Gjirokastër, hyjnë në grevë urie banorët e pallatit të shembur
Gjirokastër-Dhjetë kryefamiljarë të pallatit të shembur në Gjirokastër hyjnë sot në grevë urie. Ata kërkojnë të dëmshpërblehen nga qeveria për shtëpitë e tyre të humbura nga shembja e pallatit 5 katësh një muaj më parë.
Greva do të nisë në orën 12.00, kur banorët do të ngujohen në një garazh që gjendet pak metra larg nga germadhat e pallatit të shembur.
Aktualisht janë 8 kryefamiljarë që kanë vendosur të nisin grevën, por mësohet se edhe të tjerë do të bëhen pjesë e kësaj proteste deri në mesditë. “Qeveria dhe pushteti lokal janë të papërgjergjshëm”, thonë banorët. Duke shtuar se asgjë nuk është bërë deri tani për ta. Pesëmbëdhjetë familjet që humbën shtëpitë kërkojnë dëmshpërblim 100 për qind për banesat e tyre. Ata ngrenë edhe shqetësimin e mungesës së transparencës në shpërndarjen e lekëve të dhëna nga donatorët për ta. Aktualisht këto familje jetojnë në shtëpi me qira dhe në hotele.
Qytetarët e prekur nga tragjeditë në vendin tonë vetëm me atë të protestës dhe grevës mund të dëmshpërblehen. Kështu ndodhi edhe me banorët e Gerdecit, të cilët protestuan duke bllokuar rrugën nacionale për të marrë paratë e kompensimit nga shteti.