sos, një buzëqeshje", në një takim të cilin botuesi i shtëpisë "Ideart", Arjan Leka, e kishte quajtur “Një kafe me Zija Çelën”. Siç u shpreh botuesi Leka, qëllimi i këtij takimi është se “shkrimtari Çela ka përherë diçka për të thënë, përveç asaj që ka shkruar”. Në vlerësimin që Leka bëri për shkrimtarin tha se “për Zija Çelën nuk është e nevojshme të përdoren cilësorët. Me këtë libër ai ka plotësuar dy detyra: së pari, ka luajtur misionin e shkrimtarit, i cili kur ka diçka për të kumtuar nuk mëton ta kumtojë as me forcë e as me shkrim; së dyti, ai ka luajtur funksionin e letrarit, përmes estetikës dhe artit të të shkruarit vendos një kontakt direkt me ata që e lexojnë librin". Përkthyesi dhe studiuesi Erjon Kristo vlerësoi shkrimtarin Zija Çela, duke thënë se “në letërsi ka shkrimtarë themeli, të cilët vendosin normat letrare, ka dhe shkrimtarë të tjerë, që, mbi këto norma, bëjnë variacione. Me këtë libër, si dhe me gjithë krijimtarinë e tij, Zija Çela ka caktuar normat e letërsisë shqiptare”.
Vetë Çela, në një komunikim miqësor me të pranishmit, shpjegoi disa nga sekretet e romanit të tij më të fundit. Ai tha se “ky roman ka mbi 5-6 vjet që është mbjellë tek unë dhe dalngadalë është rritur". Si çdo shkrimtar dhe Zija Çela ka pasiguritë e tij gjatë shkrimit të një romani. "Unë nuk kam frikë nga letra e bardhë, por asnjëherë nuk ulem para saj, nëse nuk e ndiej vërtet që kam diçka për të shkruar", - tha ai. “Vuajtja ime më e madhe është se nuk vuaj kur shkruaj një libër, por vuaj sepse dua që çdo libër të jetë ndryshe nga i mëparshmi",- tha Çela.
Romani i tij më i ri, "Sos, një buzëqeshje", tregon ngjarje të zhvilluara në një qytet imagjinar, të krijuar nga vetë autori. Qyteti i sapodalë nga zjarri quhet Balbonë dhe në të jetojnë personazhe të shumta, të cilat nuk kanë asgjë ndryshe nga njerëzit që takojmë përditë. Çdo lëvizje, çdo detaj në romanin e Zija Çelës është një pasqyrim i jetës sonë të përditshme. Në të autori ka ndërhyrë dhe me elemente historike, duke trajtuar këtu çështje të shumta të aktualitetit tone, si feja, egoizmi njerëzor, etj.
Zija Çela është një nga emrat më të shquar të letërsisë shqipe. Ai ka lindur më 25 mars 1946 në qytetin e Shkodrës. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës për letërsi në vitin 1968. Ai ia kushtoi jetën e vet arsimit dhe letërsisë. Zija Çela është autor i disa veprave, si: “Buletini i borës”, “Eklips...”, “Mali i tejdukshëm”, “Shtëpia e lepujve”, “Gjaku i dallëndyshes”, “Gjysma e Xhokondës”, “Monedha e dashurisë”, “Banketi i hijeve”, “Një fjalë me lejen e Zotit”, “Lëngata e Hënës”, “Oborri i një tirani të fshehtë”, “Gjaku im i errët”, “Las Varrezas”, “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes...”.
Ky lajm është publikuar: 10/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›