Dosjet, Paloka: Ligji tjetër, sa për të thënë
Mazhoranca qeverisëse u kritikua nga të vetët dhe ish-të përndjekurit politikë se përgatiti një ligj të butë për hapjen e dosjeve. Por kontestimet e opozitës dhe pezullimi që Gjykata Kushtetuese i bëri lustracionit, do të detyrojë të djathtën në pushtet që ta zbusë sërish ligjin tjetër. Deputeti i PD-së, Edi Paloka, i cili edhe në sallën e Parlamentit kundërshtoi butësinë e ligjit, nisur nga fakti se përjashtonte kategori të caktuara nga hapja e dosjeve, thotë për “standard” se ligji tjetër do të jetë sa për të thënë. Sipas z. Paloka, kritikat për shkelje të të drejtave të njeriut, kushtëzojnë sërish ligjin e ri, çka do të thotë se do të përgatitet një ligj edhe më i butë se ai që rrëzoi Kushtetuesja. Deputeti i PD-së akuzon PS-në për mbështetjen politike që i bëri kësaj gjykate, si më e interesuara për moshapjen e dosjeve për shkak të lidhjeve gjenetike me PPSH-në dhe Sigurimin e shtetit. Por Paloka paralajmëron se në momentin e duhur, institucioni i Kushtetueses do të ribëhet për shkak të konfliktit të hapur të anëtarëve. Paloka bën të ditur se ligji i ri i dosjeve nuk do të mund të bëhet gati para zgjedhjeve të 28 qershorit dhe nuk fsheh frikën se në Kuvendin e ri sërish mund të depërtojnë ish-sigurimsa të Shtetit
Bisedoi: Valentina Madani
Z. Paloka, si e konsideroni vendimin e Kushtetueses për pezullimin e lustracionit? Ishte një vendim i pritshëm për PD-në, nisur nga fakti se ajo kishte paralajmëruar me kohë përplasjen e konfliktit të interesit?
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese besoj se ishte një vendim i pritshëm. Dihej që në momentin që aty do të votonin njerëz, të cilët prekeshin direkt nga ligji i hapjes së dosjeve. Rasti konkret është Fehmi Abdiu apo të tjerët, të cilët jo vetëm kanë marrë pjesë në gjyqe politike, por dhe kanë dhënë dënime që edhe për atë kohë ishin tepër të rënda dhe absurde. Absurdi arriti deri edhe në dënimin e poetëve me varje. Nisur nga ky fakt, ne si mazhorancë kërkuam që të zbatohej një parim që është themelor në drejtësi, ai i përplasjes së interesave. Kjo trupë gjyqtarësh nuk mund të gjykonte, pasi ishte në konflikt të hapur. Megjithatë, ne ishim të vetëdijshëm për një përfundim të tillë, pasi ata gjyqtarë nuk mund të dënonin vetveten.
Duket se Kushtetuesja kishte një mbështetje jo vetëm nga PS-ja, por edhe më gjerë...
Mbështetjen politike e kishin nga e majta, pasi në rast se PS-ja do të binte dakord me këtë ligj sigurisht që ligji nuk do të përfundonte në këtë mënyrë. Pra, mund të mos shkonte në Gjykatën Kushtetuese. Pati një grupim njerëzish që ishin në konflikt interesi politik dhe konflikt interesi direkt siç ishin gjyqtarët.
Por çfarë rrugësh do të ndjekë mazhoranca në një rast të tillë?
Ne do të vazhdojmë të këmbëngulim në miratimin e këtij ligji. Mbase do të bëhen disa ndryshime edhe nga ato që kanë rekomanduar ndërkombëtarët, por përsëri do ta kalojmë në Parlament. Urojmë që këtë herë PS-ja e cila nuk do të ketë më ato argumente sa për sy e faqe, të bjerë dakord për miratimin e ligjit. Megjithatë, unë prapë dyshoj se çfarëdo ligji që do të bëhet për dosjet, socialistët do të jenë kundër.
Synohet bllokimi i hapjes së dosjeve para zgjedhjeve të 28 qershorit?
