E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shitja e tokave në përdorim, paratë tek ish-pronari



Paratë e shitjes së tokave në përdorim do të shkojnë tek ish-pronarët dhe në rast se toka s’ka pronar, paratë do të përdoren për kompensim. Këshilli i Ministrave mori dje një vendim për tokat e dhëna në përdorim, si për ato private, ashtu edhe për ato shtetërore. Në bazë të këtij vendimi, çdo tokë e cila është dhënë në përdorim, me qera, në ndonjë formë tjetër shoqërive tregtare, ku shteti zotëron pjesë të kapitalit ose aksione, do të shitet me vlerë tregu dhe paratë do të kalojnë tek ish-pronari i tokës. Në rast se toka nuk ka pasur pronar, atëherë fondet kalojnë në fondin e kompensimit të AKKP-së për kompensimin financiar të ish-pronarëve. Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave, nga sipërfaqja e tokës së dhënë, ka të drejtë t’ia shesë shoqërisë me çmim tregu, ndërsa sipërfaqja tjetër, nëse ka të tillë, i kthehet fizikisht subjektit të shpronësuar. Në rast se toka e shitur i është njohur subjektit të shpronësuar, të ardhurat nga shitja i kalojnë atij, por në rast se toka ka qenë dhe është në pronësi të shtetit, të ardhurat nga shitja kalojnë në fondin e kompensimit. Vendimi parashikon që në rast se shoqëria refuzon blerjen e tokës, brenda afatit të përcaktuar nga drejtoria, toka i kthehet fizikisht pronarit të shpronësuar, kur ka të tillë, dhe marrëdhëniet ndërmjet shoqërisë dhe subjektit rregullohen sipas legjislacionit civil shqiptar. Bizneset duhet të nisin menjëherë aplikimin për pagimin e truallit me Drejtorinë e Pronave Publike në ministri. Ato duhet të paraqesin me shkrim një kërkesë për blerjen si dhe të shoqëruar me vërtetimin hipotekor, certifikatën e pronësisë, të noterizuar, nëse ka, kartelën e pasurisë për objektin, të lëshuar nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, si dhe hartën treguese të pasurive të paluajtshme, në zonën përkatëse, nëse është e përditësuar jo më pak se 15 ditë nga data e paraqitjes së kërkesës. Subjektet duhet të kenë edhe një fotokopje të noterizuar të kontratës së shitjes së objektit apo ndërmarrjes si dhe deklaratën noteriale origjinale që vërteton se nuk ka proces gjyqësor për objektin dhe truallin përkatës. Drejtoria e Pronave Publike brenda 10 ditëve nga paraqitja e kërkesës jep përgjigje për rastet kur privatizimet janë kryer nga ish-AKP-ja dhe degët e saj në rrethe, nëse dosja e privatizimit gjendet e rregullt dhe brenda 7 ditëve nga mbërritja e dokumentacionit të privatizimit nga drejtoritë rajonale të bujqësisë. Zyra Rajonale e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme i kthejnë përgjigje Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave, brenda 15 ditëve nga data e marrjes së kërkesës. Bizneset, të cilat kanë objekte apo ndërmarrje shtetërore, por që nuk kanë privatizuar sipërfaqen e truallit, sipas gen-planit të dokumentacionit të privatizimit, duhet ta blejnë këtë truall deri më 31.5.2009, si dhe të kenë paguar qeranë e truallit rregullisht, deri në pagesën e vlerës së plotë të çmimit të truallit, brenda afatit të përcaktuar në këtë pikë.

Ligjet, “ngrihet” Komisioni i Regjistrimit të popullsisë

Komisioni i Ligjeve miratoi dje projektligjin e qeverisë për ngritjen e Komisionit Qendror të Regjistrimit, i cili do të regjistrojë gjithë popullsinë dhe banesat. Opozita votoi kundër këtij projektligji, pasi nuk ra dakord me kompetencat që i atribuohen këtij komisioni. Projektligji parashikon që Komisioni i Posaçëm të hartojë gjithë metodikën si dhe formularët pyetës, por deputeti i opozitës, Blendi Klosi, kërkoi që një gjë të tillë ta bëjë Kuvendi pasi është diçka e rëndësishme. Deputetët e miratuan me shumicë votash këtë nismë ligjore. Ky projekt konsiderohet tepër i rëndësishëm për vendin, si për zhvillimin ekonomik, ashtu edhe për planet e zhvillimit. INSTAT-i ka nisur tashmë përgatitjet për këtë projekt që pritet të mbyllet brenda vitit 2011 dhe të dhënat do të jenë të cilësisë të njëjtë me vendet e BE-së. Projekti pritet të mbyllë përfundimisht problemin e regjistrimit të popullsisë në Shqipëri. Ai do të përcaktojë saktë se sa banorë jetojnë në Shqipëri, ku jetojnë, sa kanë emigruar, moshën e shqiptarëve, numrin e emigrantëve e shumë të dhëna të tjera.

Opozita jep ok për lejet e ndërtimit

Pozita dhe opozita në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese në Kuvend ranë dakord dje për miratimin e projektligjit të ri për urbanistikën me konsensus të plotë mes palëve. Tashmë në bazë të procedurës, do të duhen 55 ditë që të miratohet procedura e dhënies së një leje ndërtimi. Brenda këtij afati do të jepet përgjigja pozitive ose negative, njëkohësisht edhe miratimi i heshtur në rast se nuk ka një përgjigje. Pas këtij afati, administrata lokale ka 5 ditë afat për dërgimin e dokumentacionit në KRRT. Pas këtij afati, mbetet në dorën e KRRT-së për të dhënë përgjigje. Projektligji përcakton se pas miratimit nga KKRT-ja, kërkuesi i lejes është i detyruar të depozitojë brenda një afati kohor prej 30 ditësh projektin e zbatimit për objektin. Kur njësia e urbanistikës në njësinë vendore, brenda afatit 5-ditor nuk dërgon në adresë të kërkuesit njoftimin se do të fillojë shqyrtimi i konformimitetit arkitektonik, quhet i pranuar. Sipas nismës ligjore, njësia e urbanistikës, brenda 10 ditëve njofton kërkuesin se projekti arkitektonik i zbatimit të objektit është në përputhje ose jo me normat urbanistike dhe vendimin e KRRT-së, si dhe detyrimin për pagesën e taksës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›