Shqipëria mbyll ratifikimet për në NATO
Shqipëria mbylli të 26 ratifikimet e Protokollit të Anëtarësimit në NATO. Kuvendi i Greqisë ratifikoi dje vonë protokollin, duke bërë që ky proces të mbyllet plotësisht. Tashmë teknikisht Shqipëria nuk ka asnjë pengesë ligjore, për të mos u integruar në Aleancën e Veriut. Me mbylljen e ratifikimeve të protokollit, Shqipëria mund të konsiderohet si anëtare me të drejta të plota në NATO. Mbyllja e këtij procesi ka bërë të mundur që samiti i muajit prill në Strasburg t’i krijojë Shqipërisë një vend në tryezën e rrumbullakët të aleancës ushtarake më të madhe në botë. Dje ka qenë një ditë e shënuar, pasi në orët e pasdites edhe Senati i Holandës mbylli procesin e ratifikimit të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Ministria e Punëve të Jashtme përshëndetën vendimin e datës 17 shkurt 2009 të Senatit të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta për ratifikimin e Protokolleve të Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Sipas tyre, vendimi i Dhomës së Lartë më parë dhe i Senatit holandez, bëjnë që Holanda të jetë kështu vendi i 25-të nga 26 vendet anëtare që ratifikojnë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë. Vendimi i djeshëm i Senatit holandez është shprehje e mbështetjes dhe besimit të këtij vendi anëtar të Aleancës ndaj Shqipërisë, vlerësim ndaj reformave të thella të ndërmarra vitet e fundit në vend dhe kapaciteteve të vendit tonë, për të kontribuar në sigurinë kolektive. Parlamenti grek, i cili ishte i fundit nga 26 vendet që ratifikoi këtë protokoll, diskutoi gjerësisht mbi ftesën e NATO-s për Shqipërinë. Deputetët e ekstremit të djathtë në Kuvend protestuan dhe u larguan nga salla. Nga ana tjetër, deputetët e partive të mëdha, si PASOK apo Demokracia e Re, votuan unanimisht për hyrjen e Shqipërisë në NATO. Zëvendësministri i Jashtëm grek, Miltiadhis Varvitiotis, deklaroi në Kuvend se hyrja e Shqipërisë në NATO do t’i shërbejë edhe Greqisë. “Ne mendojmë se integrimi i Shqipërisë është rasti më i mirë, ndonëse ekzistojnë probleme me minoritetin atje. Duhet t’i zgjidhim problemet me njëri-tjetrin dhe jo të kemi qëndrim negativ ndaj Shqipërisë, pasi sa herë që shtetet e mëdha kanë ndërhyrë në Ballkan, ka pasur luftë, ndërsa marrëdhënie të mira kemi pasur kur kemi bashkëpunuar vetë”, - tha ai. Zëvendësministri i Jashtëm grek foli edhe për çështjen e Kosovës, duke thënë se “Greqia nuk do të njohë Kosovën, por kjo s’do të thotë që ne s’do të bashkëpunojmë me politikën e Kosovës”.