Do të jetë e vështirë që ky ligj të kalojë përpara zgjedhjeve parlamentare. Nuk besoj se çështja është thjesht tek disa emra që digjeshin nga ky ligj. Kam parasysh pjesën politike këtu, pasi nuk mendoj se ishte thjesht problemi i disa njerëzve që nuk do të mund të kandidonin më për deputet. Më tepër ishte një çështje politike e PS-së, e cila mua më duket si slogan bajat tani. Baza e saj është e lidhur pikërisht tek ish-regjimi komunist, tek Sigurimi i Shtetit. Pra politikisht PS-ja nuk do të mund ta miratojë një ligj të tillë. Është e pamundur çfarëdolloj ligji që ne t’u paraqesim atyre, PS-ja do të jetë kundër. Në rast të kundërt do t’u duhej të hiqnin dorë nga një pjesë jo e vogël e bazës së tyre, e cila i ka shërbyer në atë kohë regjimit komunist, diku me vullnet dhe vetëdije të plotë, diku mbase pa dashje, por fatkeqësisht ajo parti, pavarësisht se Edi Rama vazhdon të flasë për politikë të re, vazhdon të mbetet Partia e Punës. Kjo ndonëse e rinovuar deri në nivel nipërish, por po t’i shohësh edhe ajo pjesë e atyre që quhen të rinjtë e PS-së, i kanë lidhjet gjenetike me regjimin e kaluar. Janë nipër dhe mbesa të ish-anëtarëve të Komitetit Qendror, ish-ministra të diktaturës, të afërm të Sigurimit të Shtetit. Pra unë mendoj se PS-ja kurrë nuk do të pranojë një ligj që të dënojë krimet e komunizmit.
Pas vendimit të Kushtetueses, kush del i humbur dhe kush i fituar nga moshapja e dosjeve?
Politikisht nëse do të tregoheshim pragmatistë, do të thosha se ne jemi të fituar me atë që ndodhi pasi u treguam dhe një herë shqiptarëve se kush është PS-ja, se kush janë ata që vazhdojnë të mbrojnë krimet e komunizmit. Por sigurisht të humbur në njëfarë mënyre janë shqiptarët të cilët janë të detyruar të pranojnë të gjykohen nga ata që i kanë gjykuar për 50 vjet.
Kohë më parë, Kryeministri Berisha ka folur për një rindërtim të Gjykatës Kushtetuese për shkak të konfliktit të hapur të anëtarësisë së këtij institucioni. Pse u la në heshtje?
Kryeministri është shprehur qartë se ne nuk do të dalim jashtë procedurave ligjore, pasi ne jemi ata që kemi kërkuar që në vitin ’90-të ngritjen e shtetit ligjor. Sigurisht pati një mospërputhje të bindjeve dhe qëllimeve tona me atë që ndodhi, pasi shqiptarët nuk e meritojnë një gjykatë të tillë kushtetuese të përbërë nga ata elementë. Ne përgatitëm një ligj që PS-ja për propagandë e kishte kërkuar disa herë. Mos harrojmë që ata shpesh në Parlament kanë abuzuar duke drejtuar gishtin nga njerëzit tanë, duke i cilësuar spiunë njërin apo tjetrin. Edhe moralisht ne duhej ta bënim këtë ligj, pavarësisht se ne i dinim pasojat që do të kishte, pasi vajtja në Kushtetuese dihej se do të kishte mbrapa dhe vendimin që dha kjo gjykatë.
Dhe kur do të ndërrohen anëtarët e Kushtetueses?
Ne nuk mund të shkelim procedurat ligjore. Ata anëtarë të Gjykatës Kushtetuese do të ndërrohen kur t’u vijë koha. Fatkeqësisht është kështu dhe me gjithë dëshirën e mirë që ne kemi për t’i ndryshuar, jemi të kushtëzuar për faktin se jemi të detyruar të respektojmë procedurat ligjore. Nuk mund të ndryshojmë asgjë tani shpejt.
Ndërkohë mazhoranca do të nisë punën për përgatitjen e ligjit të ri të lustracionit?
Nuk mund të them se kur konkretisht do të jetë gati projektligji i ri. Sigurisht që mundësitë janë, që edhe me disa rregullime, sipas rekomandimeve që kanë bërë ndërkombëtarët, ne ta përgatisim edhe që tani. Por fakti është që këto zgjedhje parlamentare nuk mund të bëhen më me një ligj të tillë, pasi procedurat janë të tilla që PS-ja sërish do ta kalojë në Gjykatën Kushtetuese. E përsëris që e majta nuk do të pranojë asnjë ligj që dënon krimet e komunizmit. Nisur nga kjo, PS-ja do të ndjekë sërish të njëjtën procedurë dhe Kushtetuesja do ta hedhë poshtë.
