E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Dosjet", Gjykata Kushtetuese pezullon ligjin

Ligji nuk do të zbatohet deri në marrjen e një vendimi përfundimtar për kërkesat e PS-së, prokurorëve dhe KSHH-së

TIRANË- Ka marrë fund debati për ligjin shumë të kritikuar "Për pastërtinë e figurave", i njohur ndryshe si ligji i "dosjeve". Gjykata Kushtetuese ka "rrëzuar" qeverinë dhe ka pranuar kërkesën e bërë nga subjektet e interesuara për pezullimin e ligjit "Për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve", deri në marrjen e një vendimi përfundimtar lidhur me objektin e plotë të kërkesave që janë paraqitur pranë kësaj gjykate për shpalljen e tij si antikushtetues. Ndërkohë që, pjesë e vendimmarrjes së kësaj gjykate, ndoshta edhe për të shmangur përgjegjësitë e veta në raport me politikën për këtë çështje, ka qenë edhe vendimi për t'iu drejtuar Komisionit të Venecias për dhënien e një opinioni mbi përputhshmërinë e këtij ligji me parimet dhe standardet ndërkombëtare.


Shqyrtimi


Gjykata Kushtetuese ka mundur më së fundi të dalë mbi politikën dhe, ashtu siç edhe rekomanduan partnerët ndërkombëtarë, ka marrë dje në shqyrtim, në një mbledhje paraprake me dyer të mbyllura të kolegjit të gjyqtarëve, kërkesat e paraqitura nga tre subjekte dhe konkretisht nga një grup prej 36 deputetësh, Shoqata Kombëtare e Prokurorëve dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit (ditët e fundit kanë goditur ligjin në këtë gjykatë edhe shoqata e avokatëve, nëpërmjet një kërkese të veçantë), me objekt shpalljen e ligjit të lustracionit si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe pezullimin e zbatimit të tij, deri në shpalljen e vendimit përfundimtar nga ana e kësaj gjykate. Një praktikë e tillë shqyrtimi bazohet në ligjin "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë", i cili parashikon që kërkesa për pezullimin e ligjit mund të shqyrtohet paraprakisht nga mbledhja e gjyqtarëve ose seanca plenare, në rastet kur zbatimi i tij ose i aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesat shtetërore, shoqërore ose të individëve. Gjykata, në analizën e saj, ka gjykuar se palët ankimuese kanë të drejtë kur pretendojnë se nga zbatimi i menjëhershëm i ligjit, interesave të rëndësishme shtetërore u shkaktohet një dëm shumë serioz dhe vështirësisht i riparueshëm, pasi krijohen dukshëm mosmarrëveshje kompetencash ndërmjet organeve kushtetuese dhe një autoriteti të krijuar me ligj të zakonshëm, cenohet apo kufizohet ushtrimi i veprimtarisë kushtetuese i Presidentit të Republikës, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm si dhe të gjitha institucioneve të tjera të administratës publike, nga veprimtaria e Autoritetit të Kontrollit të figurave apo edhe përfundojnë marrëdhëniet e punës për funksionarët e lartë të shtetit, të cilët kanë status kushtetues.

Vendimi


Për këto arsye, mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, shkaqet e parashtruara më sipër i vlerëson si shkaqe të përligjura për të argumentuar parandalimin e pasojave që mund t'i vijnë funksionimit normal të shtetit të së drejtës, si dhe të drejtave dhe lirive themelore të individëve. Bazuar në këtë argument, mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, me 7 vota pro dhe 2 kundër, vendosi të urdhërojë pezullimin e zbatimit të ligjit "Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve", derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi. Gjithashtu, në mbledhjen e gjyqtarëve u vendos që t'i kërkohet Komisionit të Venecias një opinion "Amicus curiae" për ligjin, si institucion i pavarur dhe i specializuar.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›