E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli fton KE-në të monitorojë “dosjet” dhe zgjedhjet

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Kryetarja e Kuvendit ftoi, përmes raporterëve, Këshillin e Evropës të monitorojë nga afër zbatimin e ligjit të lustracionit dhe procesin zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare. Rekomandimet e reporterëve do të bëhen publike në një deklaratë pas përfundimit të vizitës së tyre në Shqipëri. Me dyer të mbyllura dhe pa praninë e medias, dy reporterët e Këshillit të Evropës, David Uilshire dhe Jako Lakso, kanë biseduar sot paradite me kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli. Dy reporterët nuk kanë thënë asgjë për median, duke u rezervuar për të dhënë rekomandimet e tyre në një deklaratë për median pas përfundimit të vizitës, ndërsa zyra e medias e Parlamentit njofton se në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit politike, veprimtarinë e Kuvendit, zgjedhjet e ardhshme dhe ligjin e lustracionit.
Dosjet
"Kryetarja e Kuvendit bëri një paraqitje të gjithë procesit parlamentar, të diskutimit dhe miratimit, të ligjit të lustracionit“- shkruhet në deklaratën për shtyp të Parlamentit. Parlamenti njoftoi se kryetarja Jozefina Topalli theksoi për reporterët se, pavarësisht nga historia e egër e krimeve të komunizmit në Shqipëri, ligji është një variant edhe më i butë se në vendet anëtare të BE-së. “Ky është një ligj i domosdoshëm, për t u ndarë nga e kaluara dhe për të parë me besim nga e ardhmja”, - theksoi Jozefina Topalli. Më tej mësohet se Kryetarja e Kuvendit ka garantuar reporterët se zbatimi i ligjit do të jetë transparent dhe në përmbushje të standardeve. Gjatë takimit është disktuar edhe për përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të zhvillohen në qershor 2008. Mësohet se Kryetarja e Kuvendit ka bërë një ekspoze mbi përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, mbi bazën ligjore dhe infrastrukturore të tyre dhe ka vlerësuar frymën e konsensusit politik për miratimin e kodit elektoral dhe për zgjedhjen e organeve që do të administrojnë zgjedhjet.
Zgjedhjet
“Kryetarja e Kuvendit ftoi anëtarët e Asamblesë Parlamentare të KE-së për të monitoruar nga afër këtë proces zgjedhor dhe shprehu vullnetin e plotë se prioritet mbi të gjitha prioritetet mbetet realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, - thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga Parlamenti. Reporterët Jako Lakson dhe David Uilshire ndodhen që prej ditës së djeshme në Tiranë. Mbrëmë ata zhvilluan një takim me deputetin e PD-së, Aleksandër Biberaj. Vetëm 2 javë më parë Biberaj u shkarkua me urdhër të Topallit, nga posti i kryetarit të delegacionit shqiptar në Asamblenë e Përgjithshme të KE-së. Dy reporterët kanë zhvilluar takime edhe me ambasadorin amerikan, atë britanik dhe ambasadoren çeke. Këto delegacione janë shprehur hapur kundër ligjit të dosjeve. Burime nga këto ambasada bëjnë të ditur se në këto takime është kërkuar që ligji të mos zbatohet derisa Gjykata Kushtetuese të shprehet. Gjithashtu, reporterët e KE-së, Jako Lakson dhe David Uilshire, janë takuar edhe me Kryetarin e PS-së, Edi Rama. Lideri i opozitës denoncoi te reporterët e KE-së përpjekjen e Berishës, se me anë të ligjit të dosjeve po kërkon të bllokojë institucionet e drejtësisë dhe kërkoi që qeveria të tërhiqet nga ligji aktual. Gjithashtu, burime nga PS bëjnë të ditur se Rama ka informuar reporterët e KE-së dhe për vonesën në pajisjen e qytetarëve me karta identiteti si dhe shkeljen, sipas socialistëve, të afateve për publikimin e regjistrit civil dhe listave paraprake, të cilat do të ndikojnë në një proces zgjedhor demokratik dhe të standardizuar.
Ky lajm është publikuar: 11/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›