E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, në një javë, 24 gjoba për dëmtuesit e tokës

Inspektorati i Mbrojtjes së Tokës, brenda një jave ka vendosur plot 24 gjoba për personat të cilët kanë dëmtuar tokën. Sipas kontrolleve, gjatë kësaj jave që lamë pas ka rezultuar e dëmtuar rreth 16 ha tokë. Lajmi është konfirmuar nga përgjegjësi i Inspektoratit të Mbrojtjes së Tokës në Këshillin e Qarkut të Fierit, Pëllumb Saliaj. "Aksioni i menjëhershëm, që kanë kryer specialistët e këtij inspektorati, ka nxjerrë plot 24 persona dhe firma ndërtimi dëmtues të tokës bujqësore. Natyra e dëmtimit të tokës ka qenë e ndryshme, por ajo që ka vërejtur Inspektorati i Mbrojtjes ishte ndryshimi i destinacionit të saj", sqaroi Saliaj.

Kontrollet

Sipas tij, janë evidentuar raste flagrante të marrjes së dheut në kodrina e si rrjedhojë rrëshqitje të tokës. Janë vërejtur raste të depozitimit të mbetjeve inerte me sasi të mëdha mbi sipërfaqe toke prodhuese të kategorisë së parë. Po ashtu gjatë kontrolleve janë vërejtur shfrytëzime të brigjeve të lumenjve pa kriter, si dhe është arritur të identifikohen raste kur persona të ndryshëm kanë kryer punime mbi tokën, duke ndryshuar të dhënat e saj.

Një nga vendet ku ky inspektorat ka vërejtur shfrytëzim të tokës pa kriter ka qenë rruga Fier-Lushnjë, ku fermerë të ndryshëm kanë hapur sheshe ndërtimi duke cenuar edhe masivin e sipërfaqes së kodrave. Po ashtu edhe në rrugën Fier-Ballsh, në afërsi të vendit të quajtur Qafa e Lalarit, fermerët kanë regjistruar të njëjtën situatë. Është dashur rrëshqitja e tokës në përmasa të mëdha deri në rrezikimin e rrugëve nacionale që Inspektorati i Mbrojtjes së Tokës të ndërhyjë dhe të shkojë deri në gjobitje të abuzuesve.

Gjobat

"Prej vitesh duhet thënë, në Rrethin e Fierit, dhe pikërisht në zonën e Cakranit, konstatohet shfrytëzimi i tokës për të siguruar zhavorr mali. Në raste të tilla inspektorati ka ndërhyrë, por gjoba ka qenë e kapërcyeshme nga shfrytëzuesit, të cilët kanë vijuar aktivitetin e tyre", thanë inspektorët e qarkut. Gjobat e vendosura për abuzuesit kapin shifrën deri në 100 mijë lekë të reja. Me këtë vlerë janë gjobitur rreth 16 fermerë, ndërsa 8 firma të tilla janë ndëshkuar me gjobë më të rëndë. Gjithashtu janë detyruar që abuzuesit me tokën ta rikthejnë atë në gjendjen e mëparshme. Kontrollet e inspektoratit po vazhdojnë në të gjithë territorin e Qarkut të Fierit, ndërsa sipërfaqja e tokës e dëmtuar gjatë gjithë vitit 2008, si shkak i shfrytëzimit të saj pa kriter, shkon në 150 ha.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›