E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viza angleze për bizneset, ja kushtet

Autori i Lajmit: Red.
Ambasada britanike do të japë viza për bizneset shqiptare, por me kusht që të deklarohet qartë arsyeja e vizitës në Angli. Kështu u shpreh dje, ambasadori britanik në Shqipëri, Fraser Uillson, gjatë një takimi me biznesmenë, të organizuar nga Dhoma Britanike e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë. “E di që shumë prej jush mund të jenë të zhgënjyer për problemin e mosdisponimit të vizave, pranoi ambasadori duke sqaruar më tej se “qëllimi i sistemit të vizave nuk është që të bllokojë fluksin e njerëzve që duan të shkojnë në Britani, por ideja është që t i pajisë këta njerëz me mundësitë për të shkuar atje për atë motiv që po shkojnë dhe jo për të tjerë. Pra ajo çka konsiderohet si më e nevojshme, është të tregoni arsyen e vërtetë të vizitës suaj në Britani, dhe jo të gënjeni, duke thënë atë që ju mendoni se mund të vlejë për të marrë vizën”, - theksoi Uillson.
Dokumentet
Më tej ai sqaroi se sistemi i rregullave që duhet ndjekur për pajisjen me viza tashmë është bërë i qartë. Gjëja më e rëndësishme është paraqitja e të gjitha dokumenteve që i kërkohen aplikuesit, si dhe prova të tjera që ndihmojnë në procesin e aplikimit. Procedura që duhet ndjekur është e shpjeguar edhe në faqen e internetit të ambasadës britanike në Tiranë. “Shprehem i sigurt se të gjithë biznesemenët që duan të shkojnë në mënyrë të ligjshme në Britani, do ta marrin këtë vizë dhe, nëse hasin probleme, mund të kontaktojnë drejtpërdrejt me mua”, - shprehu gatishmërinë ambasadori Uillson.
Pronat
Çështja e pronave ishte një tjetër pikë e rëndësishme së cilës ambasadori britanik iu referua veçanërisht. Sipas tij, konflikti i pronave po mban peng zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Investitorët e huaj i tremben blerjes së pronave në Shqipëri për shkak të mungesës së tapive. Ambasadori britanik në Shqipëri, Fraser Uillson, pohoi se investitorët britanikë janë të gatshëm të investojnë në sektorin e industrisë së turizmit, të blejnë territore, por këtë duan ta bëjnë vetëm me tituj të qartë dhe të ligjshëm të pronësisë. “Problem në Shqipëri janë çështjet e pronësisë, pasi këtu nuk dihet kujt i përket prona dhe investitorët hezitojë të investojnë. Kur je një investues dhe do të investosh në një fabrikë apo në një hotel, nuk besoj se do të investosh në një terren, i cili nuk e di se kujt i përket. Kjo gjë po ndodh sot në Shqipëri, ”theksoi ambasadori Uillson në fjalën e tij.
Pengesat
Ai theksoi se investimet e huaja direkte janë akoma në një përqindje shumë të vogël në Shqipëri. “Motivet janë ato që ju i dini. Shqipëria është akoma një treg shumë i vogël dhe për këtë arsye për shumë kompani nuk ka interes për të investuar në Shqipëri, nëse nuk shihet edhe aspekti rajonal, i cili duhet parë në vitet që do të vijnë”,- theksoi ai më tej.
Sistemi gjyqësor
Ndër të tjera, Uillson rreshtoi si tepër problematik edhe sistemin gjyqësor në Shqipëri. ”Duhet të kuptojmë, - tha ai,- se problemi shtrihet në sistemin ligjor në tërësi dhe jo në sipërfaqe”.
Kriza ekonomike
Ndërsa për sa i përket përfshirjes së Shqipërisë në krizën ekonomike globale ai nuk e mohoi këtë të vërtetë. Ambasadori britanik, Uillson, ishte i mendimit se ”deri në këto momente, Shqipëria nuk është goditur edhe aq nga kriza ekonomike botërore, por unë personalisht mendoj se kjo gjë do të ndodhë. Megjithatë, mendoj se jeni të mbrojtur disi nga kjo goditje që mund të merrni nga kriza botërore financiare”.
Problemet
Në vijim të fjalës së tij për mënyrën se si e shihte ekonominë shqiptare momentalisht, ambasadori britanik Fraser Uillson tha se Shqipëria ka qenë në një proces ndryshimesh si ekonomike ashtu dhe politike. “Sektori i biznesit nuk ka akoma thellësinë e duhur në Shqipëri, kjo pasi sektori i prodhimit nuk është i zhvilluar ashtu siç duhet. Sektori i shërbimit mund të konsiderohet i zhvilluar gjithashtu, por ka akoma për të arritur. Shikoj se ka shumë mundësi për rritje dhe shpresoj që këto rritje t i shohim në vitet që do të vijnë. Theksi këto kohët e fundit ka rënë në ndërtim dhe në shitjen me pakicë, por që nuk është një tipar i zhvillimit afatgjatë”,- argumentoi Uillson.
Infrastruktura dhe turizmi
Infrastruktura dhe turizmi në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë ishin një tjetër çështje tek e cila u ndal ambasadori Uillson. “Me siguri e dini që ka një interesim nga investues britanikë për sa i përket ngritjes së një depozite në Vlorë, apo për ndërtimin e disa hoteleve në zona të ndryshme turistike të Shqipërisë. Kjo përfaqëson një ndryshim të madh, një pikë kthimi, pasi deri më dje nuk ishte shfaqur ndonjë interes i investitorëve britanikë për Shqipërinë”, - tha ai.