Pra, duket se PD-ja nuk do të mund të realizojë më një ligj të ri dosjesh?
Për momentin duket se është një luftë që ne e kemi të humbur, por nëse duam që të realizojmë diçka konkrete, duhet të presim edhe momentin e përshtatshëm.
Atëherë logjika të çon se në Parlamentin e ri të 28 qershorit do të depërtojnë sërish ish-sigurimsa të Shtetit?
Problemi nuk është thjesht tek ata që do të jenë në listat e deputetëve, pasi kjo është dhe çështje morale e partive politike. PD-ja nuk ka lejuar të fusë bashkëpunëtorë të sigurimit në radhët e saj me ligj apo pa ligj, gjë që nuk e ka bërë PS-ja dhe sigurisht që nuk do ta bëjë. Problemi është më i gjerë. Shqiptarët nuk do të mund të drejtohen apo të gjykohen më prej atyre, që i kanë persekutuar gjatë regjimit komunist.
Zgjidhja është largimi me dëshirën e tyre?
Sigurisht që nuk do të largohen vetë me dëshirën e tyre nga politika. Të kishin një ndërgjegje të tillë, ata do të ishin larguar me kohë. Nuk presim që ata të largohen. Por shpresoj që shqiptarët të japin vlerësimin e tyre me votë. Kam qenë një herë pjesëtar i një komisioni që ka parë disa dosje në Shërbimin Informativ, por edhe për atë që kam parë, nuk mund të flas. Nuk kam të drejtë ligjore që unë të shprehem. Prandaj, bëhet ligji që të gjitha procedurat të ndjekin rrugën ligjore. Ne e kemi bërë procesin brenda PD-së pa pasur nevojën e një ligji pavarësisht se ligji u bë për zgjedhjet e ‘96-ës. Që në atë kohë u bë një lloj pastrimi. Por ne brenda partisë jemi spastruar, jemi treguar të kujdesshëm që mos të ketë as bashkëpunëtorë, as ish-sigurimsa të Shtetit dhe as njerëz që me apo pa dashje kanë kryer krime gjatë periudhës së komunizmit.
Ndihet fajtore PD-ja ndaj ish-të përndjekurve për “dështimin” e ligjit të hapjes së dosjeve?
Nga mënyra se si rrodhën ngjarjet, nuk mund të themi që ne jemi fajtorë, pasi e bëjmë për herë të dytë një ligj të tillë. Ligjin e pezulloi Gjykata Kushtetuese, ndaj nuk mund t’i lihet asnjë faj PD-së. Faji është i atyre që e kundërshtuan ligjin.
Do bisedohet me ndërkombëtarët për zbutjen e ligjit?
Sigurisht. Ka pasur gjatë gjithë kohës së përgatitjes së ligjit negociata me faktorin ndërkombëtar dhe do të ketë sërish për ligjin e ri, që të paktën t’u heqë argumentet apo justifikimet funksionarëve të PS-së.
Ish-të përndjekurit, por edhe brenda vetë PD-së kishte kritika për butësinë e ligjit, ndërkohë që ndërkombëtarët dhe opozita e quajtën të ashpër dhe që shkel të drejtat e njeriut, ndonëse Shqipëria kishte pozuar diktaturën më të egër komuniste. Mirëpo me pezullimin e ligjit, i bie që ligji të zbutet sërish?
Unë jam nga ata që e kam shprehur dhe në sallën e Parlamentit, që ky është një ligj i butë, pasi duhet zgjeruar grupi i atyre që në fakt kanë qenë pjesëtarë të regjimit dhe kanë ndikuar në dënimin e njerëzve. Por përderisa partnerët tanë ndërkombëtarë kërkojnë që ky ligj, të jetë dhe më i butë, përderisa e quajnë shkelje të të drejtave të njeriut, normalisht i bie që të përgatitet një ligj tjetër.
Një ligj sa për të thënë...?
Shpresoj të mos jetë kështu. Por fatkeqësisht mund të jetë dhe një ligj sa për të thënë...