E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manjani: Rruga Durrës-Kukës, vendimet janë nul

Ylli Manjani tha dje se tre nga katër vendimet e pretenduara nuk janë të botuara në fletoret zyrtare

TIRANË- Kryetari i Komisionit të Ligjeve pranë Asamblesë Kombëtare të PS-së, Ylli Manjani, ka deklaruar dje se vendimet e qeverisë për rrugën Durrës- Kukës janë pa fuqi juridike. “Ne kemi verifikuar të gjitha fletoret zyrtare të vitit 2006 (vit në të cilin pretendohet se janë marrë të gjitha vendimet e qeverisë për ndërtimin e kësaj rruge) dhe rezulton se tre nga katër vendimet e pretenduara nuk janë të botuara në fletoret zyrtare. Konkretisht, vendimet numër 158, datë 15.03.2006, nr. 481, datë 14.06.2006 dhe nr. 460, datë 10.07.2006, që i pandehuri Basha dhe Kryeministri pretendojnë se janë marrë në qeveri, nuk gjenden në asnjë fletë të fletoreve zyrtare të shtetit”,- tha dje Manjani përmes një konference për shtyp. Ai theksoi se në vitin 2006, vit në të cilin pretendohet se janë marrë të gjitha vendimet e qeverisë që lidhen me rrugën Durrës Kukës, ka gjithsej 154 numra fletoresh zyrtare. “Po të shihni të gjithë këto numra, do të gjeni vetëm VKM 651, datë 27.09.2006, vlera juridike e të cilit është tërësisht e kontestueshme, sepse referenca e tij bazohet një njërin prej tre vendimeve të mëparshme të pa botuara. Sipas nenit 117 të Kushtetutës së Republikës, "Ligjet, aktet e Këshillit të Ministrave, të ministrave dhe institucioneve të tjera qendrore, marrin fuqi juridike vetëm pasi botohen në fletoren zyrtare". Botimi i vendimeve të qeverisë, nuk është as çështje dëshire, e as thjesht çështje transparence (që megjithatë ka munguar)”,- tha Manjani. Kryetari i Komisionit të Ligjeve pranë Asamblesë Kombëtare shtoi se botimi i këtyre vendimeve lidhet drejtpërdrejt me fuqinë juridike të vetë akteve. “Kjo do të thotë se vendimet e qeverisë që nuk botohen në fletoret zyrtare nuk kanë asnjë vlerë juridike. Ato janë juridikishtzero, nul dhe të paqena. Si të tilla, këto vendime kanë qenë dhe mbeten të pazbatueshme”,- tha ai. Për pasojë, Manjani shtoi se, “me këto vendime të pazbatueshme, e gjithë qeveria e Sali Berishës, në mënyrë të paligjshme ka nxjerrë nga buxheti i shtetit, deri tani mbi 600 milionë euro. Me këto vendime të pazbatueshme, qeveria e Sali Berishës ka lidhur kontrata e ka marrë kredi, duke thelluar borxhin publik. Ky skandal i rëndë shtetëror është dëshmi e faktit se Sali Berisha dhe klani i tij nuk pyesin as për Kushtetutë, as për ligj e as për shtet”. Për këtë arsye, PS-ja i kërkon Prokurorisë dhe drejtësisë të vlerësojnë këtë fakt skandaloz.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›