E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: Vendimi, Berisha të heshtë

Leskaj tha se, Berisha, duhet të respektojë institucionet


TIRANË- Partia Socialiste ka mirëpritur dje vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit të shumëpërfolur "Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve". Gjatë një prononcimi për mediat, Kryetarja e grupit parlamentar e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, e ka përshëndetur këtë vendim si në linjë me ligjet dhe Kushtetutën e vendit, ashtu edhe me rekomandimet dhe merakun e ndërkombëtarëve. "Partia Socialiste ka qenë dhe mbetet koherente në qëndrimin e saj për sa i takon ligjit të "Lustracionit" dhe ky ka qenë motivi që ne kemi kundërshtuar këtë ligj, pra antikushtetueshmëria. Ne mbetemi koherentë në respektimin e vendimeve të institucioneve që u ngarkon ligji, pra të vendimeve të institucioneve kushtetuese", - u shpreh Leskaj. Nga ana tjetër, ajo i ka bërë thirrje Kryeministrit Sali Berisha që të heshtë dhe të respektojnë vendimmarrjen e një organi të specializuar në fushën e së drejtës, siç është Gjykata Kushtetuese. Vetëm respektimi i institucioneve dhe vendimmarrjeve ligjore do të bëjë të mundur, sipas saj, që Shqipëria të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane, e cila kërkon një shtet ligjor. "Me këtë rast, zoti Berisha duhet të heshtë sot. Duhet të heshtë dhe të heqë dorë nga përbaltja e institucioneve kushtetuese, sepse shteti ligjor nuk mund të ndërtohet, duke sulmuar institucionet e shtetit ligjor", - tha më tej Leskaj. Ndërkohë që, në një moment të tillë, kur veprimtaria e ligjit të atakuar ka ngrirë, selia rozë gjen rastin t'i propozojë edhe një herë mazhorancës ndërmarrjen me konsensus të një nisme për përshtatjen e këtij ligji sipas standardeve ndërkombëtare. "Dua të përsëris edhe një herë faktin që e kam deklaruar edhe dy ditë më parë, ne si Parti Socialiste mbetemi koherentë, në faktin që mbetemi të gatshëm për të kontribuar për një projekt kushtetues, me standarde dhe që konsideron të gjitha sugjerimet e partnerëve ndërkombëtarë dhe që vë në themele parimet e kriteret e ligjit të "Lustracionit", - u shpreh Leskaj.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›