Vendimi, Kushtetuesja i kërkon ndihmë Komisionit të Venecias
Vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese, do të jepet pas rekomandimit të Komisionit të Venecias
TIRANË- Nisur nga ngarkesat e larta të karakterit politik, me të cilat është shoqëruar deri më tani debati mbi ligjin e "dosjeve", Gjykata Kushtetuese, për të shmangur deri diku përgjegjësinë e saj direkte mbi një çështje të tillë me ndjeshmëri të lartë, ka vendosur që t'i kërkojë ndihmë Komisionit të Venecias.
Kështu, pjesë e vendimmarrjes së saj gjatë mbledhjes së djeshme paraprake, përveç pezullimit të ligjit, ka qenë edhe nisja e një kërkese për dhënie mendimi nga Komisioni i specializuar i Venecias. Një fakt i tillë, megjithëse nuk ka qenë përfshirë në vendimin e zbardhur të kësaj gjykate, është konfirmuar nga zëdhënësja e kësaj gjykate, Edlira Abazi, gjatë një deklarate për mediat fill pas përfundimit të mbledhjes së gjyqtarëve.
"Në mbledhjen e gjyqtarëve u vendos që t'i kërkohet Komisionit të Venecias një opinion "Amicus curiae" për ligjin, si institucion i pavarur dhe i specializuar", - u shpreh Abazi. Ndërkohë që, vendimi i kësaj gjykate duket se është një plotësim i rekomandimit që bënë dy reporterët e Këshillit të Europës që vizituan disa ditë më parë vendin tonë, në kuadër të një mision faktmbledhës për këtë çështje.
Gjatë një deklarate për mediat, pas një sërë takimesh me faktorët politikë në vend, ata u shprehën se KE-ja do ta çonte këtë ligj në Komisionin e Venecias, ndërkohë që i rekomanduan Gjykatës Kushtetuese që të presë në vendimin e saj ekspertizën e specializuar të këtij institucioni me reputacion në fushën e së drejtës. Vendimi i gjykatës për këtë çështje, nuk përbën një precedent të parë, kur ky institucion i është drejtuar Komisionit të Venecias.
Të njëjtën praktikë, por pa pezulluar ligjin e ankimuar, Gjykata Kushtetuese ka ndjekur edhe për sa i përket ligjit të legalizimeve dhe ndryshimet e bëra në Kushtetutë. Ndërmarrja e një hapi të tillë nga kjo gjykatë pritet ta shtyjë një vendimmarrje përfundimtare për ligjin e dosjeve në një kohë të papërcaktuar, pasi edhe vetë ligji për organizimin e Gjykatës Kushtetuese nuk e detyron atë që të marrë një vendim brenda një kohe të caktuar.