“Albtelekom”, qeveria miraton shitjen
Paratë e shitjes së aksioneve të qeverisë që do të kryhet përmes privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore, do të përdoren si fond për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve dhe kompensimin e pronarëve. Vlera 10% e të ardhurave nga privatizimi i kompanisë “Albtelekom” do të vihet në dispozicion të kompensimit të pronareve dhe ish-të përndjekurve. Këshilli i Ministrave miratoi dje shitjen e paketës së aksioneve që qeveria zotëronte në kompaninë “Albtelekom”, duke vijuar kështu në linjën e saj të privatizimit të të gjithë sektorëve strategjikë në vend. Kryeministri Sali Berisha bëri dje të qartë se me këtë rast, pas privatizimit të ARMO-s dhe rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike OSSH-së, ky proces do të vazhdojë me shitjen e aksioneve të qeverisë në të gjitha sipërmarrjet, ku qeveria është aksionere. “Privatizimi përbën një nga premtimet madhore të kësaj qeverie, si dhe mbajtja e tij e plotë. Faktikisht, u realizua me sukses privatizimi i “Albtelekomit”, ARMO-s, OSSH-së, është në negocim kontrata për INSIG-un”, - u shpreh Kryeministri. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, “Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime “Albtelekom”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Transferimin e paketës së aksioneve të zotëruara nga shteti, prej 16.7683661 përqindësh, te “Albtelekom”, sh.a.-ja, Tiranë, nëpërmjet ankandit. 2. Ky transferim të realizohet me asistencën e një shoqërie këshilluese ndërkombëtare. 3. Shpenzimet, në vlerën 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekë, për zhvillimin e procedurave të përzgjedhjes së konsulentit, për shërbimet, që do të kryejë konsulenti, si dhe për shpenzime të tjera, të nevojshme për realizimin e transferimit të paketës, të mbulohen nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, deri në përfundim të procesit të shitjes. 4. Pas përfundimit të procesit të shitjes, Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës t’i rimbursohen shpenzimet e përmendura në pikën 3 të këtij vendimi, nga të ardhurat e realizuara nga shitja e paketës së aksioneve shtetërore, sipas raportit financiar, të paraqitur nga kjo ministri. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës për zbatimin e këtij vendimi. “Në të gjitha ndërmarrjet, ku qeveria është aksionere, - u shpreh Kryeministri, - aksionet do të shiten dhe siç është përcaktuar në ligjin e miratuar nga Parlamenti, 10 për qind e vlerës nga të gjitha këto privatizime do të kalojë për kompensim të pronarëve dhe dëmshpërblim e ish-të përndjekurve politikë. Kështu që fondi, si i dëmshpërblimit, ashtu edhe i kompensimit, do të ketë rritje të ndjeshme progresive, përveç rritjes direkt edhe nga burime të tjera. Fondet e privatizimit janë fonde shtesë për këtë qëllim”.