E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Masa për krizën

Tiranë -Qëndrimin e qeverisë ndaj krizës ekonomike, Lëvizja Socialiste për Integrim e ka vlerësuar si qëndrim demagogjik dhe të rrezikshëm për të ardhmen e vendit. Në një deklaratë për mediat, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili theksoi se kriza ekonomike është ulur këmbëkryq në Shqipëri. “Qeveria e Sali Berishës është e vetmja qeveri në rajon dhe në botë që nuk ka bërë publike asnjë Plan Antikrizë në një kohë që bizneset po japin alarmin duke ulur ndjeshëm prodhimin, xhiron e tyre e për rrjedhojë edhe fitimet duke shkaktuar edhe falimentimin mjaft prej tyre”-theksoi Vasili.

Ai theksoi se leku po zhvlerësohet në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandalshme, bizneset në mënyrë masive po mbyllin aktivitetin e tyre. “Nuk është e para herë që dyshja Berisha-Bode janë krejt të pa shqetësuar për krizën ashtu siç bënë edhe në vitin 1996 me firmat piramidale që shkaktuan një tragjedi të pashembullt dhe ky qëndrim euforik e i papërgjegjshëm i tyre konstaton dukshëm me shqetësimin shumë të madh e të gjithë shteteve evropiane që prej kohësh kanë miratuar Planet Antikrizë për zbutjen e krizës”-tha më tej sekretari i Përgjithshëm i LSI-së.

Sipas Vasili qeveria duhet të bëjë publike në mënyrë të menjëhershme Planin Antikrizë nëse ka të tillë, të bëjë publik sektorët e ekonomisë që janë më të rrezikuar dhe që duhet mbështetur, iniciativat fiskale që do të përdoren dhe masa e tyre.

Në emër të LSI-së, ai i ka kërkuar kryeministrit, Ministri të Financave, Gurvenatori të Bankës së Shqipërisë dhe Ministri të Ekonomisë që të raportojnë në mënyrë të menjëhershme në Parlament për gjendjen e ekonomisë shqiptare si dhe të bëjnë transparent e të miratojnë në parlament Planin antikrizë si dhe çdo nismë tjetër ligjore që duhet të ndërmarrë nga parlamenti për ta mbështetur atë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›