Mbështetja
Lidhur me atë çka mund të bëjë ambasada britanike për bizneset, Uillson rikujtoi se “qëllimi i prezencës së ambasadës në një shtet është që të ndihmojë investuesit britanikë të prodhojnë dhe të shesin në vendet respektive. Nuk është në interesin e ambasadës që të ndihmojë ndërmarrje të huaja që të shesin në Britaninë e Madhe, megjithëse është në interesin e ambasadës që të ndihmojë këto ndërmarrje që të investojnë në Britaninë e Madhe”. Me keqardhje Uillson pranoi se në ambasadën britanike nuk ka një seksion tregtar. Ky i fundit me vendim nga qeveria britanike u mbyll para disa ditësh, sepse vëmendja u tërhoq tek ato tregje të cilat kanë potencial dhe shikohen si tregje të mëdha dhe ku prezenca e kompanive britanike është domethënëse. “Ndaj kapacitetet tona për të ndihmuar investuesit britanikë janë të kufizuara, megjithatë ne i ndihmojnë sa herë që kemi mundësi dhe unë jam duke u takuar me investitorë britanikë që janë të interesuar për Shqipërinë”, - përfundoi fjalën e tij ambasadori britanik në Shqipëri, Fraser Uillson.

Si të aplikoni për vizë britanike
Agjencia e Kufirit e Mbretërisë së Bashkuar dhe ambasada britanike në Tiranë punojnë në bashkëpunim me një organizatë tregtare, Worldbridge. Ju mund të gjeni informacionin e duhur nëse keni nevojë për vizë apo sesi mund të aplikoni për vizë nëpërmjet faqes së internetit të Worldbridge www.visainfoservices.com. Gjithashtu Worldbridge ofron informacion nëpërmjet email-it dhe shërbimit telefonik ne numrin +45 77 34 86 51 me nje kosto prej US$ 14. I gjithë informacioni është ofruar dhe aprovuar nga Agjencia e Kufirit e Mbretërisë së Bashkuar. Ambasada britanike në Tiranë e ka të pamundur t u ofrojë telefonuesve informacion mbi vizat. Mund të kontaktoni Ëorldbridge siç është përshkruar më lart. Informacioni që merret nëpërmjet email-i dhe faqes së internetit është pa pagesë, por për shërbimin telefonik duhet paguar një tarifë e caktuar. Worldbridge dhe stafi i tyre nuk mund të ofrojnë këshilla mbi plotësimin e formularit apo mbi kategorinë e vizës që duhet të kërkoni. Nëse kërkoni ndihmë për aplikimin tuaj apo këshilla rreth rregullave dhe kërkesave të emigracionit, ju duhet të kërkoni asistencë nga një konsulent i kualifikuar i emigracionit. Në Mbretërinë e Bashkuar, këta konsulentë emigracioni janë të miratuar nga Zyra e Komisionerit të Shërbimeve të Emigracionit (OISC –http://www.oisc.gov.uk) ose janë profesionistë të kualifikuar të miratuar nga autoritete të përcaktuara profesionale.
Adresat e faqeve të tyre të internetit janë :
Shoqata e Juristëve të Anglisë dhe Uellsit http://www.lawsociety.org.uk
Shoqata e Juristëve të Skocisë http://www.lawscot.org.uk/
Shoqata e Juristëve të Irlandës së Veriut http://www.lawsoc-ni.org/
Instituti i Drejtuesve Ligjorë http://www.ilex.org.uk/
Si të plotësoj formularin ?
Formulari
Ju duhet të plotësoni formularin nëpërmjet shërbimit tonë online www.visa4uk.fco.gov.uk ta dërgoni atë në mënyrë elektronike në Zyrën e Vizave të ambasadës britanike, Tiranë. Pas dërgimit të formularit në mënyrë elektronike, juve do t ju ofrohet një numër i veçantë reference dhe do t ju jepen udhëzime mbi veprimet që duhet të ndërmerrni më tej. Lexojini këto udhëzime me kujdes. Rëndësi të veçantë ka informacioni mbi caktimin e datës së dorëzimit të dokumenteve.
Kush e vendos nëse përfitoj vizën
Aplikimi juaj për vizë do të përpunohet dhe vendimi do të merret nga personeli i Agjencisë së Kufirit të Mbretërisë së Bashkuar. Asnjë nga anëtarët e personelit të Worldbridge nuk mund të luajë rol apo të ndikojë në rezultatin e aplikimit. Nëse ndonjë anëtar i personelit të Worldbridge pretendon se është në gjëndje të ndikojë mbi aplikimin tuaj, ju duhet të informoni menjëherë ambasadën britanike në Tiranë.
Standardet e shërbimit
Agjencia e Kufirit e Mbretërisë së Bashkuar synon t u ofrojë klientëve të saj një shërbim të ndershëm dhe profesional. Ne mirëpresim sugjerime që na ndihmojnë të përqëndrohemi në ato pika ku kemi nevojë për përmirësim. Nëse keni komente, apo jeni të shqetësuar për standardet e shërbimit që ju ofrohet, ju lutemi na informoni. Ne i hetojmë gjërësisht të gjitha ankesat dhe ju dërgojmë përgjigje brenda 20 ditëve pune. Nëse dëshironi të ankoheni mbi shërbimin e ofruar nga personeli i Agjensisë së Kufirit të MB në ambasadën britanike në Tiranë, ju lutemi dërgojeni ankesën tuaj tek menaxheri i Zyrës së Vizave në adresën: Rruga ”Skënderbej” Nr 12, Tiranë, Shqipëri. Nëse dëshironi të ankoheni mbi shërbimin e ofruar nga Worldbridge, ju duhet ta dërgoni atë në adresën e tyre të internetit, ta dorëzoni personalisht, ose duhet t ia paraqitni me shkrim menaxherit të Zyrës së Vizave në ambasadën britanike.
Ky lajm është publikuar: 11/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›