E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit, procesi drejt dështimit

Debate mes dy forcave kryesore në vend. PS-ja: Procesi po dështon. PD-ja: Procesi po ecën normalisht


"Një muaj pas nisjes së projektit, ende asnjë qytetar nuk ka marrë kartën e identitetit"

TIRANË- Pajisja e qytetarëve me karta identiteti, vazhdon të jetë pjesë e debatit mes dy partive kryesore në vend. Në një kohë kur ende nuk është dhënë karta e parë e identitetit, Sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë në PS, Arta Dade, ka deklaruar dje se, papërgjegjshmëria dhe paaftësia totale e qeverisë në drejtim të pajisjes së qytetarëve me këtë kartë, po vë në pikëpyetje zgjedhjet e lira, të ndershme dhe demokratike. "Meqenëse procesi ka filluar në 8 qytete dhe do të fillojë sot edhe në 3 të tjera, a mund të na thonë se kur do të fillojnë në 54 qytetet e tjera dhe në 308 komunat e vendit? Meqenëse këto 11 bashki, sipas tyre, përbëjnë 60% të popullsisë së vendit, a mund të na thotë Ministria e Brendshme se sa popullsi kanë 54 bashkitë e 308 komunat e tjera??!! Për respekt të publikut, këto 11 bashki përbëjnë 35.2% të popullsisë së vendit 37.7% të listës së zgjedhësve dhe 29.4 të shtetasve pa pasaportë",- tha dje Arta Dade, në një konferencë për shtyp, qëndrimi i së cilës vijoi edhe pasdite në Kuvend, teksa po diskutohej për çështje jashtë rendit të ditës. Nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, Erion Brace, theksoi gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, se një muaj pas nisjes së projektit, ende asnjë qytetar nuk ka marrë kartën e identitetit. "Ky proces është shumë i rëndësishëm, pasi ka të bëjë me të drejtën për të votuar, por ai nuk po ecën normalisht, madje po shkon drejt dështimit",- tha Brace. I menjëhershëm ka qenë reagimi i zv-Kryeministrit Genc Pollo. Ky i fundit përforcoi dje në Kuvend prioritetin e qeverisë për pajisjen me letërnjoftime elektronike të 727 mijë personave që nuk kanë pasaporta, në mënyrë që t'u mundësohet marrja pjesë në votimet e 28 qershorit. "Pavarësisht nga disa dobësi teknologjike që mund të kenë hapësirat e vendit tonë, kompania koncesionare ka një kalendar për gjithë Republikën. Qytetet kryesore tashmë janë pajisur me stacione aplikimi, ndërkohë që angazhimi i përsëritur kontraktual nga pala koncesionare është që, brenda muajit shkurt do të kemi stacione aplikimi në qytezat dhe komunat e mëdha e të vogla", - tha Pollo. Ndërsa Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, tha po gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend se, deri në fund të javës së kaluar, janë realizuar 100 mijë aplikime, duke i dhënë prioritet pajisjes me letërnjoftime elektronike, atyre qytetarëve që nuk kanë pasaporta. Megjithatë, përpos angazhimit të shprehur nga demokratët, as Pollo dhe as Nishani nuk i kanë dhënë përgjigje shqetësimit të ngritur se pse qytetarët nuk janë pajisur ende me kartën e identitetit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›